Kosova 8 Dhjetor 2022, 15:48

· Prishtine

Shkruar nga Pamfleti
· Prishtine

Publikohet plani franko-gjerman: Nuk përmendet njohja e ndërsjellë

Mediat në Serbi kanë raportuar për versionin e ri të propozimit franko-gjerman për zgjidhjen e çështjes midis Kosovës dhe Serbisë, duke dhënë detaje rreth këtij plani.

Sipas gazetës serbe “Danas”, nuk ka devijim nga parimet themelore.

Pretendohet se pjesë e këtij propozimi do të jetë edhe themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

“Kosova merr njohje ndërkombëtare, përkatësisht anëtarësimin në Këshillin e Evropës, që është e sigurt, si dhe anëtarësimin në Kombet e Bashkuara, ndërsa Serbia merr Asociacionin e Komunave me shumicë serbe”, kanë njoftuar burime diplomatike për “Danasin”.

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, u ka dorëzuar në fillim të kësaj jave Kosovës dhe Serbisë, versionin përfundimtar të propozimit që po njihet si franko-gjerman.

Edhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, në konferencë për media të martën pas Samitit në Tiranë, pranoi se janë bërë disa modifikime në propozim dhe se u është dorëzuar palëve.

Sipas “Danas”-it,  presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka vetëm pak javë kohë për të vendosur mbi këtë propozim.

Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë të martën se kryeministri Albin Kurti e ka pranuar këtë propozim, por se përmbajtja e tij duhet të mbahet konfidenciale dhe e mbyllur për publikun.

Prishtine Albin Kurti Aleksandar Vuçiq Propozimi franko-gjerman

Kosova