Bota14 Nëntor 2022, 13:39

Çfarë do të ndodhë në luftën në Ukrainë pas tërheqjes ruse nga Hersoni?

Shkruar nga Pamfleti

Tërheqja e Rusisë nga qyteti juglindor i Herson shënon një fitore tjetër për Kievin, përderisa vijat e frontit në fushëbetejë vazhdojnë të ndryshojnë. Por, përderisa luftimet zhvendosen në një fazë të re, me dimrin që po afrohet, çfarë pritet të ndodhë tani në luftën që po zhvillohet qe nëntë muaj?

Pas tërheqjes nga Kerson, forcat ruse po shkojnë drejt bregut lindor të lumit Dniepër, që gjendet përballë Hersonit, ku aktualisht po ngrenë mbrojtjen, dhe sipas analistëve ushtarakë, ky pozicionim i rusëve mund të pengojë një avancim ukrainas.

Gjerësia e lumit dhe dëmet e shumta në Urën Antonivski – që janë shkaktuar nga forcat ruse që lidh dy anët e lumit, bëjnë që ndjekja e trupave ruse të jetë një manovër e rrezikshme për ukrainasit.

“Kjo tërheqje e trupave ruse [nga Hersoni] është përgatitur paraprakisht. Ne e dimë që tërheqja nisi më herët sesa njoftimi i Kremlinit”, tha për Current Time, Roman Kostenko, kolonel i Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës (SBU), agjencia kryesore e inteligjencës së Kievit.

“Nga perspektiva ushtarake, ata janë tërhequr plotësisht dhe kanë lënë pas zona të mëdha të minuara për trupat ukrainase që avancojnë”.

Ndërkaq, luftimet po vazhdojnë në rajonin lindor të Donbasit, me trupat ukrainase që po zmbrapsin vazhdimisht përpjekjet ruse për të marrë nën kontroll qytete sikurse Bahmuti dhe Pavlivka, teksa të dyja palët po pësojnë humbje të mëdha gjatë luftimeve.

Kostenko, që po ashtu është deputet në Parlamentin ukrainas, ka qenë pjesë e përpjekjeve të fundit të ushtrisë për të rimarrë qytetin Snihurivka në rajonin ukrainas të Mikolajivit. Ky qytet gjendet rreth 50 kilometra në verilindje të kerson.
“Ne po i shohim se nga po shkojnë ata”, tha ai.

“Tani, detyra kryesore është të sigurohemi që sa më pak trupa dhe pajisje ruse të mund të shkojnë atje nga ana e djathtë e lumit”.

Me ftohjen e motit  që sjell vështirësi të reja logjistike për lëvizjen e ushtarëve dhe pajisjeve të nevojshme për një ofensivë të re analistët dhe diplomatët kanë thënë se ekziston mundësia që intensiteti i luftimeve të bjerë, pasi të dyja ushtritë po tentojnë të rigrupohen.

Pas ngecjeve të mëhershme ushtarake dhe tërheqjes në shtator të trupave ruse nga Harkivi, Kremlini shpalli mobilizim për të grumbulluar më shumë ushtarë për luftën në Ukrainë.

Por, rekrutët e rinj deri më tani nuk kanë arritur që të ndryshojnë momentumin në fushëbetejë, teksa ka raportime në rritje se ata kanë moral të ulët dhe janë të pajisur dobët dhe ushtarët e trajnuar po dislokohen në front.

Current Time rrjet mediatik në gjuhën ruse i Radios Evropa e Lirë në bashkëpunim me Zërin e Amerikës ka biseduar me dhjetëra familjarë të rekrutëve të mobilizuar që janë dërguar në front në Svatove, në rajonin ukrainas të Luhanskut, ku njësitë e tyre kanë pësuar humbje të mëdha.

Sipas familjarëve, rekrutët thonë se përballen me kushte të vështira dhe nuk kanë armë dhe municion të mjaftueshëm. Disa, madje, kanë refuzuar të vazhdojnë të luftojnë dhe aktualisht janë në burg për shkak se kanë shpërfillur urdhrat gjatë kohës së luftës.

“Vëllai më kontaktoi dhe tha se ata ishin në një bodrum në Zaitseve [në lindje të Ukrainës]”, tha Ekaterina Belova, duke iu referuar vëllait të saj, Alexei Arsyutin, që ka punuar si menaxher në KFC në Moskë, para se të rekrutohej më 25 shtator dhe të dislokohej në Svatove. “[Alexei] tha se edhe 250 persona të tjerë po mbahen bashkë me të”.REL

Bota kerson Lufte tërheqje Ukrainë.