Aktualitet 7 Maj 2019, 13:48

Çudirat e Vettingut! Kush është Kryeprokurori që jeton me qira, pa prona dhe automjete (Emri)

Shkruar nga Pamfleti
Çudirat e Vettingut! Kush është Kryeprokurori që jeton me

Çudirat e Vettingut! Kush është Kryeprokurori që jeton me qira, pa prona dhe automjete (Emri)

Drejtuesi i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec, Sotir Kllapi do të përballet të mërkurën më 8 maj me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Trupa gjyqësore që po kryen procesin e rivlerësimit për Kllapin përbëhet nga Lulzim Hamitaj, Roland Ilia dhe Firdes Shuli.

Sotir Kllapi ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës në vitin 2009 dhe ka nisur punën si prokuror fillimisht në Prokurorinë e Tiranës. Ai e ka ushtruar funksionin e prokurorit në Fier dhe Durrës, përpara se të emërohej drejtues në Prokurorinë e Pogradecit në vitin 2014.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për prokurorët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të prokurorit Sotir Kllapi nga viti 2009 deri në fund të vitit 2017.

 

Ky raport është prodhuar nga BIRN pas administrimit të deklaratave të pasurisë së këtij subjekti nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Ai ka për qëllim bërjen e transparencës mbi pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i nënshtrohen procesit të vetingut.

Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se prokurori Sotir Kllapi zotëronte kursime me vlerë rreth 1.1 milionë lekë në vitin 2009, kur deklaroi për herë të parë pasurinë pranë ILDKPKI-së. Në fund të vitit 2017, pasuria e prokurorit Kllapi është rritur me 3 herë, duke kapur vlerën e 4.1 milionë lekëve.

Drejtuesi i Prokurorisë së Pogradecit nuk deklaron të ketë pasuri të paluajtshme apo automjet dhe referuar deklarimeve të tij, ai jeton me qera në Qytetin Studenti. Ai zotëron 2.6 milionë lekë likujditete bankare dhe 1.4 milionë lekë kursime në cash.

Të ardhurat për periudhën deklaruese janë rreth 9 milionë lekë. Rreth 92% e të ardhurave kanë si burim pagën nga funksioni, 5% dhuratat e familjarëve në cash dhe 2.7% burojnë nga mësimdhënia.

Përveç analizës për rritjen/uljen e pasurisë, strukturën e aseteve dhe të ardhurave, ky raport paraqet dhe kontrollin aritmetik/logjik të deklarimeve të subjektit si dhe “flamujt e kuq’  që identifikohen gjatë kontrollit. Nga 10 deklaratat që iu nënshtruan kontrollit aritmetik/logjik, asnjëra prej tyre nuk rezulton me diferenca negative mes të ardhurave dhe aseteve.

Megjithatë, BIRN identifikoi si “flamur të kuq” kursimet e krijuara nga dhuratat nga prindërit; 400 mijë lekë në vitin 2009 dhe 98 mijë lekë në vitin 2014.

Duke qënë se ky raport bazohet në të dhëna statistikore të analizuara nëpërmjet një databaze, ai nuk nxjerr përfundime mbi pasurinë e subjektit nëse ajo është e ligjshme ose jo, por mëton të informojë publikun mbi pasurinë e deklaruar të zyrtarit publik nëpërmjet një formati të thjeshtë dhe të kuptueshëm grafik./BIRN

Aktualitet kreu i Prokurorisë së Pogradecit Pasuria Sotir Kllapi