Bota11 Janar 2019, 09:46

Çoviç dhe ambasadori kroat festojnë me kriminelët serbë në Banjalukë. Çoviç person “non grata” në Shibenik

Shkruar nga Pamfleti
Çoviç dhe ambasadori kroat festojnë me kriminelët

Çoviç dhe ambasadori kroat festojnë me kriminelët serbë në Banjalukë. Çoviç person "non grata" në Shibenik?

Prania e liderit të HDZ Dragan Çoviç në shënimin e ditës së Republikës Serpska nuk ka qenë tepër befasuese. Por habi të madhe ka shkaktuar prania në Banjalukë e ambasadorit kroat në Bosnje-Hercegovinë.

Kryetari i partisë kroate në Bosnjë-Hercegovinë, HDZ, Dragan Çoviq dhe ambasadori i Kroacisë në B-H Ivan Del Vekio, kanë marrë pjesë në ceremoninën e shënimit të ditës së Republikës Serpska (9 janar) në Banjalukë. Kritikët thonë se ata në këtë mënyrë i kanë nderuar dhe respektuar kriminelët e luftës të cilët kanë granantuar madje edhe Shibenikun e Kroacisë.

Në Banjalukë janë nderuar Radovan Karaxhiq, Ratko Mlladiq dhe oficeri tani i vdekur i ish-APJ Slavko Lisica, i cili në vitin 1991 ka urdhëruar granatimin e Shibenikut dhe për këtë shkak në Kroaci është denuar për krime lufte.

Analisti politik Pejo Gashpareviç mendon se prania e Çoviçit në Banjalukë është një lloj reagimi ndaj zgjedhjes së Zhelko Komshiçit në Presidencën e B-H. „Vështirë është të besosh se Çoviçi nuk ka qenë i vetëdijshëm se do pjesëmarrja e tij në këtë ceremoni do të shkaktojë kritika, por ai ka pasur llogaritë e veta politike. Prania e tij në ceremoninë e festimeve në RW është një lloj përgjigje ndaj votuesve të Komshiqit, i cili në Presidencë është zgjedhur duke i falënderuar votave të boshnjakëve. Ky hap është pjesë e një konteksti më të gjërë të dinamikës politike në B-H”, mendon Gashpareviq.

„Turpi i Kroacisë”

Analisti kroat në Zagreb Davor Gjenero është i „shokuar” me paraqitjen e ambasadorit kroat në këtë ceremoni, me të cilën shenohet “festa shtetërore e Dodikut” si dhe “agresioni” ndaj Kroacisë. “Ndonëse ambasadori kroat në Sarajevë Ivan Del Vekio konsiderohet si një njeri tërësisht i paaftë për detyrën që ushtron, vendimin për shkuarjen në Banjalukë, të cilin e kanë denuar Sarajeva dhe përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, nuk ka mundur ta marrë pa e pyetur askend.”

„Partneriteti mes Dodikut dhe Çoviçit është shumë i qartë dhe ai jo vetëm që po rrezikon gjithnjë e më shumë tërësinë territoriale të B-H, por po shndërrohet në një gjë të pakëndshme edhe për Kroacinë. Mllefi me këtë partneritet nuk është vetëm çështje e opozitës në Kroaci, e cila e kundërshton hapur, por edhe e njerëzve të arsyeshëm brenda administratës kroate. Ndërkohë që duhet pritur nëse në ditët në vijim do të publikohen të dhënat se kush i ka lejuar ambasadorit Del Vekio të shkojë në Banjalukë dhe ta turpërojë Kroacinë. Kroacia duhet të mendojë mirë se çfarë politike po bën ndaj Sarajevës”, thotë Gjenero.

Ai mendon se zëvendësimi i shpejtë i ambasadorit kroat në Sarajevë Del Vekio, të cilit së shpejti i skadon mandati, mund të jetë një shans i mirë për ndryshimin e politikës kraote ndaj B-H. “Do të ishte mirë sikur Zagrebi t’ua përsërisë kroatëve në Bosnje fjalinë të cilën ua ka thënë dikur ish-presidenti Stjepan Mesiç: Kryeqyteti juaj ku duhet të zgjidhen problemet është Sarajeva. Nëse Kroacia dëshiron të kontribuojë për realizimin e interesit primar – stabilizimin dhe konsolidimin e B-H – atëherë Zagrebi nuk guxon të mbetet rob i politikës së Çoviqit”, thotë Gjenero.

Çoviçi person “non grata” në Shibenik?

Pas festimit të ditë së RS ka pasur reagime të shumta në Kroaci dhe B-H. Ish-presidenti Mesiç tha se prania e Çoviçit në Banjalukë me 9 janar është një mesazh për të gjithë ata që e kanë votuar.

„Kjo ditë që feston RS nuk ka kurfarë lidhje me Marrëveshjen e Dejtonit. Nuk mund të falen në asnjë mënyrë ata të cilët paraqiten në festimin e ditës kur kanë filluar krimet më të mëdha në B-H”, tha Mesiç.

E ashpër në reagimin e saj ka qenë edhe ish-kryeministrja Jadranka Kosor. “Festimin e ditës jokushteutese të RS, ku nderohet me çmim edhe Slavko Lisica, i denuar për krime lufte në Kroaci, por edhe Ana Brnabiq, pastaj kriminelët Karaxhiç dhe Mlladiç, e ka zmadhuar me praninë e tij edhe Dragan Çoviç. Për këtë shkak askush nuk do ta shpallë person non grata”, shkruan Kosor në Twitter.

Vizita e Çoviçit në Banjalukë është komentuar edhe në rrjetet sociale. “Dragan Çoviç është politikani i vetëm i cili nuk qanë mbi fatin e Vukovarit dhe feston ditën e RS”, shkruan avokati Senad Peqanin.

Banjaluka si në vitet 90-të

Agjencia e lajmeve Patria shkruan se “Çoviçi e ka festuar në Banjalukë zhdukjen e kroatëve nga territori i RS”. Ndërsa Haris Ljevo shkruan se Çoviçi duket se është i gatshëm që për hirë të miqsisë me Dodikun të harrojë faktin se “kroatët kanë qenë viktimë e gjenocidit politik mbi të cilin është krijuar RS”.

„Rikujtojmë se në territorin e RS kanë jetuar para luftës rreth 220.000 kroatë. Kisha katolike pohon se sot jetojnë atje vetëm rreth  15.000 kroatë, ndërkohë që numri i tyre po zvoglohet nga vitit në vit”, shkruan Ljevo. Ndërsa Dragan Bursaç shkruan se RS edhe sot feston “spastrimet etnike” në Banjalukë, të cilat kanë filluar në vitet 90-të./DW

Rajoni ambasadori i Kroacisë në Bosnje Hercegovinë Dragan Çoviç Ivan Del Vekio