Aktualitet14 Dhjetor 2018, 12:10

Dalin në shesh të tjera skandale të ‘përbindëshit të korrupsionit’ Mynyr Koni, si e ktheu Universitetin e Tira

Shkruar nga Pamfleti
Dalin në shesh të tjera skandale të ‘përbindëshit

Dalin në shesh të tjera skandale të 'përbindëshit të korrupsionit' Mynyr Koni, si e ktheu Universitetin e Tiranës në ‘pronë private’ (Raporti)

‘Gjakpirësi’ Koni ka ‘gllabëruar’ gjithçka në kurriz të studentëve

Rektori i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni, mund të cilësohet pa frikë si ‘përbindëshi’ i korrupsionit në Shqipëri. Brenda një kohe të shkurtër si rektor i UT, Koni arriti ta kthente Universitetin e Tiranës në ‘pronë private’, duke ‘gllabëruar’ gjithçka në kurriz të studentëve, të cilët ndodhen prej dhjetë ditësh në protestë për të rifituar të drejtat e tyre. Mynyr Koni ishte mbrëmë pjesë e akuzave të kryeministrit Edi Rama për shkelje të rënda dhe abuzime galopante financiare në UT.

Koni nuk është i panjohur për ‘bëmat’ e tij, që u bë i njohur mediatikisht, pas një lajmi se ishte kërcënuar nga Emiljano Shullazi për të mos kandiduar për postin e rektorit të UT-së, post që do ta fitonte më vonë. Ai është një ndër drejtuesit që ka përfitime të shumta financiare, ku siç njoftoi ‘Pamfleti’ dy ditë më parë ka marrë 11 pagesa të ndryshme, brenda një muaji.

Më 21 shkurt 2018 Ministria e Arsimit, Sporteve dhe Rinisë urdhëroi nisjen e auditit në Universitetin Publik të Tiranës, që drejtohej nga Koni. Një grup prej 5 ekspertësh financiarë dhe juristë shkuan si përfaqësues të ministrisë në Universitet për të kryer verikime për procedurat e administrimit akademik dhe finnanciar të UT-së. Auditi erdhi pas skandalit të mungesës së fondeve për të paguar rrogat e pedagogëve, që shkaktoi një stuhi të madhe mediatike dhe akuza të stafeve akademike ndaj qeverisë se po linte pa bukë pedagogët.

Procesi i verifikimit që zgjati 10 ditë u pasua nga një raport përfundimtar prej 36 faqesh ku viheshin në pah gjetjet kryesore: shkeljet juridike dhe abuzimet e mëdha financiare nga rektori Mynyr Koni dhe të dekanëve të fakulteteve të Tiranës.

Audituesit Alqi Kushi, Mirela Bimo, Jeton Shehu, Iva Beliu dhe Bledar Biçoku konstatuan se në Universtetin e Tiranës kishte problematika të administrimit të brendshëm, kryesisht nëpërmjet bllokimit të procedurës së brendshme të protokollimit, delegimit dhe vulosjes se praktikave shkresore, duke sjellë konfuzion në ushtrimin e funksioneve nga të gjitha organet dhe autoritetet drejtuese të këtij institucioni.

Sipas projekt-raportit që mban datën 30 mars 2018, dërguar rektorit të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni, nga Ministrja Lindita Nikolla, rezultoi se rektori kishte mosmarrëveshje pothuajse me të gjithë administratën, përfshirë drejtuesit e njësive kryesore, ish-kancelarin dhe administratorin e ri, siç konfirmohej nga procesverbalet e mbledhjeve të organeve kolegjiale, por dhe nga korrespondencat zyrtare midis autoriteve drejtuese akademike

Në raport rezultonte se kishte pretendime për procedurat e punësimit të personelit akademik, mbi kompetencat ndaj personelit administrativ, mbi pezullimin nga detyra të ish-Kancelarit të UT-së, Robert Skënderi, mbi varësinë e strukturave, midis Rektorit dhe Bordit te Administrimit apo Administratorit, në protokollimin e shkresave zyrtare të nxjerra nga autoritetet dhe organet drejtuese të UT dhe përdorimit të vulave nga organet drejtuese në Rektorat.

