
Brukseli, përpjekje për të nxitur sërish Ballkanin
Ata që mbrojnë hapjen e negociatave me dy vendet e Ballkanit argumentojnë se kjo do të bëjë të mundur që BE të ketë një ndikim të fortë në krahun juglindor përballë konkurrencës nga fuqitë e tjera, përfshirë Rusinë, Kinën dhe Turqinë. Dy shtete të tjera të Ballkanit – Serbia dhe Mali i Zi – tashmë janë angazhuar në bisedimet e anëtarësimit prej disa vitesh.
Skruan Jacopo Barigazzi
Për të dytin vit me radhë, Komisioni Evropian i bëri thirrje BE-së që të hapë dritën jeshile Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për negociatat e anëtarësimit. Komisioni argumentoi të mërkurën se afrimi I Tiranës dhe Shkupit më pranë BE-së do ta bënte si rajonin e paqëndrueshëm të Ballkanit, ashtu edhe vetë Bashkimin Evropian, më të qëndrueshëm.
Por argumentet e Komisionit nuk i bindën të gjitha vendet anëtare të BE-së vitin e kaluar. Franca dhe Holanda ia dolën të bllokonin fillimin e bisedimeve. Dhe është shumë e qartë se rezultati do të jetë ndryshe këtë herë.
Federica Mogherini, shefja e politikës së jashtme të BE-së, e ka cilësuar vendimin me të cilin përballen qeveritë e BE-së si një çështje të kredibilitetit të bllokut. Ajo vuri në dukje se BE-ja e ka bërë të qartë perspektivën e negociatave të anëtarësimit, me kushtin që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të ndërmarrin reforma për të forcuar demokracinë dhe sundimin e ligjit dhe tha se të dy vendet e kanë respektuar këtë kusht.
“Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë treguar vendosmëri në përparimin e tyre në rrugën e BE-së dhe kanë arritur rezultate konkrete dhe këto duhet të jenë të pakthyeshme”, tha Mogherini.
“Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë bërë pjesën e tyre të punës, tani është radha e Bashkimit Evropian për të përmbushur pjesën e vet.”
Ata që mbrojnë hapjen e negociatave me dy vendet e Ballkanit argumentojnë se kjo do të bëjë të mundur që BE të ketë një ndikim të fortë në krahun juglindor përballë konkurrencës nga fuqitë e tjera, përfshirë Rusinë, Kinën dhe Turqinë. Dy shtete të tjera të Ballkanit – Serbia dhe Mali i Zi – tashmë janë angazhuar në bisedimet e anëtarësimit prej disa vitesh.
Por skeptikët, të udhëhequr nga Franca, argumentojnë se BE-ja nuk duhet ta mendojë zgjerimin derisa të reformohet, në mënyrë që të qeverisë veten në mënyrë më eficiente. Kritikët gjithashtu e kanë vënë theksin te korrupsioni, krimi i organizuar dhe varfëria që ka pllakosur në vendet e Ballkanit pas luftërave të viteve 1990 dhe shqetësohet se zgjerimi do t’i importojë shumë prej problemeve të tyre në BE.
Në një takim të ministrave të BE-së në Luksemburg qershorin e kaluar, shumica e vendeve anëtare argumentoi në favor të hapjes së negociatave të anëtarësimit me Tiranën dhe Shkupin. Por kundërshtarët e këtij qëndrimi, në krye të të cilëbve janë Parisi dhe Haga, me mbështetjen e Danimarkës, bënë që kjo çështje të shtyhej për një vit, pasi vendimet për zgjerimin kërkojnë unanimitet.
Një takim tjetër i Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE më 18 qershor duket sikur mund të përfundojë në të njëjtën mënyrë – me një shtyrje, të paktën për një ose dy muaj, nëse jo më gjatë.
Deri më tani, Parisi nuk ka treguar shenja të ndryshmit të qëndrimit. Përkundrazi, Nathalie Loiseau, ish-ministre e Europës në Francë, gjatë fushatës zgjedhore për Parlamentin Europian e përsëriti qëndrimin kundër hapjes së negociatave për këto dy vende. Loiseau, e cila ka kryesuar listën e kandidatëve për eurodeputetë të partisë së presidentit Emmanuel Macron, e ritheksoi këtë qëndrim të prerë edhe javën e kaluar në Tëitter.
Një diplomat i BE-së, i përfshirë në procesin e zgjerimit, tha se shumë në Bruksel kishin menduar se Franca do të zbuste qëndrimin e saj pas zgjedhjeve. “Por pas këtij postimi në Tuiter nga Loiseau, po filloj të mendoj se kjo nuk do të ndryshojë”, tha diplomati.
Gjermania, përkundrazi, ka marrë një rol udhëheqës në Ballkan nën kancelaren Angela Merkel dhe është më e hapur për mbështetjen e bisedimeve të anëtarësimit në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, e cila ndryshoi emrin këtë vit, sipas një pakti që i dha fund një mosmarrëveshjeje të gjatë me Greqinë dhe që i hap asaj rrugën drejt anëtarësimit në NATO dhe BE.
Por edhe Berlini mund të shkojë drejt një vendimi të qartë të qartë deri në mbledhjen e 18 qershorit.
Me shpresën se do të shmanget kthimi i zgjerimit në një çështje fushate dhe duke u përballur me presionin nga Parisi, sipas dy diplomatëve, Komisioni e vonoi publikimin e vlerësimeve vjetore të aspirantëve për anëtarësim, deri pas zgjedhjeve evropiane. Por ky vendim nënkupton që Bundestagut, i cili duhet të thotë fjalën e vet për çdo vendim në lidhje me zgjerimin, nuk i mbetet të gjykojë dhe të japë opinionin e tij para takimit.
Nëse në mbledhjen e qershorit nuk arrihet një vendim, diplomatët thonë se çështja mund të përfundojë në axhendën e një samiti të liderëve të BE-së më vonë gjatë qershorit ose në një mbledhje tjetër të ministrave në korrik.
Megjithëse Franca dhe Gjermania kanë qëndrime të ndryshme në lidhje me këtë çështje, diplomatët thonë se nuk pritet që ajo të shkaktojë ndonjë përplasje të hapur midis dy fuqive më të mëdha të BE-së.
“Unë ia kisha frikën një skenari të tillë, por tani nuk ia kam më”, tha një diplomat i lartë i BE-së, i cili vuri në dukje se Macron dhe Merkel kanë diskutuar lidhur me çtensionimin e Ballkanit gjatë samitit të Berlinit në prill.
Nëse negociatave të zgjerimit, përfundimisht u hapet drita jeshile, kjo mund të mos jetë njësoj për të dyja vendet. Ndërsa Maqedonia e Veriut ka fituar shumë pikë me marrëveshjen që arriti me Greqinë, trazirat politike të kohëve të fundit në Shqipëri i kanë dhënë Parisit një arsye të re për t’i thënë jo Tiranës. /Politico.eu, përshtati në shqip, TemA