Politike15 Nëntor 2018, 10:57

Brukseli mesazh të prerë politikës shqiptare: Rezultate konkrete në luftën ndaj korrupsionit, nisni sekuestrimin e pasurive

Shkruar nga Pamfleti
Brukseli mesazh të prerë politikës shqiptare: Rezultate konkrete

Brukseli mesazh të prerë politikës shqiptare: Rezultate konkrete në luftën ndaj korrupsionit, nisni sekuestrimin e pasurive

Bashkimi Europian kërkon rezultate akoma më të forta në luftën ndaj krimit dhe korrupsionit në vendin tonë. Dje u mbajt takimi i radhës i Këshillit të Stabilizim Asociimit mes Shqipërisë dhe BE, ndërsa në fund palët dolën me një deklaratë të përbashkët.

Brukseli e ka vënë theksin te tre çështje: Goditja e krimit dhe korrupsionit, realizmi i reformës në drejtësi dhe vendosja e dialogut politik. Në deklaratë bëhet e ditur se BE përshëndet zhvillimet e ditëve të fundit në luftën ndaj krimit, por duhen rezultate akoma dhe më të thella. Po ashtu është kërkuar që të avancohet me reformën në drejtësi, e veçanërisht vetingun.

“BE-ja përsëriti nevojën kritike që Shqipëria të ruajë dhe të thellojë ritmin aktual të reformave, të konsolidojë më tej progresin e bërë në reformën gjyqësore, në veçanti përmes procesit të vetingut, dhe të shënojë rezultate të tjera të prekshme në luftën kundër korrupsionit në të gjitha nivelet dhe në luftën kundër krimit të organizuar, veçanërisht kundër kultivimit dhe trafikimit të drogave, duke pasuruar rezultatet pozitive që janë arritur në luftën kundër kultivimit të kanabisit gjatë kësaj periudhe”, thuhet në deklaratë.

Më tej është bërë e ditur se goditja e grupeve kriminale nuk duhet të ndalet vetëm me arrestimin. BE kërkon dënime dhe sekuestrime të pasurive. “BE përshëndeti operacionet e mëdha të kohëve të fundit në luftën kundër krimit të organizuar të kryera nga Policia e Shtetit shqiptar dhe theksoi se është thelbësore të forcohen përpjekjet për konfiskimin e aseteve kriminale si dhe të garantohet ndjekja e duhur gjyqësore e operacioneve të suksesshme të zbatimit të ligjit. Delegacioni i Shqipërisë ritheksoi angazhimin e fortë për të vazhduar të japë rezultate konkrete në agjendën e reformave dhe në veçanti për çështjet që lidhen me shtrirjen e sundimit të ligjit”, thuhet në deklaratë.

BE mesazh opozitës

Në takim është folur dhe për situatën politike në vend. Vetë shefja e zgjerimit Federica Mogherini në deklaratën që dha për mediat kërkoi dialog. Ndërsa dhe komisioneri Johanes Hahn bëri apel të hapur që opozita të kthehet në Parlament. Por një gjë e tillë është theksuar dhe në deklaratën përfundimtare.

“BE-ja ritheksoi se dialogu konstruktiv ndërpartiak dhe bashkëpunimi në Kuvendin e Shqipërisë janë thelbësorë për përparimin e mëtejshëm të reformave dhe për qëndrueshmërinë e përgjithshme të angazhimit në procesin e integrimit në BE. Në këtë kontekst, BE theksoi rëndësinë e ndjekjes në mënyrë të vazhdueshme të dialogut gjithëpërfshirës politik, ndërkohë që avancohet puna teknike në të gjitha komisionet relevante parlamentare, përfshirë atë në Komitetin ad hoc për reformën zgjedhore. BE nënvizoi nevojën që të gjitha palët të gjejnë konsensusin e nevojshëm për të ndryshuar ligjin mbi statusin e gjyqtarëve, i cili do të mundësojë rekrutimin e një numri më të madh kandidaturash të reja për gjyqtarë”, thuhet në deklaratë.

Më tej është bërë e ditur se rezultatet e arritura nga Shqipëria në fushën e sundimit të ligjit përbëjnë një bazë solide për avancimin e mëtejshëm të integrimit në BE, pasi sipas tyre, ato krijojnë terrenin për punën e mëtejshme që do të kryhet në kuadër të negociatave mbi kapitujt 23 dhe 24. 

Politike Brukseli Korrupsioni lufta ndaj krimit