Ministria e Arsimit shprehej se rektori Koni mori nën kontroll fizik dhomën e serverit, por sipas akteve të brendshme të UT-së, bllokimi i sistemit informatik përbënte shkelje shumë të rëndë, pasi informacioni që përmban serveri është i rëndësisë së veçantë pasi në këtë sistem janë hedhur informacione të mbrojtura me ligj për studentët. Një nga pasojat e këtij veprimi sipas MASR është edhe se nuk janë hedhur notat e studentëve dhe nuk është bërë as publikimi i tyre. Koni kapërceu kompetencat, duke ushtruar funksionet e bordit të administrimit të UT dhe të administratorit. Auditi konstatoi ushtrim funksionesh dhe kompetencash nga ana e organeve dhe autoritetet drejtuese të UT në kapërcim të kompetencave të dhëna nga kuadri ligjor në fuqi dhe duke shkaktuar shkelje të ligjit dhe dëme financiare. Auditi konstatonte se rektori bënte prokurime për moblije, apo për ruatje fizike, në shuma të mëdha, duke bashkëpunuar edhe me dekanë, siç është rasti i Valentina Dukës, tashmë deputete e PD-së.

Bordi i Administrimit të UT-së, 11 akuza rektorit Koni

Përpara kësaj shkrese zyrtare të Nikollës, drejtuar Konit, më 19 shkurt 2018, Bordi i Administrimit të Universitetit të Tiranës publikoi 11 shkelje nga ana e rektorit Mynyr Koni, duke filluar nga mosrespektimi vendimit të Bordit, deri tek përdorimi për shërbime personale i automjetit të institucionit.

Sipas deklaratës, që prej fillimit të veprimtarisë Bordi është përballur me një qasje mosbashkëpunuese nga Z. Koni, i cili me intensitet ka vepruar për të penguar Bordin dhe vetë administratorin e UT-së që të ushtrojë kompetencat e veta duke mosnjohur dhe refuzuar vendimet e bordit dhe administratorit, duke ndaluar stafin administrativ të zbatojë vendimet e marra prej tyre, duke kërcënuar dhe punonjësit e administratës së rektoratit edhe me masa të paligjshme disiplinore që të mos zbatojnë vendimet e administratorit dhe bordit. Rektori nuk e ka njohur Bordin dhe administratorin, nuk ka protokolluar asnjë shkresë të administratorit dhe ka ndaluar protokollin e rektoratit që të jetë në funksion edhe të Bordit dhe të Administratorit. Koni në vijimësi ka shprehur në mënynrë shkresore por dhe verbale vullnetin e tij për të uzurpuar kompetenca administrative/financiare, funksione që ligji ia ka dhënë Bordit dhe Administratorit dhe penguar që ato të ushtrohen nga organet apo autoritetet e ligjshme.

1) Rektori nuk ka respektuar Vendimin e Bordit të Administrimit të UT nr 2 datë, 01.02.2017 “Për ngarkimin e përkohshëm të funksioneve dhe kompetencave të administratorit të Universitetit të Tiranës, kancelarit të këtij Universiteti”, vendim ky i ankimuar në rrugë gjyqësore nga rektori dhe i lënë në fuqi nga gjykata e shkallës së parë si e pabazuar në ligj, por sidoqoftë Z.Koni ka vijuar të mos e njoh dhe zbatojë këtë vendim dhe efektet e tij.

2) Rektori nuk ka lejuar (me urdhëra të shkruar) ish – Administratorin e komanduar dhe më pas Administratorin e UT aktual të kenë akses në zyrën e protokoll-arkivës. Me urdhrin nr.7, datë 30.01.2017 “Mbi korrespondencën zyrtare”, Rektori i UT-së ka urdhëruar protokollin e administratës së Rektoratit të UT-së të mos pranojë shkresa nga Administratori i komanduar, duke bllokuar punën administrative.

