Aktualitet25 Qershor 2018, 13:26

“Çfarë dinë 5 shokët e Azemit në PD që ishin me të pak para atentatit?”

Shkruar nga Pamfleti
“Çfarë dinë 5 shokët e Azemit në PD që

“Çfarë dinë 5 shokët e Azemit në PD që ishin me të pak para atentatit?''

Avokati i Izet Haxhisë, Bashkim Nikolla ka ngritur disa pyetje në lidhje me vrasjen e Azem Hajdarit. Në një intervistë për Albania Free Press ai ka cituar me emkra konkretë 5-6 shokët e Azem Hajdarit që ishin me të pak para vrasjes dhe se nuk shkuan asnjëherë të dëshmonin për vrasjen e tij. Ndër të tjra ai ka treguar edhe një detaj mjaft interesant; atë të mungesës së policisë.

“Habitem sesi një krim zbulohet që në 30 minutat e para, para selisë së një subjekti dhe në vendin e ngjarjes të shkojë një deputet dhe jo Policia e Shtetit”, pohon ai. Këto dhe të tjera detaje, që duket se ai do t’i përdorë gjatë rigjykimit të dosjes “Hajdari”, për të mbrojtur klientin e tij, Izet Haxhia, i gjeni më tej gjatë kësaj interviste…

Keni marrë përsipër të jeni avokat i njërit prej të dënuarve për vrasjen e ish-deputetit demokrat, Azem Hajdari, të shumëdiskutuarit Izet Haxhia. Pse e morët përsipër rihapjen e vrasjes që cilësohet si “e shekullit”? A jeni i bindur se ka pasur parregullsi dhe njëanshmëri në mënyrën e gjykimit të saj?

Së pari, dua të them se në gjykimin e një çështje, bindja nuk duhet të krijohet në mënyrë apriori. Bindja krijohet me një situatë paraprake të çështjes që gjykohet në lidhje me problemin  dhe pastaj merret në ecuri. Kam ndjekur në mënyrë të rregullt si e pasqyron mediat në tërësi këtë problem dhe shoh lidhjet me profesionin tim.

Ngjarja “e shekullit”, ajo e Azem Hajdarit, ka shumë mistere përsipër, ku më shumë i mëshohet cilësive të tij si “Hero i Demokracisë”, apo ish-deputet, sesa rrethanave të ngjarjes. Mua vazhdimisht më ka shqetësuar si profesionist se si ndodhi ngjarja, kush ishin autorët, si u krye dhe pse u krye vrasja. I kam parë dhe ndiqja shtypin si e përcillte atë, duke bërë lidhjet në kohë.

Madje, më ka bërë përshtypje dhe dënimi i personit që unë sot përfaqësoj, i Izet Haxhisë. Pra, në vetvete kjo ngjarje në tërë kohën e saj ka shumë enigma, ka shumë personazhe, ka shumë heshtje, ka shumë deformime, por dhe shumë kundërshti mes palëve.

E nga sa e njihja unë atë dhe këtë gjykim, duke u bazuar në një logjikë të seleksionimit të tyre, duke marrë në konsideratë edhe materialet e shumta që disponoj sot, të pohimeve që kanë bërë njëra palë apo tjetra në këtë proces dhe në tërësi, kam krijuar bindjen ndryshe dhe jo apriori, siç është gjykuar kjo çështje.

Duke u mbështetur në këto materiale dhe këto pohime, tashmë jam i bindur që në gjykimin e saj kemi të bëjmë me një mister dhe me një manipulim të hapur të saj. Kjo duket që në deklaratat e para, materialet e para që hasa atëherë dhe ato që kam sot, ku habitem sesi një krim zbulohet që në 30 minutat e para, para selisë së një subjekti dhe në vendin e ngjarjes të shkojë një deputet dhe jo Policia e Shtetit. Pra, duket se mungon Policia e Shtetit. Shkon në vendngjarje një deputet e përballet me rrezikun dhe nga të gjithë ata anëtarë të kryesisë së PD-së apo ish-deputetë të saj, që ndodheshin në zyrat e selisë së partisë, askush nuk ka dhënë asnjë deponim.

Asnjë. Pra, u vra miku i tyre, heroi i tyre dhe ata të gjithë që ishin në ish-selinë blu heshtën. Pra, që këtu nisin pikëpyetjet e para. A dinin gjë këta deputetë kur doli nga zyra Hajdari? Kë takoi për herë të fundit? Kush e mori vesh i pari ngjarjen dhe nga kush? Pse ndodhi, me kë ndodhi? Me kë i kishte lidhjet e fundit? Kush ishin të tjerët rreth tij? Pra, që këtu dalin pikëpyetjet e para. Dhe që këtu duhet të fillojë analiza e ngjarjes dhe pastaj ajo duhet të vazhdojë me detaje, sipas rregullave të kriminalistikës dhe hetuesisë.

