
Korporata Elektroenergjitike ka blerë 20,6 milionë euro energji elektrike vetëm për një javë. Sipas një tenderit të hapur për periudhën 11-17 korrik, KESH ka blerë 47,376 MWH energji elektrike me një çmim mesatar prej 434,88 euro duke kapur shifra rekord të kohëve të fundit.
Sipas KESH energjia me çmimin më të lartë e siguruar në oraret e pikut ka arritur që të sigurohet me një vlerë prej 443,79 euro për MWH.
Temperaturat e larta, mbi mesataren e periudhës gjatë javëve të fundit kanë shtuar ndjeshëm konsumin e energjisë elektrike në vend. Kjo ka detyruar KESH që të importojë energji për të plotësuar nevojat e vendit për konsum. Ndërsa i bën thirrje konsumatorëve fundorë të përdorin në mënyrë sa më eficiente energjinë elektrike.
Mungesa e reshjeve gjatë muajve të fundit ka bërë që edhe prurjet në Kaskadën e Drinit të bien ndjeshëm. Sipas të dhënave zyrtare të KESH gjatë ditëve të fundit prurjet në Fierzë kanë rënë në 60/m3 në sekondë. Ndërkohë që edhe niveli i ujit ka pësuar ulje me disa metra duke arritur në 287 metra në liqen afër mesatares shumëvjeçare të kësaj periudhe.
Nga përllogaritjet paraprake energjia pritet të kapë një faturë të kripur për buxhetin gjatë 3 muajve të verës .
Ndërkohë që Qeveria ka planifikuar që të ndryshoj çmimin energjisë elektrike për familjarët të cilët shpenzojnë më shumë se 700 KW orë energji elektrike në muaj. Por ende nuk ka një draft konkret në lidhje me këtë nismë e cila pritet të bëhet konkrete në shtator.