
33-vjeçarja Svetlana Timofoeva dhe Mikhail Zorin, me pasaportë ruse, dhe një tjetër shtetas ukrainas me iniciale F. A., 25 vjeç., janë arrestuar nga autoritetet shqiptare mbrëmjen e së shtunës pas një incidenti në Uzinën e Përpunimit të Armëve në Gramsh.
Dyshimet janë se pas kësaj ngjarje fshihen agjenturat ruse. Sipas të dhënave, 2 shtetas rus dhe një shtetas ukrainas kanë shkuar pranë uzinës duke bërë foto dhe duke mbledhur informacione. Në një moment një prej tyre ka kaluar murin rrethues dhe është futur brenda.
Një nga ushtarët shqiptarë që ishte aty e ka vënë re dhe i është afruar. Në atë moment personi ka nxjerrë një spraj duke sulmuar ushtarin dhe kolegun e tij. Ata kanë rënë pa ndjenja dhe janë djegur, teksa rrezikojnë të humbin dhe shikimin.
Ndërkohë kanë ndërhyrë ushtaret e tjerë duke neutralizuar agresorin. Më pas u zbulua se ai shoqërohej nga një shtetase tjetër ruse dhe një ukrainas që ndodheshin në makinë. Që të tre janë shoqëruar në polici.
Ushtarët e sulmuar me lënde kimike janë dërguar në spitalin e Traumës. Ndërkohë reagoi edhe Ministria e Mbrojtjes ku ka dhenë edhe detajet e para të ngjarjes.
“Tre shtetas me pasaporta ruse dhe ukrainase kanë tentuar të hyjnë në uzinë. Menjëherë kanë reaguar efektivët që ishin në ruajtje të uzinës, por gjatë përpjekjeve për t’i ndaluar 3 shtetasit e huaj janë lënduar dy ushtarakët tanë, të cilët janë nën kujdesin e mjekëve në spitalin e Traumës në Tiranë.
Shtetasit e huaj janë ndaluar nga autoritetet, ndërsa vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes. Gjendja shëndetësore e dy ushtarakeve shqiptare është e stabilizuar”,
Dy ushtarët e lënduar janë , Albi Bici dhe Ardian Xhaka. Për zbardhjen e ngjarjes është angazhuar dhe Agjencia Inteligjente e Sigurisë dhe Mbrojtjes (AISM) dhe Shërbimi Informativ Ushtarak. Si dhe SHISH me Policinë Ushtarake.
Pas ngjarjes ka reaguar Partia e Lirisë, përmes sekretarit të përgjithshëm Tedi Blushit. Ai ka kërkuar hetim të menjëhershëm të ngjarjes ku ka akuzuar qeverinë si të papërgjegjshme.
“Partia e Lirisë i bën thirrje Qeverisë, Ministrisë së Mbrojtjes, Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Policisë së Shtetit, Shërbimit Informativ Shtetëror, Policisë së Shtetit, Prokurorisë dhe institucioneve ligjzbatuese përgjegjëse të sqarojnë menjëherë incidentin e ndodhur në Uzinën Ushtarake të Gramshit, ku sipas të dhënave të raportuara në media, disa shtetas rusë kanë dhunuar dhe lënduar me mjete kimike disa ushtarë. Kjo ngjarje shumë e rëndë, që i ndodh një vendi anëtar të NATO-s, që lidhet me sigurinë kombëtare, por dhe kolektive të Aleancës, meriton një hetim të menjëhershëm dhe transparent.
Kryeministri, Ministri i Mbrojtes dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, të ndërpresin menjëherë pushimet dhe të japin para shqiptarëve informacion të detajuar dhe zyrtar mbi këtë ngjarje, që nuk mund të zbardhet vetëm duke u lënë në dorën e raportimeve mediatike. Partia e Lirisë u shpreh të gjithë solidaritetin familjeve të ushtarëve të lënduar dhe u uron atyre shërim sa më të shpejtë! Të tilla ngjarje të rënda dëshmojnë edhe njëherë papërgjegjshmërinë e Qeverisë në raport me ruajtjen e sigurisë kombëtare, që duhet të jetë prioritet, veçanërisht pas agresionit rus ndaj Ukrainës dhe në kushtet kur aktorë të tjerë prej kohësh po përpiqen të destabilizojnë rajonin tonë”, shkroi Blushi.
Për ngjarjen ka reaguar edhe Kryeministri Edi Rama, i cili me anë të një postimi në Twitter shkruan: “Çfarë krenarie për rojet ushtarake që i neutralizuan tre individët e dyshuar për spiunazh”
Rama e kishte edhe një koment për opozitën duke thënë se: “Çfarë trishtimi që edhe kur bëhet fjalë për një ngjarje kaq delikate sa ajo e Gramshit, gjithëfarë gjelash laramanë ia marrin avazit majë plehut të interesave të tyre mizerabël! Po edhe çfarë krenarie për rojet ushtarake që i neutralizuan tre individët e dyshuar për spiunazh!”