Pra, kur ke arritur të bësh një sintezë të të gjitha këtyre pyetjeve, kur të bësh një lidhje logjike dhe faktike të elementeve të ngjarjes, atëherë mund të arrish në konkluzion. Pyetja është e thjeshtë: Si, pse doli dhe çfarë dinë ata 5 apo 6 shokët e tij të PD-së që ishin ditën e ngjarjes, të cilët e panë që po ikte të përballej me rrezikun, ndërsa ata rrinin dhe prisnin në zyra. A dinë diçka ata përderisa ishin aty? Pse nuk e kanë thënë? Kjo është pyetja e parë. Pyetja e dytë, pse më vonë këta “miq”, “shokë” që ishin aty atë ditë, pse nuk shkuan të jepnin rrethanat e ngjarjes që të zbardhej më vonë e vërteta?

Kush kanë qenë në zyrat e PD atë ditë?

Sipas mekanizimit të ngjarjes në tërësinë e ndodhjes së saj, por edhe dokumentacionit të plotë që unë zotëroj, ka qenë i pari ish-kryetari PD-së, Sali Berisha. Ka qenë Genc Pollo, Jemin Gjana, Jozefina Topalli, Vili Minarolli, Pjetër Arbnori, Shaban Memia, etj, të cilët kurrë nuk dhanë një deklaratë dhe kurrë nuk shkuan në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë, edhe pse pranë tyre ka shkuar një urdhër-thirrje nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë në datën 18.11.1999, nga prokurori Haxhi Giu, për t’u paraqitur në Prokurorinë e Përgjithshme  në datat nga 24-26.11.1999, për të dhënë shpjegime në lidhje me vrasjen e deputetit Azem Hajari. Konkretisht, Sali Berishës, urdhër-thirrja për shpjegime i ka shkuar për datën 24.11.1999, Genc Pollos po në këtë ditë, Maksim Cikulit më 26, Jemin Gjanës më 26 nëntor, Vili Minarollit më 25 nëntor, Jozefina Topallit më 25 nëntor 1999, Pjetër Arbnorit, e kështu me radhë.

Por ironia qëndron se këta njerëz bërtisnin me të madhe që të zbardhet e vërteta e ngjarjes. Po si do zbardhej e vërteta kur ata që ishin pranë vendit të ngjarjes, ata që ishin me atë ditë, nuk denjuan fare, fare të jepnin asnjë informacion? Nga ana tjetër, e quajnë “Hero i Demokracisë”, njeriu që solli demokracinë, etj.

Po pohimet e tyre ku janë? A i njohin ligjet këta njerëz, ato ligje që formulojnë dhe i votojnë në parlament? Pse formojnë dy standarde në shoqërinë shqiptare, një standard që ata janë të paprekshëm e që asnjë ligj nuk i detyron të pohojnë dhe standard tjetër që çdo njeri i thjeshtë duhet të paraqitet para drejtësisë në çdo kohë dhe pa asnjë kundërshti?

A mund të mendohet një veprim i tillë në një vend demokratik? A mund të ndodhë ky dy standardizim në Gjermani, Francë apo Holandë?  Pra, e quan hero, e quan të madh dhe nga ana tjetër nuk jep një deponim që të dalë në pah e vërteta e vrasjes, motivi i saj, kjo është hipokrizia më e madhe e shekullit që jetojmë.

Pra, u bëhet një pyetje e thjeshtë dhe 20 vjet pas vrasjes: Kush ua vrau shokun, heroin, mikun, demokratin, Azem Hajdari? Kush dhe pse? Pse kjo heshtje? Tjetra që të habit është se ai që ishte në grupin e vrasjes, thirret si vrasës, pastaj bëhet dëshmitar dhe nga dëshmitar, akuzon të tjerët si vrasës, kur vetë ishte në grupin e vrasësve. Si mund të quhet kjo? Astrit Muldaka ishte pjesë e grupit vrasës, siç thuhet në dokumente, pavarësisht se çfarë roli ka, ndihmës në vrasje, etj. Ai merret, bëhet dëshmitar dhe kur siguron statusin e tij del jashtë shtetit dhe vetëm pastaj ne e marrim në video nga një shtet tjetër për të dëshmuar.

