
Prokurorët e SPAK janë duke hetuar shumë dosje të fshehta, qoftë në luftën kundër korrupsionit, qoftë në luftën kundër krimit të organizuar.
Prokuroria e Posaçme ka filluar të lëvizë pas emërimit të Altin Dumanit në krye të saj. Shkallët e organit të akuzës po i ngjisin edhe ata që dikur ishin të paprekshëm, si për shembull Shkëlzen Berisha. Por sinjalet janë se pas tij, të shumtë do jenë emrat e tjerë që do të ulen në bangën e të akuzuarve apo të dëshmitarëve.
Sipas burimeve të sigurta nga organi i akuzës, prokurorët kanë në dorë shumë dosje sensitive që janë “top sekret”. Deri më tani në media është përfolur për shumë çështje që dihen prej vitesh, Gërdeci, afera me Kompleksin “Partizani”, skandali i CEZ, lobimet dhe ndërhyrjet estetike të Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit, etj.
Por nuk janë këto dosjet e vetme që po lënë pa gjumë politikën shqiptare, pasi ka dhe shumë dosje sekrete. Vetëm në vitin 2022, në SPAK ka pasur mbi 100 kallëzime, ndërkohë që ka shumë dosje të vjetra që janë nën hetim. Mes këtyre dosjeve ka shumë çështje sensitive, qoftë në luftën kundër korrupsionit, ashtu dhe në atë të goditjes së krimit të organizuar.
Në krye të listës janë shumë dosje për abuzime me tenderat. Bëhet fjalë për padi të bëra nga KLSH, por edhe nga vetë punonjës të administratës. Po ashtu, ka me qindra kallëzime nga qytetarë të ndryshëm. Rasti më i freskët ishte sot, pasi në SPAK u pa ish-ministri Shkëlqim Cani, për një çështje që askush nuk kishte dijeni.
Sipas informacioneve, në muajin shtator 2022 ka pasur një kallëzim nga një grup ish-pronarësh të një toke në Tiranë, ku ndodhet një furrë buke. Ata pretendojnë se e kanë fituar të drejtën e tokës jo vetëm me vendim të AKKP, por edhe me vendim gjykate të Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese. Nga ana tjetër, disa ministri, përfshirë dhe Ministrinë e Financave, janë përfshirë në një procedurë ankandi të privatizimit të objektit dhe tokës. Këtë procedurë e ka fituar një subjekt tjetër dhe jo pronarët e tokës.
Por sipas informacioneve, dosje të tilla ka shumë dhe madje po hetohet në fshehtësi dhe për raste që shkojnë deri në nivele te larta. Një dosje për shembull që mund të përmendet është ajo e vrasjes së bankierit Artan Santo. Ajo po hetohet në sekret total nga SPAK dhe priten zhvillime të forta që mund të prekin edhe politikën.
Elementi tjetër që vihet re, është se që kur Dumani mori frerët e SPAK, hetimet po mbyllen brenda afateve. Vetëm këtë muaj kanë shkuar për gjykim dhjetra dosje. Pra duket sikur gurët po lëvizin dhe siç e tha ambasadorja Kim, ka shumë nga ata që rrinë pa gjumë. /Pamfleti