Sport13 Shtator 2022, 17:46

Champions League/ Nga “xhelati” i Barcelonës në aleat kundër Bajernit, Robert Levandovski kthehet sonte Mynih

Shkruar nga Pamfleti
Champions League/ Nga “xhelati” i Barcelonës në aleat

Champions League/ Nga “xhelati” i Barcelonës në aleat kundër Bajernit, Robert Levandovski kthehet sonte Mynih

Të mërkurën (nesër) do të bëhet një vit që nga debutimi i Barcelonës në Ligën e Kampioneve në sezonin e kaluar. Ishte një debutim i hidhur 0-3 përballë Bajernit. Në fakt të gjithë e prisnin humbjen, madje, tifozët katalanas ishin aq pesimistë, teksa tema kryesore e diskutimeve ishte se sa gola do të shihnin në portën e tyre. Për fat, Bajerni u tregua i kursyer. Bavarezët u mjaftuan me 3 gola, një prej të cilëve mbante firmën e Robert Levandovskit. Dymbëdhjetë muaj më pas (me një ditë avancë), skenari duket se ka ndryshuar, është krejt tjetër. Sot, frika për t’u përballur me Bajernin është konvertuar në një mundësi të artë për të parë se sa ka përparuar Barcelona e Ksavit, por dhe për të parë nëse kjo Barcelonë është gati për t’u përballur sy për sy e dhëmbë për dhëmbë me Bajernin në kështjellën e këtij të fundit.

Tifozët e Barcelonës kanë nisur të jetojnë sërish me iluzione, jo eufori, pas një fillimi shumë të mirë të sezonit. Modeli është një tjetër. Që nga shprehja e shkruar tashmë në librat e historisë “skuadra është ajo që është” e Ronald Kumanit, Barcelona ka kaluar në një model tjetër, që në sulm bazohet as më shumë e as më pak, por tek lojtari që i ngjallte krupën sa herë gjendej përpara, Robert Levandovski. Polaku zgjodhi t’i largohej “rehatisë” apo zonës së komfortit në Mynih, duke preferuar një klub në telashe financiare e sportive si Barcelona. Pa kaluar pak muaj nga largimi i tij tek Barcelona, Levandovski do të kthehet sonte në mbrëmje si kundërshtar në stadiumin që për 8 sezone ka qenë shtëpia e tij. Tek Bajerni ai u bë golashënuesi i dytë më i mirë në historinë e klubit me 344 gola në 375 ndeshje zyrtare, shkruan “Panorama Sport”.

Para tij qëndron vetëm legjenda Gerd Myler me 528 rrjeta. Pritja që do t’i rezervohet Levës në Mynih është pikëpyetja më e madhe. Sikurse qëndron dhe pikëpyetja tjetër se çfarë do të bëjë polaku nëse i shënon Bajernit në Mynih. Natyrisht që historia e tij në Mynih do të peshojë mbi sulmuesin. Por Barcelona është e lumtur që e ka në përbërje, sepse Leva është transformuar nga xhelati i Barcelonës në Europë, në aleatin e saj numër një kundër një klubi që i ka shkaktuar shumë dhimbje në Europë. Leva paraqitet si rival në Mynih me kredenciale të jashtëzakonshme, si golashënuesi më i mirë në La Liga për momentin me 6 rrjeta dhe golashënuesi më i mirë në Champions pas takimeve të para me 3 gola. Ai di t’i shënojë Bajernit, e ka bërë me Dortmundin në 4 sezone (2010-2014), 5 gola në 14 takime. Tani do të provojë me Barcelonën.

Sport bajern Mynih Barcelona Robert Levandovski