Aktualitet 6 Maj 2018, 06:43

Bukë dhe cirk

Shkruar nga Pamfleti
Bukë dhe cirk

Bukë dhe cirk

“Njerëzit që dikur kërkonin komanda, konsuj, legjione dhe gjithë të tjerat, tani nuk fusin më hundët dhe kërkojnë vetëm dy gjëra: bukë dhe cirk!” .Vëmendja është burimi parësor i politikës – dhe cilido që kontrollon vëmendjen tonë, do të kontrollojë shekullin 21.

Shkruan André Dao

Për pothuaj 500 vite, qytetarët e Romës i zgjidhnin udhëheqësit e tyre. Strukturalisht, demokracia romake ishte në fakt më patrice se sa populiste – shumë prej zyrave më të larta u rezervoheshin atyre që vinin nga aristokracia, të cilët pretendonin se paraardhësit e tyre vinin nga vetë krijuesit e Romës.

Por në praktikë, plebejtë – qytetarët e zakonshëm – mbanin, të paktën kolektivisht, pushtet vendim-marrës mbi Republikën romake, sidomos në momente të rëndësishme historike. Pushteti i plebejve nuk ishte asnjëherë më i dukshëm, se sa kur ata refuzonin të luftonin për patricët – në fund të fundit, çfarë ishte republika pa legjionet e veta?

Në kohën kur Juvenali shkroi “Satirat” e tij, rreth vitit 100, Jul Çezari kish kohë që kish kaluar Rubikonin me ushtrinë e tij, dhe fuqia e plebejve – bashkë me Republikën – nuk ishte më. Në vend të saj ishte Perandoria Romake, dhe në vend të pushtetit, njerëzit kishin panem et circenses – bukë dhe cirqe.

Nuk ka dyshim se, cirku që Juvenali kishte në mendje ishte Koloseu, i cili qe ndërtuar vetëm 20 vite para se ai të shkruante Satirat. Eshtë një prej imazheve më jetëgjata të Romës: amfiteatri më i madh që është ndërtuar ndonjëherë, i mbushur me dhjetëra-mijëra qytetarë romakë të veshur me toga dhe të etur për gjak, ndërkohë që poshtë në rërë gladiatorët, skllevërit dhe kafshët ekzotike luftonin deri në vdekje për të argëtuar qytetarët.

Por spektakle të tilla nuk ishin thjeshtë dëfrim. Domethënia e tyre më e madhe është e përmbledhur në një prej performancave të para të Koloseut: rivënia në skenë e betejave të famshme nga e kaluara e Romës. Këto kishin për qëllim t’i kujtonin audiencës lavdinë e Perandorisë – dhe si pasojë, lavdinë e të qënit një qytetar i Romës. Në të vërtetë, Perandoria Romake e kësaj epoke përfshinte pjesën më të madhe të botës së njohur. Siç shkruante Virgjili, Roma ishte “një perandori pa fund”.

Nëse rivëniet në skenë prej gladiatorëve të pushtimeve romake ishin një kujtesë e lavdisë së Romës, qëllimi i vërtetë ishte të vendosej dhe konsolidohej pushteti i perandorit. Se sa thelbësore ishte kjo, mund të vihet re në mbishkrimin në varrin e Perandorit August – ai është praktikisht një listë e gjatë e gjithë parave që perandori shpenzoi për qytetarët e tij, 600 milionë denarii të argjendtë në total: për rrugë, toka, dhe grurë – domethënë bukë – por mbi të gjitha, për pushtime ushtarake dhe i sollën lavdi Perandorisë dhe qytetarëve të saj. Dhe ishin ato fitore – në Spanjën e sotme, Zvicër, Afrikën veriore dhe Lindjen e Mesme – që po ripërjetoheshin në Kolose, si argëtim.

 

Do të ishte mirë të mendonim se në demokracitë tona moderne, spektakle të tilla nuk do të ishin më të nevojshme. Nëse buka dhe cirku në kohën e Juvenalit kishin për qëllim të kompensonin njerëzit për humbjen e pushtetit prej tyre, atëherë ne – votuesit – nuk kemi nevojë për kompensim. Apo jo?

Po atëherë, si mund ta shpjegojmë sasinë e pafund të parave dhe kohën e shpenzuar për aktivitete madhore, si Lojërat Olimpike dhe Kupa e Botës në Futboll? Vlerësimet më të fundit na thonë se Olimpiada e 2016 në Rio de Janeiro kushtoi të paktën 13.1 miliard dollarë – që duket pak, po ta krahasosh me 220 miliard dollarët që Katari do të shpenzojë për Kupën e Botës 2022.

Edhe më shqetësuese është kostoja njerëzore. Human Rights ëatch vëren se qindra punëtorë imigrantë vdesin çdo vit në Katar, për shkak të kushteve të këqia të punës dhe nxehtësisë ekstreme. Kostoja e madhe e ekstravagancës nuk është paralelja e vetme me Romën e lashtë.

