Bota 6 Prill 2022, 17:03

Brukselin apo Moskën? Kë zgjodhi Vuçiçi dhe çfarë u arrit nga biseda me despotin e Kremlinit

Shkruar nga Pamfleti
Brukselin apo Moskën? Kë zgjodhi Vuçiçi dhe

Brukselin apo Moskën? Kë zgjodhi Vuçiçi dhe çfarë u arrit nga biseda telefonike me despotin e Kremlinit

Me Brukselin apo Moskën? Është kjo pyetja që torturoi Aleksandër Vuçiçin gjatë zgjedhjeve në Serbi, ndërsa në Ukrainë ‘vlonte’ lufta. Megjithatë, mungesa e një presioni nga SHBA apo BE i krijoi Presidentit serb  hapësira që të lundrojë në ujëra të qeta edhe për pak kohë, duke zgjedhur Perëndimin me sytë nga Lindja.

Të paktën në këtë konkluzion kanë arritur sot palët, teksa gjatë një lidhje telefonike Putini i uroi vëllait të vogël ballkanik fitoren në zgjedhjet presidenciale, duke thënë me bindje se Serbia dhe Rusia do të ruajnë marrëdhëniet miqësore.

Në të njëjtën linjë ka qenë edhe Vuçiçi, i cili bëri me dije se Serbia do të vazhdojë të ndjekë rrugën europiane, duke ruajtur marrëdhëniet e sinqerta, tradicionale e miqësore me Federatën Ruse.

Mediet serbe raportojnë se, në bisedën telefonike, dy presidentët kanë analizuar situatën ekonomike dhe raportet dypalëshe në fushën e energjisë dhe tregtisë.

“Presidenti Vuçiç e njoftoi Putinin për vështirësitë, me të cilat po përballet Serbia gjatë importit të naftës së papërpunuar dhe shprehu besimin se udhëheqja e Gazpromneftit dhe Republikës së Serbisë, si dhe partnerët e BE-së, do të gjejnë një rrugëdalje nga situata e tillë”, thuhet në njoftimin e Presidencës serbe.

Po ashtu, Vuçiçi dhe Putini kanë diskutuar për kontratën afatgjate për furnizim me gaz me Serbinë, që skadon më 31 maj të këtij viti, duke nënvijëzuar se palët duhet të nisin shumë shpejt bisedimet për çmimin, sasinë dhe kushtet e tjera.

Në fund, Putini e njoftoi Vuçiçin për ngjarjet në Ukrainë dhe arsyet pse ai nisi pushtimin e shtetit fqinj, apo siç e quan Putini “operacion të posaçëm”. Vuçiçi ka përsëritur qëndrimet serbe dhe konkluzionet e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, duke thënë se shpreson që konflikti në Ukrainë të përfundojë sa më shpejt që të jetë e mundur.

Rajoni Brukseli Moska Putin