3) Rektori ka organizuar në bashkëpunim me disa punonjës administrativë në administratën e Rektoratit, pengimin për ushtrimin e funksioneve ligjore të Administratorit të komanduar duke mos lejuar futjen në zyrë prej datës 3 gusht 2017 e në vijim deri në largim të Administratorit të komanduar.

4) Në mënyrë të vazhdueshme Rektori ka penguar jo vetëm ushtrimin e detyrave të funksionale të Administratorit të komanduar dhe Administratorit aktual, por edhe ato të Bordit të Administrimit në menaxhimin e aktiviteteve të përditëshme të Universitetit të Tiranës.

5) Rektori i UT-së ka komanduar në detyrë punonjësit e administratës së Rektoratit dhe Fakulteteve (mbi 10 raste), pozicionet e punës të të cilëve lidhen vetëm me përmbushjen e detyrave administrative. Në tejkalim të kompetencave të tij ai ka lidhur dhe vazhdon të lidhë kontratat e punës me punonjësit administrativë, pika 5 të Ligjit për Arsimin e Lartë, Rektori ka kompetencë të nënshkruajë vetëm kontratat e punës të personelit akademik dhe ndihmës akademik në institucionet e arsimit të lartë;

6) Në shkelje të rëndë të ligjit, Rektori ka zbardhur një vendim të ndryshëm nga ai i miratuar në mbledhjen e Senatit ‘Për miratimin e buxhetit të UT për vitin 2017” dhe ka dërguar për shqyrtim në Bord vetëm 40% të materialeve shkresore të miratuara.

7) Rektori i UT-së, me shkresën nr. prot. 3352, datë 03.08.2017 “Vendim nr.116 datë 03.08.2017 “Për pezullimin nga detyra të Kancelarit të Universitetit të Tiranës”, shkel në mënyrë flagrante ligjin, duke vepruar në tejkalim të funksioneve të tij ligjore.

8) Në tejkalim të kompetencave të tij, Rektori ka miratuar programin vjetor 2017 dhe programin afatmesëm të auditimit 2017-2019 të Universitetit të Tiranës, në kundërshtim flagrant me Ligjin nr. 114/2015 “Për Auditimin e Brendshëm në sektorin publik”, në nenin 11 të të cilit cilësohet se: “Njësia e auditimit të brendshëm ka varësi organizative dhe funksionale tek titullari i njësisë publike dhe raporton në mënyrë të drejtpërdrejtë tek titullari i njësisë publike. Në kuptim të këtij ligji titullar i njësisë publike, në njësitë të cilat drejtohen me organe vendimmarrëse kolegjiale, konsiderohet ky i fundit”.

9) Në shkelje të rëndë ligjore, e në tejkalim të kompetancave ligjore, Rektori i UT-së është vetëcilësuar si Titullar i Autoritetit Kontraktor të UT-së, drejton të gjitha procedurat për realizimin e prokurimeve publike dhe ka firmosur kontrata me operatorët ekonomikë, subjekt të LPP; Kontratat administrative me të tretët për sigurimin e mallrave dhe shërbimeve mbështetëse universitare nuk po zbatohen nga Administratoreët e disa fakulteteve pasi janë kontrata të pavlefshme, përfaqësim, i cili, mbart edhe pasojat financiare që rrjedhin prej tyre. Në përgjigje të kësaj situate Rektori, në tejkalim të kompetencave të tij, ka dhënë masa disiplinore ndaj kancelarëve të fakulteteve, me motivacionin: “Për moszbatim të detyrave të ngarkuara nga Rektori i UT-së, lidhur me zbatimin e kontratës me objekt “Shërbimi privat i sigurisë fizike të UT-së, Loti 1 dhe kontratës me objekt “Blerje, prodhim, instalim, pajisje dhe sisteme mobilimi për UT”.