Ashtu si rivëniet në skenë prej gladiatorëve të betejave të famshme, aktivitetet sportive janë shanse për lavdi kolektive. Kaq gjë është e dukshme prej dy zakoneve të botuesve të gazetave:   shenjimi i medaljeve të arit dhe shtimi oportunist i përemrit “yni” prapa emrit të fituesve. Një skanim i shpejtë i mediave gjatë një aktiviteti madhor zbulon një tjetër pasojë serioze të fiksimit tonë pas sportit – ai merr pothuaj gjithë oksigjenin.

Faqet e para që përndryshe do i kushtoheshin çështjeve shtetërore, zihen me ndeshjet e një nate më parë. Dhe atje ku politikanët – lëre më shkrimtarët apo filozofët! – e dinë se që të sigurojnë mbulim mediatik, duhet të thonë diçka kontroverse, sportistëve u jepen rregullisht minuta të vyera, për të thënë gjëra krejt të zakonshme.

Sigurisht, pikërisht kjo është ideja. Ne kemi vëmendje të kufizuar pë të ofruar. Dhe lavditë e dëfrimeve sportive premtojnë kënaqësi shumë më të shpejtë, për çmimin e vëmendjes sonë, se sa mekanika e pushtetit politik.

Megjithatë, ka edhe një mënyrë më moderne – dhe më shqetësuese – për të kuptuar “bukën dhe cirkun”. Dhe kjo është ta shohësh vetë politikën, si cirkun më të madh në qytet. Tingëllon si kontradiktë (si mundet politika të shpërqëndrohet nga vetvetja?), deri kur bëjmë një dallim, mes politikës në mënyrën si paraqitet në kanalet e lajmeve – një lojë e pafundme intrigash dhe personalitetesh, e mbushur me pantomima heronjsjh dhe të ligjsh – dhe politikës si e kupton një filozof, që është në fund të fundit, shqetësimi për shëprndarjen e duhur të burimeve dhe pushteteve të një shoqërie. Me një fjalë, merak për drejtësinë.

Askund nuk shfaqet më hapur politika si dëfrim, se sa në fiksimin pas të dhënave të sondazheve, përllogaritjen e imtësishme të “shtigjeve drejt fitores”, të kthesave të forta që nevojiten për të fituar. Kjo është politika e reduktuar në një lojë, e shoqëruar me shanset (bastexhinjtë do të vinin me gëzim baste, jo vetëm mbi rezultatin e zgjedhjeve, por jetëgjatësinë e udhëheqësve të partisë, apo konfigurimin e një kabineti të ri), një lojë që shërben për t’u shpërqëndruar nga politika si drejtësi, si dhe idetë që supozohet se duhet të jenë në themel të garës për pushtet.

Një konkluzion interesant për zbrazëtinë që po pëson politika, është se aktivitetet sportive janë shumë shpesh arenë për ide mbi drejtësinë: qoftë kjo pagë e barabartë për gratë, apo luftë ndaj racizmit dhe homofobisë.

Duke parë mungesën e hapësirës për ide tek politika si argëtim, sid he sasinë e madhe të vëmendjes që i kushtojmë sportit, në një farë drejtimi kjo ka kuptim. Por sa kohë që nuk arrijmë të sigurojmë hapësirë për idetë mbi drejtësinë në politikë, deklaratat politike në kontekste sportive do të jenë pak a shumë si vlerësimi që Makbethi i bën jetës – shumë zhurmë dhe tërbim, por pa asnjë domethënie.

Siç ka thënë tekno-sociologu Zeynep Tufekci, vëmendja është burimi parësor i politikës – dhe cilido që kontrollon vëmendjen tonë, do të kontrollojë shekullin 21. Tufekci po fliste në kontekstin e mediave sociale dhe aftësisë së kompanive të motorrëve të kërkimit, për të devijuar vëmendjen tonë, në mënyra që u sjellin atyre më shumë fitime nga reklamuesit.

Por ideja e Tufekci mbi rëndësinë e vëmendjes ka zbatime më të gjera.

Vëmendja është një burim i kufizuar. Por ajo është edhe shumë e rëndësishmë për fuqinë tonë prej plebejsh: të drejtat tona demokratike janë të dobishme vetëm në agregat, që do të thotë se për të realizuar ndryshime domethënëse, ne duhet që kolektivisht t’i kushtojmë vëmendje të njëjtave gjëra, për një periudhë të gjatë kohe.

Fatkeqësisht, vëmendja e zgjatur tek ngjarjet sportive, sado të lavdishme apo dëfryese, na e shkëput vëmendjen nga çështje të politikës dhe drejtësisë. Edhe kur këto ngjarje sportive përdoren për të amplifikuar zërat e protestës, ato mund te jenë vetëm kolona orientuese për destinacionin tonë të vërtetë. Në një moment do të duhet ta fiksojmë vëmendjen përtej cirkut, drejt pushtetit dhe politikës që ndodhen nën të. / Bota.al

Forum André Dao bukë cirk