Aktualitet26 Qershor 2018, 07:46

CIA zbardh detajet, si nisën përplasjet mes Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut. Frika e revoltave blindoi veriun e Shqipërisë

Shkruar nga Pamfleti
CIA zbardh detajet, si nisën përplasjet mes Enver Hoxhës dhe

CIA zbardh detajet, si nisën përplasjet mes Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut. Frika e revoltave blindoi veriun e Shqipërisë

Janë zbardhur të tjera detaje nga rivliteti mes Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut. Në një document të vitit 1951 tregohet se marrëdhëniet mes tyre nuk ishin të qeta dhe se përplasjet nisën për shkak të Bashkimit Sovjetik ku e shikonte ish-diktatorin si një njeri autoritar.  Në disa dokumenta të përkthyera nga gazeta ‘’SOT’’ dhe të deklasifikuara nga CIA thuhet se si regjimi komunist nisi shpartallimin e grupeve naziste.

27 tetor 1949

Për nisjen e operacioneve të transmetimeve radio të propagandës po sigurojmë tre transmetues me valë të shkurtra BC 610 për t’u instaluar në barkën e propagandës. Por përdorimi i transmetuesve me valë të shkurtra në këtë operacion është i dyshueshëm për arsyet e mëposhtme: Ne supozojmë, bazuar në informacionet e marra, se transmetimet duhet të jenë me valë të mesme për të arritur një audiencë sa më të gjerë në Shqipëri. Ne kemi propozuar që transmetimet tona të prodhohen në valët e radio-Tiranës (valë të mesme) me një sinjal të fortë sa për të dominuar radio-Tiranën.

Ne besojmë se shumica e aparateve marrëse me valë të shkurtra janë në dorë të klikës së Hoxhës dhe transmetimet për këtë grup nuk do të kenë përhapje verbale në publik. Ne e kuptojmë se vendimi për transmetime në valë të shkurtra bazohet në raportimet britanike se në Shqipëri ka më shumë aparate me valë të shkurtra nga sa mendohej, por ne nuk kemi parë prova konfirmuese për këtë.

Një tjetër faktor për t’u marrë në konsideratë është vështirësia për të siguruar një mjet të madh për aparatet me valë të mesme, që t’i afrohet brigjeve shqiptare. Britanikët duhet të na japin raportin e plotë për numrin dhe shpërndarjen e aparateve me valë të shkurtra në Shqipëri, dhe nëse faktet janë bindëse ne sigurisht do të tërheqim kundërshtimet tona.

COP duhet të sigurojë një mjet të përshtatshëm për të mbajtur transmetuesit me valë të mesme në ujërat shqiptare. Komandanti Smith tha se megjithëse kjo mund të jetë e mundshme, do të përshinte shumë shpenzime dhe përpjekje. Por ne besojmë se një mjet i tillë do të ishte i rëndësishëm për të gjithë projektin BGFIEND dhe mund të përdoret më vonë në zona të tjera si Bullgaria, Azia jugore apo Lindja e Largët. Veprimi për propozimin është në pritje për informacionet e kërkuara në propozim.

Tetor 1951

Lufta për pushtet Hoxha-Shehu

Kreu komunist i Shqipërisë Hoxha raportohet të jetë përfshirë në një luftë pushteti me të preferuarin e BRSS, gjeneral Mehmet Shehu. Arsyeja e armiqësisë, e cila është mbajtur shumë sekret, është unike në vendet socialiste sovjetike. Hoxha është themeluesi i Partisë Komuniste shqiptare në fuqi dhe ka vënë emrin e tij gjatë luftës. Ashtu si dhe Tito ai ka qenë bashkë-luftëtar me shumë nga bashkë-atdhetarët e tij.

Për të forcuar ambicien e tij personale dhe gjithashtu qeverinë e vendit, ai u nda nga Jugosllavia dhe nisi ta portretizonte veten si një tjetër “Skënderbe” që mbronte interesat kombëtare të Shqipërisë. Fushata e tij pati sukses dhe komunizmi në Shqipëri po personifikohet gjithnjë e më shumë vetëm me këtë person.

