Sport25 Janar 2023, 15:26

Bylisi ul me “këmbë në tokë” Vllazninë, Laçi ‘shkërmoq’ Kastriotin dhe i largohet fundit të renditjes

Shkruar nga Pamfleti
Bylisi ul me “këmbë në tokë” Vllazninë,

Bylisi ul me “këmbë në tokë” Vllazninë, Laçi ‘shkërmoq’ Kastriotin dhe i largohet fundit të renditjes

Bylisi ka mposhtur me rezultatin 1-0 Vllazninë duke marrë një 3 pikësh shumë të rëndësishëm në javën e 18 të Abissnet Superiore.

Në pjesën e parë të dyja ekipet patën raste të mira për të shënuar, por nuk arritën të finalizonin, duke e mbyllur në barazim pa gola 45 minutat e para.

Sfida u zhbllokua në minutën e 58 me Felipe Sozën. Pas një asisti të bukur nga Damçevski, ai “tundi” rrjetën e Zogoviç.

Rasti i artë për Vllazninë ishte në minutën e fundit të shtesës me Ardit Hoxhajn. Ai goditi topin por përfundoi mbi traversë.

Me ketë fitore Bylisi ngjitet në vendin e 7 me 20 pikë ,ndërsa Vllaznia mbetet në vendin e 3 me 28 pikë.

Në ndeshjen tjetër, Laçi ka fituar pa vështirësi ndaj Kastriotit. Krubiasit siguruan 3 pikët në shtëpi, pasi kurbinasit triumfuan përballë krutanëve me rezultatin 4-1.

Djemtë e Gentian Mezanit gjetën rrjetën në minutën e 15, kur Vasil Shkurtaj mposhti Salin. Vetëm 15 minuta më pas erdhi goli i dytë me Spahiun, i cili në një aksion model ia doli të çonte topin në fundin e rrjetës.

Pjesa e dytë nisi e vrullshme për vendasit që shënuan golin e tretë me Adeleke në minutën e 48. Edhe pse kurbiasit në avantazh të trefishtë përsëri tentuan të thellonin shifrat.

Kur mendohej se krutanët ishin dorëzuar, gjetën forcat dhe ngushtuan diferencën me Çelën në minutën e 80, por vetëm kaq për skuadrën mike, pasi vendasit arritën të shënonin në minutën e 92, kur Geci çoi shifrat në 4-1.

Pas kësaj fitoreje, Laçi ngjitet në kuotën e 23 pikëve dhe ndodhet në vendin e 6, ndërsa nga krahu tjetër Kastrioti zhytet në zonën e ftohtë, në vendin e 8 me 19 pikë.

Sport Bylis Kastrioti Laçi Vllaznia