Si ndodhi ngjarja?
Rreth orës 17:40 të ditës së sotme (e shtunë 20 gusht), një prej rojeve në Uzinën Ushtarake të Gramshit ka vënë re lëvizje të dyshimta rreth objektit. Menjëherë ai ka njoftuar përgjegjësin e rojeve se një person ka hyrë brenda territorit dhe ka tentuar të bëjë fotografi. Të dy efektivët Albi Bici dhe Ardian Xhakak i kanë bërë fillimisht thirrje të ndalojë. Pavarësisht thirrjes së rojes dhe përgjegjësit të ruajtjes së Uzinës, 24-vjeçari i identifikuar si Mikhail Zorin ka tentuar të largohet, por 2 efektivët shqiptarë kanë bërë ndalimin i tij. Në këtë moment 24-vjeçari është kundërpërgjigjur duke përdorur spray neoparalizues ndaj dy ushtarakëve për të shpëtuar, por dy rojet ushtarake kanë bërë ndalimin e tij. Ndërkaq është zbuluar se 24 vjecari nuk ishte i vetëm.
Burime zyrtare bëjnë me dije se janë vërejtur edhe dy persona të tjerë jashtë rrethimit të Uzinës, një femër dhe një mashkull të identifikuar si rusja e identifikuar si Svetlana Timofoeva 33 vjeçe dhe ukrainasi F. A., 25 vjeç që shoqëronin këtë person. Ndaj personeli i Policisë Ushtarake ka njoftuar menjëherë Policinë e Shtetit, e cila ka bërë ndalimin edhe të dy personave të tjerë jo shumë larg nga uzina. Të tre personat aktualisht janë të shoqëruar nga policia, e cila në bashkëpunim me institucionet e tjera po vijon hetimet mbi ngjarjen e ndodhur. Ushtarët që u gjetën në tokë pa ndjenja nga kolegët janë transportuar me urgjencë për në spitalin e Traumës në Tiranë, ku po marrin trajtim mjekësor pasi kanë humbur shikimin.Ministria e Shëndetësisë në një komunikatë zyrtare deklaron se gjendja shëndetësore e dy ushtarakëve Aldo Bici dhe Ardian Caka është stabile. 2 ushtarakët e lënduar në Uzinën e Gramshit janë në gjendje të stabilizuar në Pavionin e Toksikologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. “Ekipet e specializuara të Toksikologjisë, Djegie-Plastikës dhe ORL kanë kryer konsultat dhe ekzaminimet e plota për dy ushtarakët e ekspozuar ndaj gazit irritues, të cilët po marrin trajtimin e nevojshëm mjekësor dhe janë në gjendje të qëndrueshme, pa probleme akute të helmimit”.
Hetimet
Dyshimet kryesore janë se shtetasit e huaj janë agjentë rus që po mblidhnin informacione. Kjo sepse ato janë parë teksa kanë fotografuar ambientet e uzinës së armëve në Gramsh, teksa është njëjta skemë e ngjashme e ndodhur edhe në vitin 2014 në bazën e Pashalimanit. Gjatë ndalimit të rusëve Svetlana Timofoeva dhe Mikhail Zori dhe ukrainasit me inicialet F. A., 25 vjeç janë sekuestruar tre pasaportat që këta persona mbanin me vete. Për zbardhjen e kësaj ngjarje janë angazhuar Departamenti i Policisë Kriminale dhe Drejtoria e Antiterrorit në Policinë e Shtetit dhe po koordinohen veprimet me Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Një grup ekspertësh nga Ministria e Mbrojtjes dhe e Brendshme ishte në Uzinën Mekanike për të marrë informacione.
Autoritetet shqiptare po zhvillojnë hetime për zbardhjen e plotë të ngjarjes së rëndë të ndodhur në Gramsh, ka dyshime të forta nga ana e Anti-terrorit që pajisja e gjetur në çantën e shtetasit rus Mikhail Zori nuk është aparat fotografik, por një pajisje spiunimi dhe se të arrestuarit janë agjentë të shërbimeve sekrete ruse.
Pas provave të mbledhura autoritetet shqiptare kanë njoftuar Ambasadën e Rusisë në Tiranë, për të kërkuar informacion të thelluar për shtetasit rusë, që tentuan të hynin me forcë në perimetrin e ruajtur me roje ushtarake.
Uzina e Gramshit, e ndërtuar në vitin 1962, ka prodhuar në të kaluarën armë, fillimisht pushkë të tipir “Simonov”, kalibër 7.62 mm, dhe më pas kallashnikovë. Më pas ajo është përdorur për të ofruar shërbime prodhuese për industrinë e mbrojtjes me makineritë e saj të precizonit të lartë apo dhe riparime. Ndërsa deri në një vit më parë është përdorur për demontimin e armëve të tepërta.