
Çfarë po ndodh mes Ramush Haradinajt dhe Edi Ramës
Janë disa përplasje, herë të hapura dhe herë mes tyre, me shefin e qeverisë së Tiranës, Edi Rama. Si duket, kjo ka bërë që në paraqitjet e tij të fundit, qoftë në mediat shqiptare të Kosovës, jashtë tyre, apo në Tiranë, ai të vendosë një kufi të dukshëm mes politikës që ai vetë ndjek dhe asaj që mendon se po i imponohet nga Tirana.
Shkruan Bedri Islami
Tri gjëra të mëdha ishin deri tani përpara kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt. Në ditët e fundit është shtuar edhe trazimi i katërt. Ndoshta më e pallogaritura dhe, duke e njohur natyrën e tij, të cilën do të kishte dashur të mos e kishte kësaj kohe.
Janë disa përplasje, herë të hapura dhe herë mes tyre, me shefin e qeverisë së Tiranës, Edi Rama. Si duket, kjo ka bërë që në paraqitjet e tij të fundit, qoftë në mediat shqiptare të Kosovës, jashtë tyre, apo në Tiranë, ai të vendosë një kufi të dukshëm mes politikës që ai vetë ndjek dhe asaj që mendon se po i imponohet nga Tirana.
Sa është në të drejtën e tij Haradinaj dhe, nëse gabon, ku është gabimi i tij?
Edi Rama njihet si një politikan që ka ndarë miqësi të hershme me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi. Mbështetja e tij ka qenë e hapur, aspak konfuze, e drejtpërdrejtë dhe e ashpër, sa që nganjëherë ka shkuar në një lëvizje ekstreme mendimi, çka nuk është në natyrën e tij. Edhe Thaçi, tashmë jo pas kulisave, ka ndarë mendimin e tij më së pari me Edi Ramën dhe qendra e gravitetit të tij në politikën, nëse mund ta quajmë, të trojeve, është pa asnjë hezitim drejt Ramës. Divorci i tij me Berishën, qëndrimin ndaj të cilit e kishte mbajtur në vete me qetësinë e njeriut që nuk do të hedhë gjithë gurët në fillimin e lojës, është i qartë dhe tani ai është bërë tabela, ku miku i Fazlliçit dhe dashamirësi i Bullatoviçit, hedh gjithë shigjetat e tij.
Haradinaj, nga ana e tij, dhe këtë nuk e ka fshehur, do të kishte pasur dëshirë që të tjerë të qeverisnin në Tiranë, me të cilët ai ndjehet më i lidhur dhe ku mendon se ka kauza të përbashkëta. Haradinaj është ndoshta politikani më i drejtpërdrejtë në artikulimet e tij. Por, edhe më i hapuri në llogaritë që ka bërë e vazhdon të bëjë. Nëse diçka nuk ta thënë në sy apo në formën më të hapur të mundshme, pavarësisht se në cilën media është, të jesh i bindur se nuk e thotë kurrë pas krahëve. Edhe mesazhet që i ka përcjellë drejt Edi Ramës në ditët e fundit, janë të hapura, drejt për së drejti, pa mbajtur asgjë në vete dhe që shkojnë drejt tri gjërave të mëdha që ka përpara.
Taksat me shtetin serb, ndarja e Kosovës, që është ende enigma e tij dhe koalicioni qeverisës.
Për heqjen e taksave ndaj shtetit serb ka kundër vetes thuajse të gjithë ata që e kanë ndihmuar të jetë sot shefi i qeverisë së Kosovës. Në një darkë në Prishtinë ai e kuptoi se kishte kundër edhe shefin e qeverisë shqiptare, misioni i të cilit, edhe pse duket i pamundur, ishte më shumë ai i lajmësit, përcjellësit të mesazhit, me bindjen se do e dëgjojnë dhe se suksesi mund të jetë i tij.
