Editorial 6 Dhjetor 2022, 08:47

Ç’është kjo zonjë që bën “dashuri” në rrugë?

Shkruar nga Pamfleti
Ç’është kjo zonjë që bën

Ç’është kjo zonjë që bën “dashuri” në rrugë?

Një zonjë e bukur parakalon në bulevard. Ata që u besojnë syve, kanë punën e vet, as e urrejnë, as u bën përshtypje… 

Shkruan Sokol Pepushaj

Imazhin e ka fluid, mes një zonje të moshuar që digjet për dashuri dhe një aventuriereje që i kapërcen shekujt me ‘kap ç’të kapësh’, siç e gjetëm do ta lëmë, bëj ‘pallë ariu’.

Askush nuk pyet si e ka emrin. I ka të tëra nasijetet për të bërë memec këdo me hiret e saj.

Për ndonjë budalla që i fut hundët në punët e të tjerëve, zonja ka 27 emra, njërin më të bukur se tjetrin. Ka edhe një listë rezervë për një shekull pas të sotmes.

Në Tiranë vjen si Evropë… 

Në këto gjashtë germa të gdhendura me kujdes, të ngjan se ke edhe floririn e Thesarit të Shtetit tënd, po ç’rëndësi ka kjo, a nuk thamë se Evropa i ngjan edhe një aventuriereje që i kapërcen shekujt me ‘kap ç’të kapësh’, siç e gjetëm do ta lëmë, bëj ‘pallë ariu’.

Nëse ti i troket në derë dhe dikush e shtyn shulin mos u shqetëso, por as mos u gëzo nëse kjo zonjë del në oborr e hell sytë nga komshinjtë.

Se kot nuk ka 27 emra të shkrira në një, Evropa.

Me cilindo emër të presë, ose cilado zonjë, jo se nuk i do shqiptarët, por herë bën naze e herë bëhet xheloze për shoqet e veta. Se shqiptarët jo rrallë lënë Greqinë për Italinë, Italinë për Gjermaninë, Gjermaninë për Francën, Francën për Anglinë, aq sa sekretarja e Brendshme e Britanisë, Suella Braverman, s’ka inat me ne, por thjesht bëhet xheloze për azil të rremë.

Se ka nevojë të ruajë familjen nga pabesia dhe tirania, zonja Evropë ngulë shtylla sigurie në Tiranë. Zonja e vjetër nuk ka nevojë për leje. As Sali Brerisha me të tijtë nuk kanë gjë me Evropën, thjeshtë bëhen xhelozë për Edi Ramën.

Pastaj, ç’faj ka Saliu, kur edhe Gjergj Fishta që ishte prift, kur dyshoi në dashuri, kapi lahutën, doli majë një shkrepi në Rapshë të Hotit dhe këndoi sa ju ndie zëri edhe në Amerikë; Oh, Evrop ti kurva e motit/ qi i rae mohit beses e Zotit.

Nga kënga e Gjergj Fishtës u frymëzua Edi Rama për këngën “paç fatin e hajdutit”.

Edhe ju, më mirë dëgjoni meloditë e Fishtës dhe Ramës, se sa të pyetni, ç’është kjo zonjë që bën “dashuri” në rrugë?/Pamfleti

Editorial “Pamfleti” #Ç’është kjo zonjë që bën “dashuri” në rrugë? Sokol Pepushaj

Editorial