Në dy intervista të ditëve të fundit të Edi Ramës, i cili natyrisht mbiu në ekran, kanë rënë në sy dy gjëra të cilat çuditërisht nuk janë komentuar nga media shqiptare.
Si në intervistën për La 7 me Enrico Mentana-n, ashtu edhe në intervistën me Mustafa Nanon, Edi Rama u pyet për dy nga politikanët kontraversë dhe populistë të Europës, por edhe mënyrat e tyre të drejtimit.
Kështu Mentana, meqë e kishte Ramën, të cilin tha publikisht se e kishte mik, ngaqë mbante mend takimet me të si lider opozite dhe kryetar bashkie, e pyeti për vendimet e marra nga Viktor Orban në Hungari, i cili sipas tij ka marrë kompetenca të jashtëzakonshme në kohën e Covid 19, duke qeverisur pa nevojën e Parlamentit.
Mentana e pyeti Ramën si e konsideron këtë mënyrë autoritare të qeverisuri, duke shpresuar se do të marrë një përgjigje kritike nga një politik socialist e liberal.
Por kryeministri shqiptar e zhgënjeu gazetarin e njohur Italian. Rama, pasi bëri një pauzë, tha se çështja nuk duhet trajtuar pa e njohur situatën, pastaj situata të tilla si katastrofa e Covid 19 duhen trajtuar me kujdes. Praktikisht kreu i qeverisë shqiptare, njëkohësisht lideri socialist në Shqipëri, mbrojti mikun e ngushtë të Berishës, Viktor Orban, atë që fshehu Nikolla Gruevskin nga drejtësia për gjëmën që u ka bërë qytetarëve të vet, por edhe Bashkimit Europian.
Rama mbrojti njeriun që socialistëve hungarezë u ka nxirë jetën duke mos i lënë të paraqiten të barabartë në zgjedhje, prej blerjes dhe klientelizmit të skenës politike në Hungari.
Megjithatë, parë në thelb, Edi Rama nuk po i lë gjë mangut Viktor Orbanit. BE dhe mediat perëndimore po i bien këmbanave duke lëshuar alarmin se Orban po qeveris jo me ligje por me akte normative të përkohshme.
A nuk po bën të njëjtën gjë edhe kryeministri ynë?!
Ekzaktësisht! Dhe jo vetëm në kohën e koronës, por që më herët, kur nxori aktin normativ për KÇK-në e shumë të tjerë. Parlamentet në Europë, por edhe në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Serbi etj nuk janë të mbyllura. Ata vazhdojnë të mblidhen në mënyra të ndryshme, por përgjithësisht në atë konvencionale.
Në Itali, që është vendi më shumë i goditur nga Covid 19, Dhoma e deputetëve dhe Senati janë në punë non stop pasi qeveria i dërgon atje dekretet që ndërmerr çdo 24 orë për t’ju përgjigjur emergjencës.
Kurse Rama, asnjë akt normativ që ka nxjerrë që prej 8 marsit, jo vetëm nuk e çon në qeveri, por e shpall menjëherë në Facebook, duke ja kaluar edhe vetë mbretit Diell-Luigjit të XIV.
Të njëjtën simpati Rama shfaqi edhe për Matteo Salvinin, pappette-n që mobilizoi të gjithë politikën italiane për ta larguar nga qeveria, pasi donte t’i mblidhte të gjithë pushtetet në duart e tij.
“Është burrë i mirë dhe mjaft xhentil” tha Rama në intervistën për Muç Nanon, duke ilustruar se shkëmbente shpesh mesazhe me atë që e ka quajtur veten si “Duçja i shekullit të 21”.
Kjo simpati për autoritarët e kreut të qeverisë shqiptare, të cilit oreksi për pushtet nuk i ndalet dhe ka thënë që kërkon mandatin e tretë, nuk është gjë e re.
Mjafton marrëdhënia me Erdoganin, të cilin Rama e miklon me një mjeshtëri të hatashme, duke shkuar gati një herë në muaj në divanin e dollmabaçesë në Stamboll, e duke i fryrë në vesh: sulltani im, më ndihmo me këshillat e tua që edhe unë të kem sukses si ti.
Dhe prej kohësh Rama, i cili duhet thënë është më politikani nga të gjithë këtu, pasi punon me këshilltarë strategjish e me spin doktora, nuk ka më polititologë liberalë siç ishte britaniku Tony Blair, dhe krahu i tij i djathtë, Alistar Cambell.
Rama, këshillat tani i merr nga “Sulltani i tij” dhe politikanë të kësaj sëre si Orban e Salvini, pasi nuk i duhet të qeverisë, por të sundojë.
E tha troç të Mustafa Nano: ata janë fitues, ndaj dhe të suksesshëm…/Pamfleti