
Broja nuk “shkrep”, Çelsi e mbyll në paqe, Nunjez dhe Alison nderojnë Liverpulin
Çelsi e ka mbyllur në barazim pa gola sfidën ndaj Brentfordit, pas disa fitoresh radhazi. Armando Broja ishte titullar për herë të parë këtë sezon me Blutë e Londrës dhe menjëherë u shndërrua në rrezik për kundërshtarët.
Sulmuesi shqiptar udhëhoqi sulmin e skuadrës së Graham Poter, duke treguar se e meriton një shans. Në minutën e 25, Broja iu afrua shumë golit, teksa provoi me kokë, por nuk e dërgoi dot sferën në rrjetë.
Në minutën e 37, Sezar Azpilikueta tentoi të zgjidhë gjithçka vetë, por gjuajtja e tij u ndal nga portieri David Raja.
Në minutën e 38, Broja fitoi duelin me kundërshtarët, madje dribloi disa mbrojtës, por u tregua më egoist se ç’duhet, duke mos pasuar dhe duke goditur vetë.
Ylli i përfaqësueses kuqezi doli nga loja në minutën e 60, edhe ata që u aktivizuan më pas nuk çanë dot murin e mbrojtjes së Brentfordit.
Liverpuli ka mundur 1-0 Uest Hemin në “Anfield Road”. Ekipit të Klop i mjaftoi goli i Nunjez, ndërsa “The Reds” ishin me fat, pasi në fundin e pjesës së parë Bouen humbi penalltinë.