BRSS e shihte me dyshim rritjen e popullaritetit të Hoxhës, pasi preferonte që pushteti në vendet satelite të shpërndahej mes disa udhëheqësve komunistë që deri në një farë mase të konkurronin me njëri-tjetrin. Hoxha në mënyrë të pamëshirshme spastroi të gjithë elementët pro-titistë nga partia por ai është si figurë publike shumë i ngjashëm me Titon, prandaj mbi objekt dyshimet nga Bashkimi Sovjetik. Gjithashtu bashkëpunimi i mëparshëm me Jugosllavinë ishte një tjetër arsye që sovjetikët preferonin të ngrinin në përgjegjësi Mehmet Shehun.

Në vitet e pasluftës hegjemonia e Jugosllavisë në Shqipëri ishte një fakt i ditur, nga kompanitë e shumta jugosllave dhe prezenca e teknikëve që punonin në Shqipëri. Më në fund Tito propozoi që dy vendet të përdorin të njëjtën valutë, dinarin jugosllav.

 Gjenerali Shehu nuk ka të kaluar politike, por ka qenë në disa poste të rëndësishme në qeverinë e Hoxhës. Ai është më pak inteligjent se Hoxha por mbështetet hapur nga sovjetikët dhe e konsideron veten ekspert në çështjet ushtarake. Përpjekja mes Hoxhës e Shehut është ruajtur sekret nga popullata, e cila nuk është fare në dijeni të saj.

Dhjetor 1951

Gjatë vitit 1952 operacionet CIA/OPC në Shqipëri do të përqendrohen në dy tipe të ndara veprimi: Depërtimi dhe Ngacmimi. Operacionet e depërtimit në 1952 do të marrin formën e veprimeve të veçanta e të kufizuara me qëllim formimin e rrjeteve të vogla të komanduara nga një agjent i nivelit të lartë, i cili do të ketë kontakte me individë specifikë në qeverinë e Shqipërisë dhe në rrethet ushtarake, me anë të teknikave klandestine. Objektivi afatgjatë i këtyre operacioneve është konvertimi në anën tonë të figurave të larta të regjimit dhe sabotimi i degëve të ushtrisë dhe dikastereve të tjera të rëndësishme të qeverisë së Hoxhës, deri në momentin e përshtatshëm të përmbysjes së regjimit. Misioni i parë i caktuar për agjentët është rekrutimi i agjentëve kryesorë, që do të ndiqet nga organizimi i rrjeteve të agjentëve që më pas do të dalin nga vendi, duke lënë pas një sistem të sigurt komunikimi. Në disa raste agjentët kryesorë mund të dalin nga vendi bashkë me agjentët e rekrutimit. Pritet që gjatë 1952 të kryhen rreth 10 operacione të tilla dhe planifikohet që të pajisen me radio ata agjentë që mund t’i përdorin aparatet dhe të krijojnë komunikimin me bazën.

Operacionet e ngacmimit

Këto janë operacione afatshkurtra që kanë si objektiv ruajtjen e rezistencës pasive të popullit shqiptar ndaj regjimit si dhe krijimin e një potenciali të fjetur rezistence. Kjo do të arrihet me anë të lëshimit të misioneve të shpejta të sabotimit, të incidenteve të propagandës dhje të luftës psikologjike, të cilat do të shfrytëzohen dhe në programin e transmetimeve radio. Operacionet e ngacmimit do të koordinohen me ato të depërtimit dhe të lëvizjeve të tjera amerikane ose britanike kundër regjimit të Shqipërisë, në mënyrë që zhvillimi i tyre të mos dëmtojë masa të tjera.

 Operacionet e ngacmimit do të planifikohen në mënyrë të tillë që të minimizohet rreziku i hakmarrjes së autoriteteve ndaj popullatës civile. Përveç operacioneve me agjentë, CIA do të zhvillojë dhe programet e tjera të propagandës. Lëshimi fletushkave dhe pakove të ushqimit ka rezultuar efektiv në të kaluarën dhe pritet të vazhdojnë çdo gjashtë javë, ndërsa radio klandestine do të transmetojë në emër të Komitetit Kombëtar Shqipëria e Lirë. Publikimi i organit të Komitetit, gazeta “Shqipëria” do të vazhdojë dy herë në muaj, dhe tashmë ka nisur botimi i saj në gjuhën angleze për të shtuar publicitetin.

