Aktualitet 6 Nëntor 2022, 00:25

Buxheti i pasigurisë

Shkruar nga Pamfleti
Buxheti i pasigurisë

Foto Ilustruese

Pas thuajse 10 vjet në krye të vendit, është thuajse e pamundur të përmbledhësh, në pak fjalë, idetë apo filozofinë ekonomike e fiskale të qeverisë së vendit. Çdo masë e promovuar në një moment të caktuar kohe duket se rrëzohet pak vite më pas.

Çdo ide që duket e tejkaluar apo e refuzuar, mund të rikthehet në një buxhet të mëpasshëm. Ndryshime të përkohshme, të justifikuara për periudha të shkurtra tranzitore, duket se kthehen të përhershme, edhe kur kushtet ekonomike nuk janë më. E vetmja konstante e qëndrueshme dhe e vazhdueshme në hartimin e projektbuxheteve shqiptare duket se mbetet pasiguria dhe mungesa e qëndrueshmërisë.

Në fushatën elektorale të vitit 2021, përfaqësuesit e qeverisë premtuan kthimin e Shqipërisë në një lloj parajse fiskale për shqiptarë e të huaj. Çdo lloj takse, akcize, apo detyrimi tatimor do të shkurtohej në nivele minimale, ose do të eliminohej fare.

Për të qenë të sinqertë, kjo tendencë premtimesh u vu re edhe në forcat e tjera politike. Sado e pamundur të dukej kjo në realitet – edhe nëse eliminohen të gjitha investimet publike, qeveria duhet të paguajë shërbime shoqërore, shëndetësore dhe paga për një pjesë të madhe të popullsisë – përfaqësuesit politikë ishin të bindur në premtimet e tyre.

Por, pa kaluar pak muaj nga mbyllja e periudhës zgjedhore, u vu re menjëherë se premtimet do t’i mbeteshin së shkuarës dhe matematika fiskale do të fillonte të mbizotëronte.

Fillimisht, duke përdorur edhe institucionet ndërkombëtare, qeveria nisi të promovonte idenë e rritjes së të ardhurave – një teknikë e vjetër kjo e qeverive shqiptare kur kërkojnë të ruhen nga presionet publike. Ideja është kthyer në realitet në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm, ku parashikohen thuajse 150 milionë të ardhura shtesë të mbledhura nga taksapaguesit.

Ende nuk është tërësisht e qartë se cilat do të jenë burimet e këtyre të ardhurave, por prezantimet e deritanishme tregojnë një burim kryesor: shtresën e mesme profesioniste të vendit. Ata që shpesh njihen si të “vetëpunësuar”, kryesisht profesionistë që ushtrojnë zanatin në biznese personale e që njihen kudo si burimi kryesor i zhvillimit, janë tani nën lupën e tatimorëve, si burimi nga ku duhet të mbushen arkat e boshatisura të shtetit shqiptar.

E gjitha kjo nuk është vetëm në kundërshtim me premtimet e pak muajve më parë – apo dhe të fushatave të viteve 2013 e 2017 – por edhe me teoritë më tradicionale makroekonomike. Të përballuara me një krizë inflacioni dhe ulje kërkese, shumica e vendeve po përpiqen të përdorin politikën monetare, nëpërmjet normave të interesit, për të kontrolluar problemin e parë, duke ruajtur hapësirë fiskale për të ndihmuar qytetarët, nëse problemi i dytë materializohet me recesion.

Ndërmjet premtimeve për ta kthyer Shqipërinë në një vend konkurrues me barrë fiskale të ulët dhe buxheteve që synojnë rritjen e të ardhurave, është e kuptueshme që biznese dhe individë ndihen të pasigurt të investojnë apo të planifikojnë aktivitetin e tyre ekonomik.

Kundërshtimet nuk ndalen këtu. Në mandatin e parë, qeveria filloi të promovonte stimulimin e aktiviteteve ekonomike nëpërmjet shkurtimeve të targetuara të taksave në sektorë specifikë si agroturizmi, apo teknologjia.

Asnjëherë nuk u bë publik ndonjë studim apo vlerësim i efektit të këtyre masave, por ministrja aktuale e Financave e nisi detyrën, duke deklaruar se shumë prej këtyre masave kishin rezultuar joefikase e do të eliminoheshin në të ardhmen. Masat, ama, krijuan cikël të pandalshëm.

Gropa që shkaktohej nga masat favorizuese për një sektor mbuloheshin me detyrime nga sektorët e tjerë. Këta të dytët lobonin çdo vit në qeveri, që të përfitonin nga masat favorizuese në buxhetin pasardhës, duke e kaluar barrën gjetkë.

Aq i pandalshëm u bë ky cikël, sa buxhetet u ndryshuan dhe në mes të vitit për të akomoduar kërkesat e reja. Sot, çdo sektor ekonomik po lobon për shkurtime taksash, sa qeveria e ka ende të pamundur të publikojë detyrimet, me të cilat do të përballen.

Kundërshtimet vijojnë dhe në masat e nisura që në mandatin e parë, nën kushte tërësisht të ndryshme makroekonomike. Qeveria shqiptare, duke përfituar nga normat e ulëta të interesit dhe inflacionit, uli huazimin në tregun e brendshëm dhe zgjeroi huazimin në tregjet e huaja.

Kjo masë e rrezikshme u mbrojt për shkak të situatës makroekonomike në vitet 2013-‘15. Sot, situata po ndryshon. Por në vend që të sigurojë hapësirë të mjaftueshme për stimul fiskal nëpërmjet kursimeve të brendshme, qeveria po shkurton huazimin e brendshëm dhe nuk po shprehet qartësisht për huazimet më të rrezikshme në tregun e jashtëm.

Të paqarta mbeten qëndrimet dhe në lidhje me pagesat për koncesionet që duheshin shkurtuar, por po zgjerohen, apo për taksat mbi naftën që u mbajtën të larta, për aq kohë sa çmimi i saj ishte i lartë në tregjet ndërkombëtare.

Pasiguria është thuajse elementi kryesor që parandalon zhvillimin ekonomik të një vendi. Shqipëria ka shumë elemente të tilla: pasiguria e pronës, pasiguria mbi sundimin e ligjit. Ambienti i jashtëm ka krijuar pasiguri shtesë me konfliktin Rusi-Ukrainë.

E fundit për të cilën kishte nevojë ekonomia shqiptare ishte pasiguria fiskale, por me sa duket kjo është “dhurata” e fundvitit për të./ Monitor

Aktualitet Buxheti ekonomi Qeveri