Aktualitet 1 Shkurt 2023, 09:38

Çmontohen edhe 37 kamera në qarkun e Elbasanit, 10 persona nën hetim

Shkruar nga Pamfleti
Çmontohen edhe 37 kamera në qarkun e Elbasanit, 10 persona nën

Policia e Shtetit prej ditësh ka ndërmarrë një aksion për zbulimin dhe heqjen e kamerave të vendosura paligjshmërisht, të cilat dyshohet se janë vënë kryesisht nga bandat kriminale.

Në kuadër të aksionit ‘Fijet’ në qarkun e Elbasanit janë çmontuar 37 kamera, ndërsa 10 persona janë aktualisht nën hetim.

Operacioni në fjalë është shtrirë në shumë qytete të vendit.

Strukturat hetimore të DVP Elbasan, në bashkëpunim me Komisariatet e Policise në varësi të saj, në zbatim të detyrave të përcaktuara në kuadër të planit operacional mbarëkombëtar të koduar “Fijet”, i iniciuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, si edhe mbështetur nga inteligjenca informative, për vendosjen e paautorizuar të disa kamerave në qytetet e Elbasanit, Gramshit dhe Peqinit, me qëllim sigurimin e informacioneve, për qëllime kriminale, si edhe për të monitoruar lëvizjet e Policisë, kanë organizuar punën për evidentimin dhe çmontimin e këtyre kamerave, identifikimin e pronarëve të këtyre kamerave, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të qëllimit të përdorimit.

-Gjatë fazës së dhjetë kombëtare, të këtij plani operacional, në Elbasan, në lagjet “5 Maji”, “Sul Paprri”, “Syrja Dylgjeri” dhe “Çlirimi”, u çmontuan 28 kamera dhe u iniciuan hetimet e thelluara, në bashkëpunim me Prokurorinë e Elbasanit, për 5 shtetas, konkretisht për: D. Rr., I. B., H. B., K. Xh. dhe A. I.

-Plani operacional ka vijuar në Gramsh, ku u çmontuan dhe u sekuestruan 4 kamera të vëna në kundërshtim me ligjin, dhe u iniciuan hetimet për shtetasit: R. D., S. Xh. dhe A. Ç., si dhe në qytetin e Peqinit, ku u çmontuan 5 kamera dhe u iniciuan hetimet për shtetasit H. Z. dhe E. Xh.

Kamerat e sekuestruara ishin vendosur pa lejen përkatëse të organeve kompetente. Vendosja e tyre është në kundërshtim me ligjin 9887, të datës 10.03.2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale” dhe përbën veprën penale “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”, që parashikohet nga neni 121 i Kodit Penal.”,- thuhet në njoftimin e policisë.

Aktualitet #operacioni “Fijet”