Sport31 Maj 2022, 18:37

“Broja dhe Asllani do të jenë për 15 vite në Kombëtare”, Alban Bushi: Njëri më ka thënë që nuk e ndjen veten shqiptar

Shkruar nga Pamfleti
“Broja dhe Asllani do të jenë për 15 vite në

“Broja dhe Asllani do të jenë për 15 vite në Kombëtare”, Alban Bushi: Njëri më ka thënë që nuk e ndjen veten shqiptar

Shqipëria U-21 do të zhvillojë dy sfidat e fundit të eliminatoreve të Kampionatit Europian 2023 ndaj Anglisë dhe Kosovës në muajin qershor. Për të folur në lidhje me objektivat dhe synimet e skuadrës për këto dy ndeshje të rëndësishme, trajneri i Kombëtares U-21, Alban Bushi ka dalë në një konferencë për media. 

Teksa iu përgjigj interesit të gazetarëve, Bushi u shpreh se pavarësisht se Shqipëria i ka humbur shanset për t’u kualifikuar, kuqezinjtë do të japin maksimumin dhe nuk do të neglizhojnë asnjë nga këto dy ndeshje. 

Nga kjo fushatë eliminatoresh, trajneri shqiptar shprehet i kënaqur me lojën e ekipit, si dhe me dërgimin e disa lojtarëve të këtij ekipi në ekipin A, duke përmbushur kështu me sukses në njëfarë mënyre detyrën, që është furnizimi i Kombëtares A me lojtarë. 

Ai flet edhe për rinovimin e skuadrës për edicionin e ardhshëm, si dhe afrimin e Endri Muhametit në skuadër, apo problemet që ka stafi me lojtarët shqiptarë që kanë lindur jashtë. 

Shqipëria U-21 do të nisë sot nga grumbullimi dhe përgatitjet për dy sfidat eliminatore, fillimisht ndaj Anglisë më 7 qershor dhe më tej, ndaj Kosovës në shtëpi më 13 qershor. 

Cilat janë objektivat tona për këto dy sfida – Për ne nuk ka shumë rëndësi klasifikimi, se sa loja e bukur dhe dërgimi i lojtarëve në ekipin A. Pavarësisht se ne kemi humbur shanset për t’u kualifikuar, motivimi do të jetë në maksimum, sepse ne presim dy muaj një ndeshje dhe asnjëherë nuk mund të tolerojmë duke thënë që janë dy ndeshje pa rëndësi dhe mund të neglizhojmë ose që lojtarët të mos japin maksimumin.

Ne jemi shumë të fokusuar në këto dy ndeshje, njësoj sikur nëse i fitojmë do të kualifikohemi, aq shumë jemi mobilizuar që të bëjmë një paraqitje të mirë. E kuptoj që është fund sezoni dhe lojtarët mund të mos jenë në formën e tyre maksimale, por duhet të kuptojmë që janë të rinj, nuk janë lojtarë si Ronaldo, me 60 ndeshje në vit dhe që kanë nevojë për pushim. Ata kanë nevojë për pak pushim dhe shumë punë. Këtë ua kam transmetuar atyre, pothuajse kam folur me të gjithë, por ua kam thënë që Kombëtarja është shumë e rëndësishme dhe duhet të punoni që të arrini sa më lart sepse është momenti dhe mosha. 

Intepretimi i statistikave të Kombëtares në këto eliminatore – Nëse do u bëjmë analizë teknike lojërave që kemi bërë ne, është e vërtetë që kemi pësuar 13 gola, por kanë qenë pothuajse të gjithë golat gabime individuale. Pra, ti punon dhe ndokush mund të bëjë një gabim individual, siç mund të bëj edhe unë, dhe ti ndëshkohesh.

Jam i kënaqur sepse nuk kemi gabuar në taktikën kolektive, por kemi pasur gabime individuale. E theksoj gjithmonë këtë. Nuk harrojmë golat me Çekinë, që të katërt kanë qenë gabime individuale, por gjithsesi kjo nuk ka shumë rëndësi. Rëndësi ka loja dhe lojtarët që kemi dërguar në ekipin A. Ne kemi bërë shumë mirë në zgjedhjen e lojtarëve, në seleksionimin e tyre. Federata në përgjithësi, e gjithë drejtoria teknike, duke i seleksionuar këta lojtarë jashtë, duke qenë pjesë e moshave, duke ardhur te U-21 dhe më pas në ekipin A. Vetëm në ditët e fundit kemi dërguar 2 lojtarë që Kombëtarja A do t’i ketë për 15-20 vitet e fundit, siç është Broja dhe Asllani. 

