Editorial31 Janar 2023, 11:58

Çfarë rrezikon realisht Kosova nëse i thotë “JO” SHBA?!

Shkruar nga Pamfleti
Çfarë rrezikon realisht Kosova nëse i thotë

Çfarë rrezikon realisht Kosova nëse i thotë “JO” SHBA?!

Që nga marrëveshja e Rambujesë, kjo është situata më e vështirë diplomatike që kalon shteti më i ri në Europë

Sot, në ambasadën e SHBA në Prishtinë, janë thirrur përfaqësues të qeverisë, mazhorancës, opozitës dhe shoqërisë civile për të marrë një qëndrim në lidhje me Asocacionin e Komunave Serbe.

Siç bëjnë të ditur burime diplomatike, amerikanët duan ta ndajnë situatën për këtë çështje në mënyrë të qartë. Ata duan të marrin një qëndrim të Kosovës ‘en block’ se çfarë ajo mendon për situatën aktuale. Situatë që Amerika e ka bërë të qartë se Prishtina nuk ka zgjidhje; vetëm të miratojë Asocacionin. Ndryshe do të konsiderohet një faktor regresiv, e do të humbë statusin preferencial të SHBA.

Realisht çfarë do të thotë kjo?

Në fjalë të thjeshta, Kosova është në një fazë që e ka provuar dhe përjetuar; përkatësisht në Marrëveshjen e Rambujesë. Ku, shefja e diplomacisë së SHBA, Madlene Allbright, i tha delegacionit shqiptar që të firmosë marrëveshjen, e cila e shikonte Kosovën nën Serbinë, dhe as nuk e kishte të shkruar askund termin “pavarësi” apo “shtet”. Por ajo që marrëveshja parashikonte ishte largimi i të gjitha trupave ushtarake dhe policore të Serbisë. E në thelb, le të mos përmendej fjala “pavarësi”, nëse nuk do të kishte trupa okupuese, atëherë pavarësia nënkuptohej që çke me të.

Nëse delegacioni i Kosovës nuk do ta firmoste atë marrëveshje, atëherë NATO nuk do ta bombardonte Serbinë, e kështu çlirimi i Kosovës nuk do të ndodhte. Për fat, ndodhi e kundërta. Serbia u bombardua, Kosova u çlirua e pas 9 vitesh fitoi edhe pavarësinë që e njeh shumica e botës, e i gjithë Perëndimi. NATO ruan dhe garanton integritetin e saj territorial.

Tani jemi në një fazë tjetër, atë të kthimit të shtetit të Kosovës, në një shtet që është subjekt i organizmave ndërkombëtare, ndërkohë që Serbia të mos ketë një justifikim për të vijuar marrëdhënien preferenciale me Rusinë.

Këtu SHBA po investon shumë dhe e ka llastuar aq shumë Beogradin, sa u pa qartë në vizitën e fundit të pesëshes, ku zyrtari i lartë i DASH Chollet, shprehte mrekulli dhe kënaqësi që takonte njeriun që e ka rritur dhe ushqyer Sllobodan Milosheviçi, përkatësisht ministri i Jashtëm, Ivica Daçiç.

Me fjalë të tjera, SHBA kërkon që t’i japë tani Serbisë Zajednicën në Kosovë. Kjo me letra, pasi faktikisht, në vitin 1999, Mitrovica u nda në Ibër nën “mirëkuptim” pa veprim të SHBA dhe gjithë fuqive Perëndimore. Pra, veriu i Kosovës, praktikisht është qeverisur nga Beogradi që pas 13 qershorit 1999. Atje ka bazën e vet shërbimi sekret serb, policia, shteti, e thuajse gjithçka komandohet nga qeveria serbe.

Kosova, vetë nuk e mban dot rendin në veri nëse nuk do të jetë KFOR, pra NATO, përkatësisht SHBA që garanton kufijtë e saj. Nëse Kosova e humb statusin preferencial me SHBA, ka shumë gjasa që NATO të ulë gjithnjë e më shumë personelin ushtarak në Kosovë, e kështu problemet në veri do të kthehen në një lloj “konflikti arabo-palestinez”. Ku Prishtina e Beogradi do të hyjnë e dalin në konflikte, do acarohen e zbuten pambarimisht, ku Perëndimi do hyjë vetëm për të ulur egërsinë e përplasjet siç ndodh në Lindjen e Mesme.

Por a mund të jetë Kosova një Izrael që të përballojë Serbinë, e cila ka aleat Rusinë e Kinën, dhe tashmë sipas gjasave është edhe më e afruar me Perëndimin? Logjikisht nuk mundet të jetë një Izrael, por edhe nuk i leverdisë që të mbahet një konflikt permanent në mes të Europës.

Megjithatë një Asocacion komunash si etnitet politik, është gjithmonë një ‘minë me sahat’ në shtetin e Kosovës. Albin Kurti ndoshta nuk merr përsipër që të firmosë një akt, i cili është një konçension i madh kundrejt Serbisë. E thënë në të vërtetë, as opozita e Kosovës nuk e merr përsipër që të kërkojë publikisht miratimin e Zajednicës. Po cila është zgjidhja? Do të ishte mirë një referendum popullor, por rreziku është që ai të kthehej në një garë patriotizmi politik e në fund të votohet kundër. Një akt i pakthyeshëm që mund ta çojë më keq situatën e të izolojë Kosovën. Kështu që gjithçka kthehet tek duart e mendjen e Albin Kurtit, i cili është votuar nga shumica e qytetarëve të Kosovës, jo për të refuzuar, por për të vendosur zgjidhjen më të mirë të Kosovës. Dihet qartësisht se Kosova do të ishte më mirë të mos e firmosë Asocacionin, por kur ky version nuk i lejohet, ç’duhet të bëjë? Rrugë ka pafund, qoftë edhe për të kërkuar siguri më shumë për Zajednicën që të mos bëhet një entitet që qeveriset nga Beogradi. Edhe sot e kësaj dite veriu i Kosovës, madje dhe shumë komuna në Jug si kishat e Deçanit apo Graçanica kontrollohen nga qeveria serbe. Influenca nuk mund të shuhet kurrë, pasi edhe Tirana zyrtare ka influencë në Prishtinë, tek shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, Mal të Zi apo Preshevë, rëndësi ka që të gjenden mekanizmat që e ndalojnë qeverisjen e Zajednicës nga Beogradi.

Një burim diplomatik i tha ‘Pamfleti’-t, se ka shumë gjasa se nëse Albin Kurti do të rezistojë sërish firmosjen e marrëveshjes, atëherë SHBA do të kërkojë publikisht që ai të largohet nga qeveria. Duke kërkuar një referendum popullor në Kosovën: Ose me Amerikën, ose me Albinin. Një variant shumë i vrazhdë e i rrezikshëm, po ka shumë gjasa i mundshëm. E loja në këtë rast mund të bëhet edhe më e rëndë jo thjesht për Albin Kurtin por për Kosovën më shumë…/Pamfleti 

Editorial #Çfarë rrezikon realisht Kosova nëse i thotë “JO” SHBA?!