Politike30 Tetor 2018, 09:17

Brukseli nis goditjen e politikanëve, urdhër të prerë Parlamentit për arrestimin e deputetëve, vihet në lëvizje Ruçi

Shkruar nga Pamfleti
Brukseli nis goditjen e politikanëve, urdhër të prerë

Brukseli nis goditjen e politikanëve, urdhër të prerë Parlamentit për arrestimin e deputetëve, vihet në lëvizje Ruçi

Bashkimi Europian kërkon të nisin sa më shpejt goditjet në nivele të larta sa i takon luftës kundër korrupsionit. Në qershor Brukseli vendosi dy detyra kryesore: ngritjen e SPAK dhe luftën ndaj korrupsionit në nivele politikanësh, shkruan ‘Sot’.

Por teksa për të dyja këto kërkesa nuk ka pasur zhvillime, duket se është rritur presioni ndaj politikës shqiptare. BE ka kërkuar nga Parlamenti që të miratojë sa më shpejt rregulloren e re, ku një hapësirë e madhe i kushtohet pikërisht arrestimit të deputetëve. Në fillim të këtij viti deputeti Taulant Balla propozoi ndryshim të rregullores sa i takon arrestimeve.

Por kjo lëvizje solli reagime të forta politike dhe për këtë arsye u la pezull. Por gjatë gjithë këtyre muajve ekspertët e huaj dhe deputetët e Komisionit të Ligjeve kanë punuar dhe shumë shpejt rregullorja do shkojë në seancë. Debatet për këtë çështje ka pasur në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve më datë 11 tetor, pasi kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi ka kërkuar që të mos ketë asnjë vonesë me rregulloren, pasi është kërkesë e BE për hapjen e negociatave.

“Për Rregulloren e Kuvendit, tu shpërndahet të gjithëve, por në mënyrë të veçantë kryetarëve të Komisioneve dhe Grupeve Parlamentare dhe relatorët përkatës janë miratuar me sugjerimin që deri në këtë kohë…, të caktohet një kohë për të sjellë komentet e tyre. Pavarësisht merr pjesë apo nuk merr pjesë opozita në komisione apo seanca, Rregullorja është e Kuvendit, kështu që ne do të jemi disponibël, pastaj marrin pjesë apo nuk marrin pjesë, është e drejta e tyre.

Ne duhet ta miratojmë Rregulloren sipas afateve që kemi të parashikuara në planin e veprimit të Kuvendit për zbatimin e rekomandimeve të Komisionit Evropian në progres-raportin e fundit”, ka thënë Ruçi. Kuvendi ka parashikuar që rregullorja të miratohet brenda nëntorit dhe sinjalet janë se ndërkombëtarët po bëjnë gati terrenin që arrestimet të zbresin dhe në Parlament.

Propozimet e BE

Por ndryshe nga sa kishte propozuar PS, kjo rregullore do pësojë ndryshime akoma dhe më shumë. Një gjë e tillë është bërë e ditur nga nënkryetarja e Kuvendit Vasilika Hysi, e cila ka kërkuar më shumë kohë me qëllim shqyrtimin e rekomandimeve. “Numri i sugjerimeve që duhet të reflektohen në Rregullore është shumë i madh, pasi nuk është thjesht reflektim i paketës së ndryshimeve kushtetuese, por nga projekti IPA (BE) kanë ardhur një sërë rekomandimesh, të cilat janë gati 55 fletë, në mos gaboj, që ka shumë rekomandime për Rregulloren.

Duhet më shumë kohë që të punohet dhe stafi i Kuvendit ka punuar, i ka draftuar, por do ishte mirë që ato të konsultoheshin, sepse kanë të bëjnë me angazhimin e vendit në kuadrin e Integrimit Europian, kanë të bëjë me kontrollin parlamentar, kanë të bëjnë me menaxhimin e brendshëm të punës së stafit”, tha ajo.

Reforma në drejtësi

Përveç miratimit të rregullores së re, ndaj Kuvendit ka ardhur dhe një kërkesë tjetër e ndërkombëtarëve. Momentalisht kanë mbetur pezull një sërë ligjesh të rëndësishme. Për këtë arsye BE ka kërkuar që të mbyllen sa më shpejt dhe ky ultimatum u është dhënë krerëve të komisioneve nga Ruçi.“Komisioni i Ligjeve, si komision përgjegjës për projektligjet e reformës në drejtësi të përshpejtojë punën për të mbyllur shqyrtimin e projektligjeve të depozituara, me qëllim kalimin sa më shpejt në seancë plenare për miratim”, tha Ruçi në Konferencën e Kryetarëve. Pra, teksa politika shqiptare po zvarrit procedurat e reformës, BE është vënë në lëvizje dhe kërkon që të mbyllet gjithçka sa më shpejt. 

Politike Brukseli krimi politikanet e korruptuar