Stërvitja e 7 lojtarëve të U-21 me Kombëtaren A – Ne kemi një bashkëpunim shumë të mirë me trajnerin e ekipit A. Unë e falenderoj, sepse mori 7 lojtarë që për ne janë shumë të rëndësishëm që të ishin pjesë e stërvitjes dhe të mbajnë formën, pasi në fillim të muajit maj ata do e kenë mbaruar kampionatin. Reja është shumë i kënaqur nga ata dhe 2-3 prej tyre i mendon që do të jenë pjesë e Kombëtares A në sezonin tjetër. 

Momenti më i mirë i ekipit Shpresa tani me lojtarët që ka? – Besoj që po. Unë nuk e mbaj mend se si kanë funksionuar Shpresat para 15-20 viteve, por nga njerëzit e drejtorisë, siç është edhe z.Mema, me të cilin ne bashkëpunojmë, më ka treguar që ekipi ka shkuar shumë më lart. Është një punë disa vjeçare, sepse futbolli është një proces shumë i gjatë, nuk mund të bësh sot për nesër, është një punë shumë e gjatë që është bërë dhe ekipi Kombëtar nuk ka vetëm Brojën dhe Asllanin që kanë kaluar nga ekipi Shpresat, por ka deri në 70%, Vrioni, Kumbulla etj, të cilët kanë kaluar nga moshat. Jo vetëm kjo, por në përgjithësi futbolli shqiptar ose Federata e Futbollit ka bërë hapa shumë të mëdha. Jo vetëm në organizimin e talenteve, por edhe të eventeve të mëdha siç ishte edhe finalja e Europa Conference League ose vajtja në Europian. Futbolli në Shqipëri ka pasur hapa gjigandë. 

Dy asat e radhës në Kombëtaren U-21? – Të gjithë lojtarët janë premtues. Këtë mund ta themi në përfundim të sezonit dhe duke menduar për sezonin tjetër. Momentalisht ka lojtar, që mendoj që do të jetë në radhët e mbrojtjeve, që do të jetë shumë cilësor dhe që do të bëjë emër në futbollin shqiptar dhe europian. 

Rinovimi i ekipit U-21 pas këtyre dy ndeshjeve – Kemi vetëm tetë lojtarë që aktualisht janë edhe për sezonin tjetër. Pastaj varet edhe nga forma që do të kenë lojtarët. Është e vërtetë ajo që thua, pasi nuk është si sezonin e kaluar që kishim pothuajse 80% të ekipit që luante dhe ishin edhe për këtë edicion, ndërsa tani ndryshe nga ai i kaluar, kemi më pak lojtarë dhe kemi më shumë futbollistë që i mbaron mosha pas dy ndeshjeve. Kemi një listë me lojtarë, por jo si në edicionin e kaluar, me bollëk të kësaj datëlindje. Ka shumë, por cilësorë pak. Ne do mundohemi dhe do punojmë sa më shumë që ata të prezantojnë edicionin tjetër, siç kanë prezantuar ekipin këta futbollistë. 

A ka Bushi një listë me emra të rinj? – E kam një listë me këtë datëlindje, 2002-2003-2004. Shqipëria ka disa emra të vitlindjes 2004 që mund të luajnë me datëlindjen 2002. Janë dy lojtarë shumë të mirë, që edhe Reja i ka në planet e veta, që kanë qenë pjesë edhe e ekipt A, siç janë Mitaj dhe Bajrami që janë datëlindja 2002-2003, që mund të jenë edhe për edicionin e ardhshëm te ne.

Por mbase mund edhe mos t’i kemi, pasi mund të jenë pjesë e ekipit A. Por gjithsesi, kur futemi në lojë, dëshira ime është të fitojmë dhe të kualifikohemi. Por kur mungojnë lojtarët, ekuilibrat prishen, pasi nuk jemi popull i madh. Por kemi bërë mirë në furnizimin e ekipit A dhe rëndësia dhe objektivi i FSHF-së është sa më shumë lojtarë në ekipin A, që mos të ketë probleme në të ardhmen. Ne kemi një ekip tani që Reja ka luksin në sulm, Vrionin, më i miri në Austri, Broja, Uzuni etj. Ka lojtarë shumë cilësorë, që vështirë të bëhet zgjedhja se kush do të luajë. Kjo është një punë shumë e mirë e bërë nga Federata. 

