Editorial15 Dhjetor 2022, 13:13

Brigadistët antiamerikanë të Albin Kurtit

Shkruar nga Pamfleti

Brigadistët antiamerikanë të Albin Kurtit

Albin Kurti apo kushdo tjetër mund të ketë probleme politike në Kosovë, por nuk mund ta transferojë këtë në një histeri antiamerikane. Pasi nëse ndodh kështu, thjesht ka humbur mazhorancën…

Mediat e Prishtinës me të drejtë kanë shprehur shqetësimin për një ‘stuhi në gotë’ që grupi drejtues i Vetëvendosjes në Tiranë, kishin nisur ndaj të dërguarit special të Presidentit Biden për Ballkanin, Gabriel Esobar.

E kjo si gjithmonë përdoret dhe krijon keqkuptime për një ndarje që sjell perceptimin se kemi të bëjmë me një “qëndrim të pavarur” të grupit të Vetëvndosjes së Tiranës nga kupola e lëvizjes dhe Albin Kurti.

Përveç ndonjë Arbër Zaimaj, që ka realisht qëndrimin e tij përgjithësisht, të gjithë rreshterët e tjerë nuk janë veçse brigadistë të Albin Kurtit, që nuk guxojnë të bëjnë një analizë të pavarur, apo të shohin me sy kritik qeverisjen e Vetëvendosjes.

Megjithatë kritikat ndaj SHBA-së, janë tejet banale dhe të rrezikshme, për të mos thënë në pragun e injorancës politike.

Filozofi Elviz Hoxha, i kujton Gabriel Escobarit Ukrainën, dhe e pyet a do ta lejonte Zelenski një Zajednicë atje, duke harruar se qëndrimi perëndimor për autonominë e rajoneve lindore të Ukrainës, nuk ka ndryshuar. Thjesht ata nuk duan që të jenë në kufirin e Federatës Ruse siç e ka vendosur Putin me forcën e armëve dhe në mënyrë të njëanshme.

Asocacioni i Komunave, për të cilin këta brigadistë fajësojnë Gabriel Escobarin ka marrë një miratim nga Parlamenti i Kosovës dhe ka pasur edhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese të saj.

Pastaj çfarë lidhje ka Ukraina me Kosovën?!

Mund të ketë ngjashmëri në aspektin e influencës ruse, por Kosova nuk është një shtet që Serbia e ka njohur si Rusia- Ukrainën, për më pas për ta influencuar. Kosova është një shtet që është krijuar kundër vullnetit të Serbisë, por vetëm me këmbënguljen e SHBA dhe Bashkimit Europian, për të dhënë një shembull autentik sesi Perëndimi jo vetëm është kundër spastrimit etnik, por njeh një të drejtë ndërkombëtare siç është ajo e vetëvendosjes.

Nëse SHBA e mbështet Asocacionin apo Zajednicën siç thonë brigadistët e Tiranës, kjo ka ardhur si pjesë e negociatave që SHBA dhe BE ka bërë me qeveritë e Kosovës. Uashingtoni, qartësisht këtë e quan një marrëveshje që nuk duhet të rinegociohet, por Vetëvendosje nuk e pranon. E kjo është një problem që duhet zgjidhet mes partnerësh, pa hapur plagë e linçime ndaj SHBA.

Vertetë Albin Kurti nuk e ka pranuar Rambujenë, nuk ka qenë dakord me Planin Ahtisari, pra Kushtetutën e Kosovës, vërtetë Vetëvendosje nuk ka qenë dakord me flamurin e himnin e Kosovës kur ishte në opozitë. Ashtu edhe me demarkacionin e Asociacionin. Por sot në qeveri, Vetëvendosje duhet ta thotë qartë, nëse i konsideron SHBA aleatë strategjikë?

Albin Kurti e thotë shpesh, duke e nënvizuar, kurse Vjosa Osmani nuk resht së recituari përmendësh.

Atëherë, përse Kurti ndërsen brigatistët e tij që të sulmojnë Gabriel Escobar?

Sepse zyrtari i lartë tha në ‘Evropa e Lirë’ se SHBA nuk mbështet palët në Kosovë por të gjithë popullin.

A nuk e konsideron Albin Kurti vetën kryeministër i të gjithë qytetarëve të Kosovës?

Kurti apo kushdo tjetër mund të kenë probleme politike në Kosovë, por nuk mund ta transferojë këtë në një histeri antiamerikane. Pasi nëse ndodh kështu, thjesht ka humbur mazhorancën…/Pamfleti

Editorial #Brigadistët antiamerikanë të Albin Kurtit

Editorial