10 prill 1952

Raport BGFIEND

Në Shkodër dhe zonat rrethuese organizata e quajtur “Çlirimi” ka nisur rezistencën pasive. Në gusht 1945 ka nisur organizmi i grupeve të vogla me ide të ndryshme, por me qëllim kryesor luftën kundër regjimit të ashtuquajtur “popullor” me anë të propagandës dhe armëve. Në fillim të nëntorit 1945 u shpërndanë traktet e para të “Unionit Kombëtar” që drejtohet nga At Gjon Shllaku. Ndërkohë një tjetër grup i drejtuar nga doktor Fahri Rusi ka qarkulluar trakte që ftonin njerëzit të mos besojnë propagandën komuniste dhe të mos marrin pjesë në zgjedhjet e 2 dhjetorit.

Por gjatë shpërndarjes së trakteve grupi dhe kreu i tij Shllaku u kapën, u torturuan dhe u gjykuan. Grupi vazhdoi gjithsesi punën e tij dhe në 9 shtator 1946 u revoltua. Fillimisht revolucioni nisi mirë. Disa kazerma u rrethuan dhe ushtarët u çarmatosën, por mungesa e organizimit dhe gabimet teknike bënë që komunistët të merrnin situatën në dorë dhe të hakmerreshin ndaj kundërshtarëve. Një ditë më vonë tridhjetë njerëz u ekzekutuan; tetë në stadiumin e Shkodrës dhe 22 në fshatin Postribë. Në një kohë të shkurtër në Shkodër e fshatrat rreth saj u arrestuan mbi 1000 vetë.

Dymbëdhjetë ndërtesa shërbenin si burgje të sigurimit. Ata që kishin luajtur rolin kryesor në revolucionin e 1946 ishin vëllezërit Jup e Said Kazazi, Cin Serreqi, Dulo Kali, Qasim Rroji. Fshatit të Postribës iu bashkuan dhe fshatra të tjerë si Shtoj i Ri, Hoti, Guri i Zi, Sheldia, Ganjolle, Rec e Koplik. Dëmin më të madhe e pësoi fshati i Postibës me 40 të vrarë e të ekzekutuar, 70 shtëpi të djegura e rreth 500 të arrestuar.

Krimet

Në Shkodër, kur avokati Myzafer Pipa u mor në pyetje nga “Mbrojtja e Popullit” në shtëpinë e Pjetër Cucia, agjentët e Sigurimit u përpoqën ta detyronin të denonconte të tjerët, por ai nuk u përgjigj dhe Elez Mesi e qëlloi me pistoletë në gojë. Ish-shtëpia e punëtorëve “Malet tona” është kthyer në burg e quajtur “Burgu i Totës” ku patriotët rrihen me drunj dhe i përplasin kokën në shkallë. Në Gjykatën e Mbrojtjes në Shkodër, komunisti Astrit Karabeci rrahu patriotin Abdullah Kazazi, duke i thyer këmbën para oficerëve komunistë Zoi Themeli, Nesti Kerenxhi, Dule Rolli e Dulaq Lekiqi.

 Në gjykatë të burgosurit varen nga duart, siç ndodhi me doktorin Fahri Rusi, i cili u mbajt i varur për dhjetë ditë dhe më pas u ekzekutua. Avokati Paulin Pali u mbajt në një qeli prej 2 metra katrorë i lidhur me zinxhir nga këmbët, dhe më vonë u ekzekutua. Simon Daragjiati është rrahur me kamxhik dhe më pad kur ishte duke vdekur është hedhur nga dritarja e katit të tretë nga rojet Elez Mesi dhe Isuf Kurveleshi.

Profesor Qemak Dracini i arrestuar në Tiranë, thotë se ka parë në muret e gjykatës të shkruar fjalët: Sot më 18 shtator 1946 jam torturuar me kamzhik, me shok elektrik nga ora tetë e mëngjesit deri natën. Po shkruaj me gjakun që më rrjedh dhe një gozhdë që gjeta.

 Zonja Muzina Kokallari. Profesor Dracini pasi u torturua vendosi të vrasë veten duke prerë venat. Patrioti Rrok Luli, pasi i rezistoi torturave me rrymë elektrike, e kishin zhveshur dhe i kishin ngulur në trup gjilpëra. Duke parë që ai po rezistonte, komunisti Zoi Themeli mori një hekur të nxehtë dhe nisi ta digjte. Kur Luli e pa që Themeli po përdorte përsëri nxehtësinë përfitoi nga rasti dhe u hodh nga dritarja.

Dossier CIA Enver Hoxha Mehmet Shehu