Vështirësi në prurjen e lojtarëve nga jashtë? – Ky problem është hasur së fundmi. Nuk dua të them emra, por me një lojtar shqiptar që luan në Itali në Kategorinë e tretë. Më ka thënë që nuk e ndjen veten shqiptar, por më shumë italian. Gjithsesi, ne do të insistojmë akoma më vonë për ta afruar. Mendoj që edhe Shqipëria është e rëndësishme për të, pasi është shqiptar, pavarësisht se ka lindur dhe është rritur aty. Raste të veçanta ka pasur probleme të tilla. Nga shqiptarët e Kosovës nuk kemi pasur probleme. Edhe ne nuk është se kemi kërkuar, pasi ne kërkojmë më të mirën. Nuk ka pasur ndonjë lojtar cilësor, që ne mund ta afronim. Ka shumë lojtarë shqiptarë në Angli që janë shumë cilësorë, datëlindja 2004-2005 dhe ne do të fokusohemi shumë. 

Afrimi i Endri Muhametit në Kombëtare – Ne jemi një staf i gjerë, kemi një ekip skautësh që janë në të gjithë Europën dhe punojnë për ne. Jemi gjithë kohës në kontakt me ta. Kemi informacion për çdo lojtar shqiptar që luan në kampionatin italian dhe vende të tjera. Kemi kontaktuar me prindërit e tij, kemi kontaktuar me vetë Endrin, një lojtar shumë i mirë dhe cilësor.

Është datëlindje 2004 dhe do të jetë me ne edhe për tre sezone të tjera. Është një lojtar inteligjent dhe ka potencial për t’u bërë lojtar i ekipit A. Ka qenë e thjeshtë, sepse duhet të jemi edhe realistë. Prindërit gjithmonë mendojnë më të madhen për fëmijën e tij, pavarësisht se është Shqipëria apo Italia, por duhet të jemi realistë, se shumë pak lojtarë mund të luajnë në Kombëtaren e Italisë. Siç ishte rasti i Dyrmishaj që shkoi te Greqia njëherë dhe më pas nuk shkoi më. Endri ka zgjedhur Shqipërinë dhe ai është një pjesë e rëndësishme e jona dhe unë e falënderoj për këtë. 

E ardhmja – Momentalisht, jam i fokusuar tek ekipi U-21. E bëj me shumë qejf, me shumë pasion. Ne bëmë mirë edhe në sezonin e kaluar, si asnjëherë më parë morëm pikët maksimale dhe zumë vendin e tretë. Këtë edicion ishim sërish afër kualifikimit, nëse në Slloveni dhe në Kosovë, në dy ndeshjet që luajtëm jashtë do të fitonim, duke pasur edhe lojtarët e ekipit A si Kumbulla dhe Broja, besoj që do të kishim dalë me sukses.

Ëndrra ime është që të kualifikohemi me U-21 në Kampionatin Europian. Nuk është shumë e vështirë, i njoh ekipet, por futbolli është një sport i çuditshëm dhe nganjëherë është sa i bukur, po aq “i keq”. Nëse nuk vlerëson detajet e vogla, aty ku mund të jesh më i madh, mund të marrësh adrenalinën më të madhe dhe aty me një humbje rasti apo një shtyllë jashtë, dështon dhe je më i mërzituri i botës. Futbolli është për t’u shijuar, për sportdashësit dhe për ne. i them edhe futbollistëve, si humbja, si fitorja, sa mbaron ndeshja duhet ta harrojmë, pasi futbolli është i tillë. 

Talentet e rinj – Kam shtatë vite që punoj me fëmijët e vegjël. I drejtoj ata në Akademinë time të futbollit. është e çuditshme zhvillimi i fëmijëve. Mund të ketë talent në moshën 16 vjeç, por nuk zhvillohet talenti në moshën më vonë. Ose ka nga ata lojtarë që ti mendon se nuk bëhen sportistë, siç është rasti i Adolf Selmanit që unë i kam thënë prindërve të tij që është e vështirë të bëhet futbollist pasi ka qenë tek Akademia për dy vite dhe nuk kam parë asnjë cilësi tek ai.

Por tani e marr si shembull, me punën që ka bërë dhe tani është lojtar i Kombëtares U-21 dhe lojtar shumë i rëndësishëm i kampionatit shqiptar. Pra, është nganjëherë e çuditshme se si zhvillohen fëmijët. Mendoj që në Shqipëri ka shumë probleme. Problem i madh janë prindërit, që fëmijët nuk i drejtojnë siç duhet, por kanë maninë ta çuar në ekipe të mëdha dhe jo për të luajtur në Kategorinë e Dytë apo të Parë që më pas të lindë talenti. Federata e Futbollit ka një projekt për të krijuar shkollën e saj, për të pasur lojtarët më cilësorë të Shqipërisë nga të gjitha moshat, nga U-15. Uroj të bëhet sa më shpejt dhe besoj se do kemi më shumë talente në të ardhmen. 

Sport Alban Bushi trajneri i kombëtares U-21