Bota28 Mars 2019, 15:29

Britania futet në qorrsokak, irlandezët i ‘plasin bombën’ kryeministres

Shkruar nga Pamfleti
Britania futet në qorrsokak, irlandezët i ‘plasin

Britania futet në qorrsokak, irlandezët i 'plasin bombën' kryeministres

Kaosi vazhdon: Theresa May ofron dorëheqjen, nëse deputetët i japin votën për marrëveshjen e Brexitit. Por DUP-i irlandeoverior thotë JO. Dhe parlamenti voton pa sukses variantet e Brexitit.

Prej javësh ka qarkulluar thashethemi, se deputetët e të djathtës janë të gatshëm të aprovojnë marrëveshjen që Theresa May ka bërë me BE, nëse ajo vetë jep dorëheqjen. Ajo pati ngurruar, sepse nuk donte të dëbohej nga posti prej ndjekësve të linjës së ashpër. Të mërkurën në mbëmje ajo mori vendim ta dorëzonte shpatën. May nuk pa rrugëdalje tjetër, sepse pas humbjes së votave dhe dorëheqjes në seri të ministrave nuk ka më shumicë në qeveri.

Në një fjalim emocional të mbajtur para mbledhjes së fraksionit të konservatorëve kryeministrja deklaroi: “Unë e kam kuptuar klimën. Unë e di që ekziston dëshira për një fillim të ri dhe ndryshim udhëheqjeje”. Ajo tha se është e gatshme të largohet nga detyra, nëse deputetët i japin shumicën për marrëveshjen e Brexitit.

Salla gati sa nuk shpërtheu në të qara. Kështu tregojnë deputetët që respektuan dinitetin e May-it, ndjenjën e përmbushjes së detyrës. Krye-brexitësi Jacob Rees-Mogg vlerësoi “guximin në dalje” të saj. Fjalë kaq miqësore fraksioni nuk ka thënë prej kohësh për kryeministren. Megjithatë nuk mund të mos vihej re optimizmi i klikës së Brexitit, që filloi garën për pasardhësin e saj.

Triumf i shkurtër i qafëgjatëve

Boris Johnson, Michael Gove, Dominic Raab kanë javë që kanë zënë pozicionet. Grupi i brexitësve të fortë dhe kundërshtarë të tjerë të kryeministres kanë votuar dy herë kundër marrëveshjes së kryeministres me BE. Por papritur ata deklarojnë se mund ta japin votën. Jacob Rees-Mogg e argumentoi ndryshimin e qëndrimit duke thënë më mirë një gjysmë buke, se sa pa bukë fare. Pra, ai do e aprovojë marrëveshjen. Boris Johnson iu bashkua atij, po ashtu si Ian Duncan Smith dhe rebelët e tjerë.

Ditët dhe muajt e fundit ata e patën quajtur marrëveshjen “më të keqen të bërë ndonjëherë”, “kthim në vasalë”, “jelek vetëvrasës” ndezëzin e të cilit e mban në dorë BE, “e papranueshme” e kështu me radhë. Ideja se një brexitas mund të kthehet në pasardhës së Theresa May-it bëri që edhe shprehjet më të ashpra të harrohen brenda natës.

DUP hedh bombën

Vëzhguesit bënë llogaritë, që edhe pas njoftimit të fundit marrëveshja Theresa May për dalje nga BE nuk do arrinte të merrte shumicën e votave. Në votimin e dytë të bërë në mes të muajit mars, ajo pati humbur 75 vota. Nëse 20 deri 30 ndjekës të linjës së ashpër do vazhdonin të qëndronin tek Jo-ja, atëherë prapë ajo nuk do merrte vota sa duhet.

Vonë në mbrëmje DUP irlandezo-verior ndezi bombën. Ata thanë se u vjen keq, por nuk janë në gjendje të mbështesin kryeministren. Dhe përveç kësaj, ata nuk mund t’i përmbahen një çështjeje kaq vendimtare si bashkimi i Irlandës së Veriut me Britaninë e Madhe. Kështu që marrëveshja e Brexitit hidhet sërish poshtë.

Parlamenti thotë tetë herë Jo

Edhe ëndrra e parlamentit se mund t’i marrë kontrollin mbi Brexitin qeverisë, u pa që ishte vetëm iluzion. Deputetët nuk dështuan në problemet e procedurës, sepse ata mund të sillnin në tavolinë kundër vullnetit të qeverisë një seri prej tetë variantesh Brexiti.

Ata dështuan në mungesën e bashkimit midis tyre. Megjithëse pati bisedime mbipartiake, për të marrë shumicën, në fund asnjë nga variantet e ofruara nuk u aprovua. Një Brexit edhe më i ashpër se sa pa marrëveshje nuk u pranua nga shumica e parlamentit.

Më shumë sukses pati propozimi që Britania e Madhe të vazhdojë të qëndrojë në bashkim doganor me BE. Por edhe në këtë version duheshin edhe tetë vota për të marrë shumicën. Po ashtu nuk u pranua edhe ideja e një tregu të përbashkët të brendshëm, ose ideja e një referendumi të ri.

Në Bruksel me siguri janë ngritur qimet përpjetë që britanikët nuk janë në gjendje të thonë “çfarë duan në të vërtetë”. Partitë, qeveria dhe publiku janë aq të përçarë për çështjen e Brexitit saqë çdo lloj kompromisi duket i pamundshëm. Britania e Madhe ndodhet në qorrsokak. Brexiti i ashpër po afrohet më 12 prill, nëse shumica parlamentare nuk arrihet për të aprovuar zgjatjen deri në fund të vitit. Kjo do të thoshte që vendi duhet të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare europiane që mbahen në maj./DW

Bota Britania e Madhe