Inspektorati Shtetëror Teknik Industrial , ka ngritur dyshimet se tragjedia e sotme Ostren të Bulqizës ku mbetën të vdekur 3 persona pjesëtarë të të njëtës familje, nuk është shkaktuar nga bombola e gazit.
Një grup ekspertësh kanë shkuar në banesën e familjes Tola për të bërë verifikimet mbi shkaqet e vdekjes së nënës bashkë me dy fëmijët, duke konstatuar se në banesë nuk është ndjerë erë gazi.
Nga ana tjetër një bombol gazi për gatim ka qenë në ballkonin e shtëpisë, por ajo ka qenë e mbyllur me siguresë.
“Kjo në foto është bombola e gazit në shtëpinë e familjes Tola në Bulqizë e gjetur nga grupi i ekspertëve të Inspektoriatit Shtetëror Teknik Industrial – ISHTI. Ajo ka qenë në pjesën e ballkonit të banesës. Kjo bombol mban rreth 10 litra gaz por në momentin kur është gjetur nga ekspertët ka rezultuar me 5 litra por me siguresë të mbyllur. Ndërkohë në pjesën e brendshme të shtëpisë në një dhomë të vogël grupi i ekspertëve ka evidentuar një sobë drush çka ka bërë që të dyshojnë që vdekja e anëtarëve të familjes Tola të ketë ardhur si pasoje e sasisë së madhe të druve dhe mbushjes së dhomës me sasi të madhe tymi.”, -bën të ditur ISHTI përmes një njoftimi për mediat.