Diplomacia amerikane ka folur kësaj here pa asnjë lloj diplomacie – hiqi taksat dhe filloni bisedimet. Një thirrje që deri tani ka gjetur një vesh të shurdhët dhe një qëndrim të prerë. Në 20 vite Kosova ka lëshuar shumë, tepër shumë, ndaj një agresioni që zgjoi mërinë dhe hakmarrjen ndërkombëtare. I lodhur nga lëshimet, Haradinaj, tashti kryeministër, po kthehet të bëjë atë që kishte menduar se mund të bëhej që kur ishte shefi i qeverisë së Prishtinës që herën e parë. Të vendoset një balancë serioze mes dy shteteve, ende të panjohur juridikisht për njëri tjetrin, por realitete gjeopolitike dhe shtetërore. Një shumicë e madhe e njerëzve në Kosovë e mbështetin atë. Dy nga forcat e bashkëqeverisjes , po ashtu, e mbështetin, por me një lloj droje, që vjen nga futja në lojë e shumë qendrave të vendosjes euroatllantike.
Haradinaj, vetë qeveria e Kosovës, edhe pse ka mendime politike që Kosova nuk po fiton asgjë në këtë bllokadë, për herë të parë, si nuk është pritur , ka dëshmuar se mund të jetë faktor, mund të përcaktojë disa nga rregullat e lojës dhe mund të vendosë kushte edhe në bisedimet që do të bëhen.
Kjo është e drejtë e tij, e tyre. Edi Rama, ka bartur me vete një mision, por edhe ky mision ka një cak të tij, që nuk duhet lëvizur sipas kërcënimit serb.
Çështja e dytë e nxehtë ku Haradinaj është në të drejtën e tij është ideja e ndryshimit të kufijve mess Kosovës dhe shtetit serb. Një ide ende enigmë, e futur mes palëve të fletëve diplomatike, të cilës askush nuk i del për zot, dhe në të cilën janë përfshirë shumë palë.
Thaçi, si bartësi i kësaj ideje, e ka ezauruar atë me termin “korrigjim” të kufijve dhe jo ndryshim të tyre, çka edhe e nënkupton ndryshimin edhe e mohon atë.
Askush nuk është i qartë se çfarë do të lëvizë dhe çfarë do të ndodhë. Presidenti i Kosovës ka shkuar më tej me idenë e përfshirjes së Luginën së Preshevës, më saktë, Kosovës Lindore, në territorin e shtetit të Kosovës, por askush nuk e di se çfarë do të jepet, pasi duhet të jesh i verbër politikisht të besosh se , shteti serb, menjëherë, edhe do të kthejë tokat e pushtuara, edhe do të të njohë në pavarësinë tënde, edhe do të sigurojë një vend në OKB, edhe…nuk do të fitojë asgjë. Kjo miopi politike, nëse qëndron diku, do të ishte ,pak të thuash, naive. Asaj do i përshtatej më saktë prononcimi i Haradinajt…e barabartë me tradhti ndaj popullit të Kosovës.
Haradinaj, shefi i qeverisë së Kosovës, jam i bindur se, jo vetëm që është jashtë kësaj enigme, por edhe nuk është i thirrur deri më tani të jetë aktor dhe pjesë e vendosjes. Ai e kundërshton këtë ide, që është e çartur politikisht, e dënueshme historikisht dhe e papranueshme për vetë lëshimet e mëdha të bëra deri tani. Për më tepër, si një njeri që ka sakrifikuar në shumë dekada familjarisht, ai nuk mund të dalë kundër aspiratës që e ka ndjekur pas dhe ku është edhe gjaku i dy vëllezërve të tij, Luanit dhe Shkëlzenit.