10) Me anën e Vendimit nr. 133, datë 01.09.2016 Rektori ka urdhëruar në mënyrë të paligjshme dypunësimin me kohë të plotë të personelit akademik të UT, në kundërshtim me Ligjin nr. 80/2015 “Për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Institucionet e Arsimit të Lartë në Republikën e Shqipërisë”, dhe me VKM Nr. 329, datë 12.4.2017 “Për statusin dhe trajtimin e veçantë të personelit akademik”, pika 16.

11) Rektori i UT-së ka përdorur për shërbime personale Automjetin që është aktiv afatgjatë material gjendje në magazinë, në inventarin e aktiveve të Rektoratit.

Lidhur me veprimet e paligjshme të Rektorit kanë reaguar zyrtarisht anëtarët e Bordit të Administrimit, të cilët i kanë kërkuar Rektorit të ndalojë gjëndjen e paligjshmërisë, por ai me veprimet dhe qëndrimin e tij ka vijuar të thellojë përditë e më shumë problematikat në administrimin e UT-së duke rënduar pasojat e paligjshmërisë.

Rektori Koni i cili për një kohë të gjatë nuk njohu administratorin e komanduar por dhe më pas në Dhjetor 2017, pas emërimit të administratori konform gjithë procedurave ligjore, ai vijon të mos njohë as administratorin e ri të UT.

Në mënyrë të vazhdueshme Rektori po pengon jo vetëm ushtrimin e detyrave funksionale të Administratorit, por edhe ato të Bordit të Administrimit në menaxhimin e aktiviteteve të përditshme të Universitetit të Tiranës. Që prej muajit Shkurt 2017,bordi administrimit nëpërmjet vendimeve dhe shkresave ka informuar dhe ka vënë në dijeni rektorin për shkeljet e vazhdueshme nga ana e tij të cilat vazhdojnë të kryhen nga rektori i UT.

Me urdhërat e lëshuar prej tij, Rektori u ka kërkuar punonjësve të Rektoratit të zbatojnë vetëm urdhëresat e tij, duke injoruar kompetencat që ligji për arsimin e lartë i ka dhënë Administratorit edhe pse strukturat administrative të Rektoratit të UT-së janë në varësi të plotë funksionale dhe strukturore nga Administratori i UT-së.

Z. Koni ka lëshuar urdhërin me nr 34, datë 19.12.2017 ku urdhëron zyrën e protokollit të rektoratit të UT që të mos regjistrohet në regjistrin e protokollit dhe të mos vendoset vula zyrtare në dokumentat e prodhuara nga administratori UT-së. Madje Rektori, edhe për shkresat e ardhura në protokollin e UT-së nga institucionet e tjera në adresë të Administratorit nuk lejon që ato t’i dorëzohen atij, duke krijuar kështu një bllokim informacioni me pasoja ligjore.

Gjithashtu rektori UT ka kërkuar me vendimin nr.185 datë 19.12.2017 zgjidhjen e menjëhershme të kontratës së punës me UT-në të Drejtoreshës së Financës dhe Buxhetit pasi ajo nuk ka pranuar të zbatojë urdhërat e paligjshme të rektorit. Po me vendim nr.184 datë 19.12.2017 rektori kërkon zgjidhjen e menjëhershme të kontratës së punës me UT-në të përgjegjëses së sektorit juridik ku sipas tij nuk ka respektuar hierarkinë që do të thotë të mos konsiderojë bashkëpunimin me administratorin e UT, por të njohë si titullar vetëm rektorin e UT-së.

Bordi i Administrimit, pavarësisht pengesave të vazhdueshme nga ana e Rektorit ka funksionuar dhe do vazhdojë punën e tij në mbrojtje të institucionit nga shkeljet, abuzimet dhe paligjshmeritë’-thuhej në deklaratën e Bordit të Administrimit të UT-së.

Aktualitet Korrupsioni Mynyr Koni universiteti i tiranes