Politike20 Mars 2018, 22:09

Dako e ka gjetur zgjidhjen për përmbytjet në Durrës: Shpresoj të…mos bjerë shi(?!)

Shkruar nga Pamfleti
Dako e ka gjetur zgjidhjen për përmbytjet në Durrës:

Qyteti i Durrësit, si rrallëherë, është goditur nga përmbytjet pas reshjet e shumta të shirave gjatë ditëve të fundit. Disa zona janë mbuluar nga uji ndërkohë që pushteti lokal është gjendur i papërgatitur për këtë situatë, duke shfaqur probleme në menaxhimin e përmbytjeve e duke lënë njerëzit në mëshirën e fatit. Vetë kryetari i Bashkisë Durrës, Vangjush Dako, e ka një argument për këtë që po ndodh, duke u justifikuar me faktin se Durrësi është nën nivelin e detit dhe se (siç thotë populli) këto janë “punët e perëndisë”.

“Kemi të dhëna që natën do të ketë përsëri reshje gjatë natës, ndaj për të përballuar këto reshje do jemi prapë në gatishmëri, por nuk mund të zgjidhim përfundimisht këtë situatë. Shpresojmë që reshjet të jenë sa më të ulëta që të mos ketë përmbytje. Në rast se reshjet do të jenë si ato të djeshmet përsëri do të kemi një situatë të rënduar”, – ka deklaruar Dako në një prononcim për emisionin “Studio e Hapur” në Neës 24. Me këtë rast, kryebashkiaku i Durrësit e thotë troç dhe pa pikë turpi se nuk ka asgjë në dorë, pasi sipas tij shkarkimet bëhen në det dhe uji kthehet mbrapsht duke përmbytur qytetin.

“Kjo situatë nuk është në dorën e kryetarit, është një situatë e cila për fat të keq e ka qyteti i Durrësit, pasi është një qytet nën nivelin e detit dhe ne të gjitha shkarkimet i bëjmë në det dhe në momentin kur deti është i fryrë është me erë dhe ka dallgë, tubacionet që shkarkojnë në det janë poshtë atij niveli dhe i gjithë uji kthehet mbrapsht dhe qyteti përmbytet. Me stacionet e pompimit që kemi, me ato kapacitete që kemi ne mund të përballojmë vetëm një sasi të caktuar, por jo për ta hequr ujin totalisht”, – thekoi Dako.

Një mesazh i qartë për qytetarët e Durrësit: që të marrin masa, të bëjnë ç’të munden dhe të shpëtojnë kokën, pasi pushtetit vendor apo qeveria nuk u bëjnë asnjë derman nëse bie shi. Përmbytjet do të vazhdojnë!

Politike Dako e ka gjetur zgjidhjen për përmbytjet në Durrës: Shpresoj të…mos bjerë shi(?!)