Edi Rama ende nuk është prononcuar për idenë e ndryshimit të kufirit. Ai ka thënë vetëm disa fjali të vakta, si dokrra në hi, të cilat, as nuk qetësojnë njeri dhe as nuk janë në natyrën e një burri shteti. Për më tepër, ata bien ndesh me paraqitjet e tij dinjitoze në përballjet me krerët e lartë të shtetit serb, çka kanë patur entuziazëm dhe mirëdashje në Kosovë. Ndryshe nga Berisha, që i qante syri për pak mall politik serb, Rama do të ishte i papërballueshëm, i hapur dhe i saktë.
Po tani?
Nëse qeveria e Shqipërisë vonon edhe më tej të ketë mendimin e saj pa ekuivok për të ardhmen e Kosovës, atëherë ajo i bie ndesh Kushtetutës së saj, por edhe më tej se kaq; krijon idenë se shteti shqiptar, qeveria e tij, Edi Rama, e përkrahin këtë koncept dhe se qëndrojë pas tij.
Haradinaj, si shefi i qeverisë së Kosovës, i vënë në hekurin e nxehtë të politikës, e kërkon një mbështetje të tillë, e do të drejtpërdrejtë, të saktë dhe në kohën e duhur. Kur ajo nuk i vjen si duhet, atëherë ai mendon se Edi Rama të rrijë në shtëpinë e tij, të qeverisë Shqipërinë dhe se, vetëm kur t’i kërkojmë ndihmë, të jap atë.
Nëse Haradinaj ka të drejtën e gjithë ditës për të patur një qëndrim koherent, të hapur dhe të saktë të qeverisë shqiptare dhe të shefit të saj, Edi Rama, ai gabon kur i përcakton sinorin atij se kur ai do e ndihmojë Kosovën dhe kur do e shoh vetëm punën e tij.
Mëritë politike nuk kanë të bëjnë me detyrimin kushtetues të shtetit shqiptar dhe me përcaktimet rigoroze q rrjedhin nga detyrimet kombëtare të saj.
Edi Rama dhe vetë institucionet e shtetit shqiptar, e kanë për detyrë të kenë në kohën e tyre Kosovën, shqiptarët në të gjithë trojet e tyre dhe ata, si ka ndodhur, as nuk presin t’u kërkojë dikush ndihmë dhe as nuk duhet të presin.
Keqkuptimet dhe enigmat fshihen pikërisht nga koha e ndersjelltë e marrëveshjeve.
Haradinaj, njëri nga njerëzit të cilit i kam besuar dhe i besoj më shumë se kujtdo tjetër, në përplasjet e tij me shefin e qeverisë së Tiranës, është gjithnjë në atë të drejtë që është e domosdoshme për të jetësuar praktikat politike mes dy shteteve shqiptare: ndërlidhjen pa asnjë ekuivok dhe pa ndarje.
Është fat që politika e Tiranës nuk e mendon Kosovën si një vend vasal apo të sundojë mbi të përmes një paternaliteti infantil, si ishte në kohën e Berishës dhe si ai , Berisha, përpiqet ta risjellë edhe një herë. Qeveria e tashme nuk ka gjetur në Kosovë armiqtë e saj dhe as nuk ka bërë ndarjen politike mes tyre.
Haradinaj e di këtë.
Por ai di edhe të vërtetën se krijimi i një mjegulle për të ardhmen e Kosovës nuk i bën nder askujt, e aq më tepër heshtja ndaj saj.
Duke krijuar këtë precedent politik , ai, si duket, kërkon të heqë këtë mjegull politike, e cila, kurrë nuk mund të bëhet ndarëse e perceptimit të së ardhmes së një kombi. Dhe kërkon ta heqë duke u përballur e jo duke i rrahur krahëve njëri tjetrit në paradite e duke i vënë brrylin në pasditen e afërt.
Ai i ka bërë mirë llogaritë e tij.
Mesazhin ndaj Edi Ramës e ka përcjellë si ka dashur vetë dhe është koha që Rama të thyejë heshtjen dhe të përcaktohet qartë: Është apo jo për ndryshimin e kufijve të Kosovës?
Të gjitha të tjerat janë “ dokrra në hi”.