Ekonomi 1 Shkurt 2023, 16:31

BSH nuk ndryshon normat e interesit, Sejko: Pritet ulje e nivelit të inflacionit

Shkruar nga Pamfleti
BSH nuk ndryshon normat e interesit, Sejko: Pritet ulje e nivelit të

Banka e Shqipërisë ka vendosur të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, e cila do mbetet në nivelin e 2.75%. Në një konferencë për mediat, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko u shpreh optimist se do të ketë një ulje të inflacionit përgjatë këtij viti dhe në vitin 2024 do kthehet në normalitet.

Përditësimi i parashikimeve, rikonfirmon se inflacioni do rikthehet në objektiv në muajt e parë të vitit 2024. Inflacioni i çmimeve erdhi në rënie gjatë 2 muajve të fundit në vitin 2022. Norma e inflacionit zbriti në 7.4%. Rënia e inflacionit pasqyroi rënien e çmimit të naftës dhe disa produkteve ushqimore.

Aktiviteti ekonomik vijoi të rritet gjatë gjysmës së vitit 2022. Rritja ekonomike u mbështet nga zgjerimi i aktivitetit të shërbimeve dhe ndërtimit, ndërsa sektori i bujqësisë mbeti i pandryshuar. Rritja ekonomike u ushqye nga rritja e konsumit familjar. Punësimi u rrit me 4.2%, papunësia ra në 10.6%”, tha Sejko.

Sipas tij, ecuria pozitive e tregut të punës tregon premisa për qëndrueshmërinë në të ardhmen. Ai shtoi se normat e interesit të depozitave bankare ka ardhur në rritje. Ndërsa kredia private, ndonëse në ngadalësim, ka ardhur në norma pozitive.

Inflacioni do të bjerë gradualisht në vitin 2023. Ekonomia shqiptare pritet të vijojë të rritet, ndërsa treguesit financiar do qëndrojnë në kontroll. Rënia e inflacionit do pasqyrojë rënien e inflacionit në tregjet ndërkombëtare. Rritja ekonomike e vendit mbetet në territor pozitiv, e ushqyer nga bilancat pozitive të tregut privat. Ritmi i rritjes ekonomike pritet në një ngadalësim të lehtë në vitin 2023. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin e 2.75% dhe të mbajë të pandryshuar normën e interesit të kredisë 1 ditore 3.75%, normën e interesit të depozitës 1 ditore në nivelin e 1.75%. Këshilli Mbikëqyrës konfirmon se presionet e larta inflacioniste mbeten rreziku kryesor për rritjen e ekonomisë së vendit”, tha ai.

Ekonomi bsh inflacioni normat e interesit Sejko