Aktualitet14 Nëntor 2022, 17:25

Buxheti 2023, Kuvendi përmbush kërkesat e institucioneve të drejtësisë

Shkruar nga Pamfleti
Buxheti 2023, Kuvendi përmbush kërkesat e institucioneve të

Institucionet e drejtësisë dhe institucione të tjera të pavarura kanë përfituar shtesë fondi për buxhetin e vitit të ardhshëm në shumën totale 1.26 miliardë lekë, kryesisht dedikuar investimeve në Këshillin e Lartë Gjyqësor, Ministrinë e Drejtësisë dhe Prokurorinë e Posaçme, SPAK.

Gjatë miratimit të projekt-buxhetit nen për nen në Komisionin e Ligjeve të hënën, deputetët votuan pro rritjes së buxhetit për 18 institucione të pavarura.

Pjesën më të madhe të këtyre fondeve e përfitoi Këshilli i Lartë Gjyqësor me 481 milionë lekë për investime, nga të cilat 47 milionë për studim-projektim gjykatash, që lidhet me zbatimin e hartës së re gjyqësore dhe 434 milionë për sistemin e ri të menaxhimit të çështjeve gjyqësore ICMIS dhe projektin e sigurisë në gjykata.

Kryetarja e KLGJ-së, Naureda Llagami, gjatë diskutimit në parim të projekt-buxhetit kishte shprehur pakënaqësi me buxhetin e parashikuar nga qeveria për sistemin gjyqësor, duke e cilësuar atë 6 herë më të vogël se ai që ishte kërkuar dhe se kishte lënë jashtë vëmendjes zbatimin e hartës së re gjyqësore.

Këshillit të Lartë të Prokurorisë  iu akordua 10 milionë lekë për të punësuar 13 persona staf shtesë dhe 18 milionë lekë për shpenzime operative.

Për Prokurorinë e Përgjithshme u miratua shtesa prej 110 milionë lekësh e ndarë në tre zëra; investimet për sistemin CAMS, një software për dixhitalizimin e punës, projekte ndërtimi dhe rikonstruksioni  të disa godinave dhe shpenzime për ekspertë mjeko-ligjorë të akteve të ekspertimit të zjarreve.

Komisioni miratoi dhe një shtesë për SPAK-un në vlerën 17.4 milionë lekë për investime të dedikuara për blerje pajisjes speciale hetimore dhe ruajtjen e sigurisë së godinës, si dhe pranoi shtimin e strukturës me 15 punonjës pa efekt financiar shtesë në fondin e pagave për këtë institucion.

“Ligjet” pranuan dhe kërkesën e Ministrisë së Drejtësisë për një fond shtesë prej 420 milionë lekësh për investime; ngritjen e institutit të të miturve, dixhitalizim arkivash dhe mirëmbajtën e sistemit elektronik të përmbarimit gjyqësor.

Për institucionet e tjera të drejtësisë u miratuan gjithashtu fonde shtesë në shifra më të vogla. Kështu Inspektorati i Lartë i Drejtësisë mori 26 milionë  për investime në dixhitalizim dhe paga për punonjës shtesë.

Nga institucionet e vetingut vetëm Kolegji i Posaçëm i Apelimit mori shtesë 15 milionë për mallra dhe shërbime mbi fondin e parashikuar nga qeveria.

Kuvendi u tregua dorëlëshuar dhe me disa institucione të tjera të pavarura; Komisioneri për të Drejtën e Informimit mori 13.5 milionë, Inspektoriatin e Deklarimit të Pasurive 32 milionë, për Autoritetin e Dosjeve 30 milionë dhe 35 milionë shtesë për Presidencën.

Gjatë dëgjesave në komision një pjesë e mirë e drejtuesve të këtyre institucioneve u ankuan se pavarësisht se Kuvendi ua ka miratuar fondin e kërkuar për vitin 2022 qeveria ua ka ndërprerë me akt normativ gjatë vitit. Ata kërkuan që kjo praktikë të mos përsëritet pasi cenon pavarësinë dhe funksionimin e tyre. /BIRN

Aktualitet Buxheti drjtesia