Sport10 Prill 2018, 10:24

Cfarë po ndodh me Shpëtim Duron? Në 8 javët e fundit të kampionatit s’ka asnjë fitore

Shkruar nga Pamfleti
Cfarë po ndodh me Shpëtim Duron? Në 8 javët e fundit të

Cfarë po ndodh me Shpëtim Duron? Në 8 javët e fundit të kampionatit s’ka asnjë fitore

Flamurtari pësoi një humbje tronditëse mbrëmjen e djeshme në Vlorë kundër Skënderbeut, një fitore që lë sbhije të hidhur, pasi kishte element të dyshimtë në përmbajtjen e lojës për të dyja skuadrat. Nëse Flamurtari nuk fiton Kupën e Shqipërisë, atëherë skuadra vlonjate do të regjistrojë një prej sezoneve më të dështuara ndër vite. Shigjetat bien mbi trajnerin Shpëtim Duro, i cili në 8 javët e fundit të kampionatit nuk ka regjistruar asnjë fitore, dicka e pazakontë për një teknik me shumë eksperiencë dhe me staturë të fortë si Duro.

Kështu, referuar statistikave, humbja në shtëpi ndaj Skënderbeut vendos një rekord negativ për Flamurtarin në këtë edicion, por edhe për trajnerin Shpëtim Duro. Për herë të parë vlonjatët e çojnë në 8 ndeshje pa fitore, praktikisht një fazë e tërë, pasi suksesi i fundit është ai ndaj Lushnjës 2-0, që do të jetë dhe kundërshtari i ardhshëm në kampionat. 2 barazime dhe 6 humbje kanë bërë që kuqezinjtë të rrëshkasin nga vendi i 3-të në të 6-in, duke iu larguar shumë zonës europiane.

Një ecuri të tillë vlonjatët nuk e regjistronin që nga viti 2015, më saktë nga 31 tetori deri më 13 dhjetor, kur në 8 sfida merrnin vetëm 1 pikë. Nëse këto rezultate ndodhën për herë të parë te Flamurtari, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për trajnerin Duro, që një ecuri të tillë nuk e ka përjetuar kurrë më parë. Fitues i një titulli kampion me Skënderbeun dhe i Kupës së Shqipërisë me Besën, trajneri kryeqytetas sheh momentin më të keq në karrierën e tij. Si ngushëllim për Flamurtarin qëndron ajo fitore në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës ndaj Skënderbeut dhe mundësia për t’i shkuar deri në fund këtij trofeu. Ndaj Lushnjës në fundjavë fitorja është detyrim dhe një mundësi për të shkelmuar krizën. /Pamfleti Sport

 

 

Sport