
Citoi gjeneralin amerikan dhe foli për nderin, Lleshaj: E bëra qëllimisht, kemi një milion gjëra që na nxijnë jetën!
Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, ka treguar për herë të parë pse në fjalimin e tij të parë si ministër citoi gjeneralin amerikan MacArthur, si dhe foli për nderin, duke thënë se ka bërë gjithçka qëllimisht.
Në një studio televizive, Lleshaj është shprehur se nuk mund të braktisim nga fjalori konceptet themelore dhe nuk mund ta ndërtojmë jetën përmes klauzolave ligjore me njëri-tjetrin, kur kemi një milion gjëra të ligjshme që mund të nxijnë jetën.
Krasta: Në fjalimin tuaj të parë si ministër i Brendshëm, ju flisnit për nderin. Më bëri përshtypje, nuk flisnit për ligjshmërinë, për të drejtat e njeriut. Ju e bëtë fjalimin tuaj si oficer i lartë dhe jo si njeri që do të kishte të bënte me qytetarin në jetën e tij të përditshme. Ishte ky një qëllim mini-ushtarak, apo një mini lapsus?
Lleshaj: As lapsus. Ishte i qëllimshëm. Kam konstatuar se nga diskursi ynë publik janë zhdukur disa terma fondamentale për të na mbajtur bashkë ne si shoqëri, si komb. Po ta ndjekësh fjalorin publik të personazheve publike, nocioni i ‘nderit, Atdheut, detyrës’ janë të papranishme.
Krasta: Mund t’ju kishin akuzuar kritikët tuaj se këto janë nocione ‘patetike, retorike dhe s’kanë lidhje me mënyrën se si është organizuar jeta ligj zbatuese’….
Lleshaj: Sigurisht që mund të akuzohem. Unë atë ditë citova një gjeneral që kam përzemër, gjeneral MacArthur, i cili i ka përdorur këto terma në jetën e tij dhe në një fjalim të famshëm të tij. Mendoj se këto nuk janë retorikë. Por edhe nëse është retorikë. Nuk mund të braktisim nga fjalori koncepte themelore që na duhen. S’mund ta ndërtojmë jetën përmes klauzolave ligjore me njëri-tjetrin. Ne kemi një milion gjëra të tjera që janë të ligjshme dhe që mund të nxijnë jetën.