Aktualitet20 Maj 2018, 10:46

Dalin dokumentet, si Lulzim Basha ofroi garanci në 2008 për ekstradimin e Izet Haxhisë

Shkruar nga Pamfleti
Dalin dokumentet, si Lulzim Basha ofroi garanci në 2008 për

Zbardhen të tjera dokumente sa i takon ekstradimit të Izet Haxhisë. Deri më tani kanë dalë detaje të cilat tregojnë se Ministria e Drejtësisë, e drejtuar nga Ilir Rusmali gjatë qeverisë “Berisha”, ka ofruar siguri për rihapjen e dosjes së vrasjes së Azem Hajdarit. Mirëpo duket se kjo nuk ka qenë ministria e vetme që e ka kryer një veprim të tillë.

Në kërkesën që avokati i Haxhisë ka dorëzuar në gjykatë, rezulton se ka qenë dhe Ministria e Jashtme, ajo e cila në vitin 2008 ka kërkuar ekstradimin e Haxhisë. Pasi autoritete turke e arrestuan Haxhinë, nisën procedurat e ekstradimit, por ai i kundërshtoi dhe ju drejtua Gjykatës së Strasburgut. Por në vendimin e gjykatës rezulton se asaj i është drejtuar një shkresë nga Ministria e Jashtme në 2008, firmosur nga Suela Mëneri, ku jepen garanci për ekstradimin e Izet Haxhisë dhe rihapjen e dosjes.

“Në përgjigje të letrës suaj të datës 20 mars 2008, lidhur me ankimimin nr.34783/06 “Izet Haxhia Kundër Shqipërisë, po ju informoj sa vijon: Shtetasi Izet Haxhia është gjykuar dhe dënuar në mungesë. Në përgjigje të pyetjes suaj të parë të gjykatës, sa i takon të drejtës së ankuesit për të kërkuar rihapje të proceseve gjyqësore, që përfunduan me dënimin e tij, në kushtet kur procesi për ekstradimin e ankuesit nga Turqia është ende pezull, sqarojmë se shteti shqiptar, ndër të tjera i ka ofruar shtetit turk garanci për respektimin e së drejtës së ankuesit për t’u rigjykuar konform Kushtetutës së Shqipërisë dhe neneve 147, 148, 449, 450, 453 të Kodit të Procedurës Penale”, thuhet në letrën e MPJ kur në krye të saj ishte Lulzim Basha zbardhur nga “Sot”.

Premtimi për rihapjen e dosjes

Dokumenti i Ministrisë së Jashtme drejtuar Gjykatës së Strasburgut përfundon me premtimin se dosja e vrasjes së Azem Hajdarit do të rigjykohet. “Në këto rrethana, në bazë të dispozitave që cituam më lart, kërkojmë pranimin e kërkesës për rivendosjen në afat të së drejtës së ankimimit për në Gjykatën e Apelit Tiranë”, thuhet në dokument.

Ky dokument dëshmon se Ministria e Drejtësisë nuk ka qenë i vetmi institucion që ka garantuar rihapjen e dosjes “Hajdari” sepse një gjë të tillë e ka bërë edhe Ministria e Jashtme e drejtuar nga Lulzim Basha në vitin 2008. Kjo tregon se akuzat momentale të ish-kryeministrit Sali Berisha kundër qeverisë janë të kota. Ai ka akuzuar se Ministria e Drejtësisë iu ka garantuar autoriteteve turke rigjykimin e Izet Haxhisë dhe se për këtë arsye është kryer ekstradimi i tij në Shqipëri. Mirëpo faktet tregojnë se një gjë e tillë është premtuar edhe gjatë viteve kur në krye të qeverisë qëndronte Sali Berisha.

Aktualitet