
Kinemaja verore këtë vit në Paris vjen pranë Luvrit dhe falas për të gjithë artdashësit. Shfaqja ka bërë bashkë qindra spektatorë që, përveç filmave, mund të shijojnë ushqim dhe muzikë të mirë në një hapësirë unike.
Me qindra spektatorë janë bërë bashkë për të ndjekur filmat që projektohen në ekranin e madh, në kinemanë e hapur pranë Louvre-t, në Paris.
Ideja është frymëzuar nga filmi I famshëm italian, me regji të Giuseppe Tornatore-s “Cinema Paradiso”.
Drejtuesi i projektit Elisha Karmitz, tha se synimi është që kjo hapësirë unike të shndërrohet në një vend argëtimi me aktivitete të tjera të kohës së lirë, të tilla si DJ ose pika cateringu.
“Ideja është të krijojmë një ngjarje të veçantë përmes kinemasë, t’i japim jetë këtij vendi, ta bëjmë kinemanë një moment të gëzueshëm, festiv dhe falas për të gjithë. Është e vërtetë që në Paris kemi fatin që mund të organizojmë evente në vende kaq madhështore dhe mbi të gjitha përpiqemi të krijojmë emocione, pasi është një vend për të krijuar kujtime për publikun”.
Falë partneritetit të tij me Netflix, festivali do të shfaqë gjithashtu “The Grey Man” disa ditë para publikimit zyrtar, filmin artistik të vëllezërve Russo me protagonist Ryan Gosling, një nga filmat më të pritur të vitit 2022.
“Është atipike sepse është jashtë, sepse është në Paris, sepse është në këtë vend të jashtëzakonshëm “, tha Dominique Richard, pensionist.
“Ne zgjodhëm këtë mbrëmje sepse filmi është në preview. Pastaj erdhëm edhe për pjesën e parë, ishte një DJ set nga grupi La Femme, që më pëlqen shumë. Dhe sinqerisht, është shumë e jashtëzakonshme të jesh në oborrin e Luvrit, nuk kemi mundësi të jemi aty çdo ditë” tha Annie Vendeportal, fizioterapiste.