Aktualitet23 Janar 2023, 19:35

Çështja e Asociacionit, SHBA “vë në rresht” politikën e Kosovës

Shkruar nga Pamfleti
Çështja e Asociacionit, SHBA “vë në rresht”

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë vënë në lëvizje për të bindur politikën e Prishtinës që të pranojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Kryeministri Kurti e refuzon, mirëpo mesazhet që vijnë nga Uashingtoni nuk janë aspak në favor të qeverisë.

Gabriel Escobar e tha javën që shkoi se kjo çështje nuk diskutohet, pasi është firmosur dhe duhet vetëm të zbatohet.  Sot, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka ftuar partitë politike të Kosovës në një diskutim të përbashkët, më 31 janar.

Mësohet se temë diskutimi e këtij takimi, iniciuar nga ambasadori Jeff Hovenier, do të jetë, çështja e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Gjithashtu në këtë tryezë diskutimi, pritet të ketë edhe diplomatë të tjerë. Pra, duket se SHBA aty do të vendosë “pikat mbi i” sa i takon Asociacionit.

Kujtojmë se pak ditë më parë, përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, bashkë me këshilltarët për politikë të jashtme të kancelarit gjerman, Olaf Scholz, presidentit të Francës, Emmanuel Macron dhe këshilltarin diplomatik të kryeministres së Italisë, Francesco Maria Talò, si dhe i dërguari i posaçëm i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, patën një takim me Albin Kurtin.

Kjo vizitë e nivelit të lartë erdhi në vazhdën e paralajmërimeve për arritjen e një marrëveshje bazë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, mbi bazën e planit të BE-së, apo ashtuquajturin plani franko-gjerman për dialogun.

Pas vizitës me Kurtin në Prishtinë, delegacioni BE-ShBA pati një takim dhe në Beograd, me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, ku i diskutua e njëjta çështje. Ndërkohë zyrtari i DASH Gabriel Escobar ishte shumë i prerë në mesazhin e tij.

Një person dhe një palë nuk mund të shmangë një detyrim ligjor ndërkombëtar. Ky është fakt. Ne do ta bëjmë këtë dhe unë do ta bëj këtë duke gjetur partnerë dhe ka shumë partnerë, ka shumë njerëz që duan të shohin marrëdhënie më të mira të serbëve në veri dhe pjesës tjetër të vendit. Ne do të fillojmë këtë muaj të flasim me njerëzit që kanë ide shumë të mira dhe ne në fakt flasim për madhësinë e klasave në shkolla, mbledhjen e mbeturinave, apo shërbimet e ndihmës mjekësore, asgjë frikësuese. Ne flasim se si ta bëjmë veriun e Kosovës më funksional dhe më të lidhur me qeverinë në Prishtinë. Ne do ta bëjmë këtë. Çështja është se në ç’pikë Kosova do ta ketë të qartë se bashkësia ndërkombëtare e pret që ta bëjë këtë, kërkon që ta bëjë këtë”, tha ai. /Pamfleti

Kryesore Asosacioni Kosova SHBA