Po a ishte Muldaka këtu? Si iku dhe kush e largoi? Pra, ne bëjmë video-konferencë për një njeri që në fillim quhej pjesëmarrës në vrasje dhe tashmë na jep informacione me video-konferencë si dëshmitar. A është e pranueshme kjo? Pra, ky person tashmë akuzon vëllezërit Haxhia si pjesëmarrës në vrasje. Pra, akuzon Ismetin, Izetin, Hisamedinin, që kanë ndihmuar në vrasjen e Azem Hajdarit.

Pastaj, prokuroria jonë tipike politike del me një hamendje dhe pa asnjë ballafaqim e pyetje se po të mos ishte prania e Izet Haxhisë që hynte dhe dilte në selinë blu, nuk mund të kryhej vrasja, pasi vrasësit nuk do të kishin mundësi ta kryenin. Duke i ndihmuar, edhe Izeti është pjesëmarrës në vrasje. Kjo është akuza. Pra, thjesht një hamendësi e pabazuar në fakte. Por në fakt lind pyetja: Ku ishte Izet Haxhia atë ditë? Ku ishte atë orë, atë moment? Sipas shumë dokumenteve, del se në seli ishin këta që përmenda pak më lart.

Por vetë sipas dëshmisë së Izetit, ku ka qenë ai atë moment?

Sipas atyre që kam mbledhur, Izeti ka qenë me disa njerëz të tij dhe larg vendit të ngjarjes. Të vjen çudi që edhe shoferi i autorëve, i cili i çoi në vendin e ngjarjes është thirrur si dëshmitar, jo si pjesëtar grupi, ndërsa Izeti me vëllezërit akuzohet si pjesëtar në vrasje. Ky nuk është cilësuar vrasës, Izeti po. Një fakt interesant është edhe se shkresa e Shërbimit Informativ Kombëtar të asaj kohe nuk e përmendte emrin e Izet Haxhisë si vrasës, as të vëllezërve.

Edhe deklarata e PD-së 30 minuta pas ngjarjes, nuk i përfshinte në listë tre vëllezërit. Kjo ndodh pas disa kohësh, pse? Thjesht se nuk kishte lidhje me ngjarjen. Dhe pse dihen ngjarjet, të tre vëllezërit akuzohen për ndihmë, për vrasje me paramendim, që do të thotë “e dije se do ndodhte vrasja”, tre vëllezërit e dinin dhe ndihmuan në këtë vrasje.  Kjo është hipotetike se nuk e vërteton dot. Nuk ka asnjë fakt.

Beson se do dalë e vërteta e kësaj ngjaje kaq shumë të diskutuar?

Besoj, pasi besoj në reformën në drejtësi. Besoj sepse ligji do mbetet ligj. Nuk ka më dy standarde me ligjin. Ligji barazohet me Zotin, që jep drejtësi për të gjithë. Sot është koha për shtet të së drejtës. Kam bindjen e plotë, se të gjithë ata që deri dje nuk kanë deponuar, do vijnë të deponojnë. Besoj plotësisht se do hidhet dritë mbi vrasjen “e shekullit”. Në qoftë se nuk hidhet dritë mbi këtë vrasje, drejtësia shqiptare do dështojë. Ndryshe nuk do ketë qetësi. Ata që akuzohen, të vijnë aty në sallë dhe ta akuzojnë me fakte, e kush ka faj, të marrë dënimin që i takon. Salla e gjyqit është ajo që jep të drejtën.

Ku qëndron sipas jush, gjithë strumbullari i kësaj vrasje?

Për mua, strumbullari është se nuk ka dalë motivi i vrasjes. Thuhet për motive personale, por jo, nuk është ky motivi. Motivi është mister. Nëse do dalë motivi, kjo vrasje do bëhet gangrenë. Si mund të vritet një deputet se shkon tek një makinë disa metra larg selisë blu? Vrasje e thjeshtë?! Në gjyq thuhet se është vrarë për hakmarrje. E beson njeri këtë? Që ta besojmë, hajde ta ballafaqojmë. Ka edhe diçka. Përpara se të ndërronte jetë Zenel Neza, e vizituan në spital dy persona me shumë rëndësi dhe ai foli para tyre. Çfarë tha ai para tyre? Pse fshihen sot dhe kësaj dite ato që tha? Kush ishin dihet, por nuk dihen ato që tha dhe besoj se do dalin. Ajo bisedë ka gjurmë.

Aktualitet avokati i Izet Haxhisë Bashkim Nikolla