Bota22 Qershor 2022, 16:56

Bullgari, mazhoranca e re shtyn seancën për heqjen e VETO-s ndaj RMV-së: Ta propozojë kryeministri, pastaj e shqyrtojmë!

Shkruar nga Pamfleti
Bullgari, mazhoranca e re shtyn seancën për heqjen e VETO-s ndaj

Bullgari, mazhoranca e re shtyn seancën për heqjen e VETO-s ndaj RMV-së: Ta propozojë kryeministri, pastaj e shqyrtojmë!

Mbledhja e Komisionit për Politikë të Jashtme në Bullgari, e cila do të mbahej për shqyrtimin e heqjes së vetos së Maqedonisë së Veriut është shtyrë. Vendimi u ndërmor pas propozimit të deputetit Stanislav Angelov, dhe pati mbështetjen e GERB-it, “Ka një popull të tillë” dhe “Vazrazhdane”.

Deputetët vendosën të mos e dëgjonin ministren e Jashtme, Teodora Genchovska, e cila duhej t’i njihte me përmbajtjen e protokollit midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, miratimi i së cilës shkon një hap më afër heqjes së vetos bullgare.

“Ju po përpiqeni ta fshihni këtë diskutim nga qytetarët bullgarë dhe do të merrni atë që meritoni, sepse po përpiqeni pas shpine të tyre të merrni vendime me rëndësi kyçe për politikën bullgare”– i tha shumicës së komitetit Christian Vigenin, raporton dnevnik.bg.

Deputetët e GERB dhe MRF insistuan që një vendim për rastin e Maqedonisë së Veriut duhet të propozohet nga kryeministri Kiril Petkov dhe më pas të kalojë në Komision. Po ashtu, kërkuan që pasi propozimi i kryeministrit për diskutimin e VETO-s të miratohet në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, atëherë ministrja e Jashtme Teodora Gençovska do të thirret për seancë dëgjimore në grupin parlamentar.

Bullgaria ka pranuar të diskutojë parimisht sot propozimin e depozituar nga kryeministri për heqjen e vetos ndaj Maqedonisë së Veriut duke rizgjuar shpresat e Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Evropian. Lajmin e bëri me dije komisioneri për Zgjerimin në BE, Oliver Varhelyi, i cili falenderoi liderin e Opozitës Boyko Borisson për marrjen parasysh të propozimit francez për të zgjidhur ngërçin që pengon integrimin e Shqipërisë në BE.

Rajoni Bullgari Maqedoni e Veriut