Sport11 Gusht 2022, 17:23

Brozoviç në infermieri, Kristjan Asllani drejt debutimit si zikaltër në Serinë A

Shkruar nga Pamfleti
Brozoviç në infermieri, Kristjan Asllani drejt debutimit si

Brozoviç në infermieri, Kristjan Asllani drejt debutimit si zikaltër në Serinë A

Në ndeshjen hapëse të sezonit të ri, Interi rrezikon të zbresë në fushë pa Marselo Brozoviç. Kroati ndjen ende shqetësim në pulpën e djathtë dhe po kryen stërvitje të diferencuar, diçka që do të vazhdojë ta bëjë deri paraditen e së shtunës, kur Inzagi do të vendosë mbi aktivizimin ose jo të tij.

29-vjeçari mund ta shikojë debutimin e skuadrës në kampionat nga shtëpia, duke shpresuar se rezultati do të jetë i ndryshëm nga ai i ndeshjeve të sezonit të shkuar, kur Interi nuk ka arritur të marrë asnjë fitore pa të në Serinë A.

Ishte kjo arsyeja që këtë merkato prioritet ishte gjetja e një zëvendësuesi për të dhe jo më kot si klubi dhe stafi teknik kanë këmbëngulur për mbërritjen e Kristjan Asllanit, emri që garanton jo vetëm mbulim të shumë roleve në mesfushë, por është edhe specialist në regji.

Inzagi i ka studiuar cilësitë e tij gjatë fazës përgatitore dhe ka mbetur i mahnitur me atë që 20- vjeçari jep në fushë dhe mbi të gjitha me personalitetin e tij.

“I riu i vjetër” e quajnë në Apiano Xhentile, aty ku kanë konfirmuar se pavarësisht moshës së tij të re, Kristjani mund të përballojë presionin si pak të tjerë.

Jo më kot po shkon drejt një fanele titullari në mungesë të Brozoviçit, me Inzagin që shpreson që elbasanasi të ecë në gjurmët e Lukakut dhe Sensit, që tri vite më parë debutonin ndaj Leçes dhe gjenin golin.

Mbrojtja – Por ndërsa kjo është e vetmja dilemë e mesfushës dhe sulmi i ka tashmë pronarët Lukaku e Lautaro, Inzagi duhet ende t’i bëjë derman mbrojtjes, aty ku pavarësisht se titullarët e padiskutueshëm janë Shkriniar, De Vraj e Bastoni, ky repart ka qenë pika e dobët gjatë miqësoreve të verës.

Me një mesatare prej 2 golash të pësuar për ndeshje në fazën përgatitore, Interi duhet të zgjidhë këtë problem madhor qysh në javën e parë, nëse do që të nisë mbarë rrugëtimin dhe të mos jetë një hap pas në luftën për titull.

Sport Inter Kristjan Asllani