
Mazhoranca dhe opozita janë përplasur fort sot në Kuvend për Portin e Durrësit. Mazhoranca do të votojë sot marrëveshjen me arabët, ndërkohë që opozita e kundërshton draftin.
Ishte kryeministri Edi Rama, ai i cili mori fjalën dhe mbrojti me fanatizëm projektin. Rama lartësoi investitorin arab duke e cilësuar si një ndër investitorët më të mëdhenj. Nga ana tjetër sulmoi dhe akuzoi opozitën se shpif për Portin e Durrësit.
“Vetëm 1 euro, të tërë zonën. Jeni ortak thonë në një kompani offshore. Mufot e çufot, ku nuk mungojnë gjelat e detit sepse janë tregues të demokracisë moderne. Ndërkohë që kompania është bërë publike. Nuk është Emaari thonë, prandaj na qenka mashtrim, këta s’kanë cipë. Mua më dinë si veten e tyre, llupës të pangopur. Po akuzojnë edhe themeluesin e një kompanie globale i cili është në drejtën e tij të vij dhe të ndërtojë një kompani Eagle Hill Albania… Muhamed Alabaari, që Allahu e tij e di se çfarë i duhet në gojën e ndyrë të vagabondëve të 1914. Ngrini kauza për një personalitet të një kompanie globale, ai duhet pritur me lule këtu, se do hapë rrugë për investimin e këtij vendi. 12 mijë vende pune”, tha Rama.
Më tej kryeministri u shpreh se është shumë krenar për marrëveshjen. Nga ana tjetër ai sulmoi opozitën. Kryeministri po ashtu u mundua të ironizojë duke recituar poezi duke citur autorë të ndryshëm.
“Ne jemi krenarë për kontratën që e sjellim për votim në Kuvend. Do të kemi kohë të përballim dokrrat. Dikur në kohën kur në Shqipëri sapo kishte nisur të qeveriste Napoleoni i gjirizave, zbriti një Piter Pan. Njeriu i duhur në kohën dhe vendin e duhur që ra mes minjve të gjirizit që kërkuan të kërcejnë napoleonin me shaminë përgjysmë. Ishte diku viti 2006. Iku me të katra sipërmarrësi për në Mal të Zi që ndryshoi përgjithmonë vendin fqinj me Porto Montenegro. Shihni bilancat e pagesës në Mal të Zi. Atje pati rritje të ndjeshme të rrogave në sektorin privat dhe publik. Hapni sytë. Po ç’ti hapni sytë, s’ju lë mallkimi që keni mision. Ai investim ishte 10 herë më i vogël se ky që do të bëjmë ne për Durrësin që nëse s’do ishte trajtuar si lodër në duart e tyre të pista, do kishim prej vitesh portin turistik dhe shqiptarët do kishin të mirat dhe të ardhurat e mëdha që do i sillte vendit tonë, jo Malit të Zi”, tha Rama.
Ndaj tij replikoi kreu i grupit parlamentar demokrat, Enkelejd Alibeaj. Ai ngriti shumë pikëpyetje për marrëveshjen me arabët. Sipas tij kemi të bëjmë me një vjedhje tepër masive. Alibeaj pyeti se përse nuk pati garë dhe përse mazhoranca nxitoi ta kalojë draftin me urgjencë.
“Vjedhje masive e pasurive tuaja. 54 minuta nga koha juaj për 2.1 miliardë për xhepin e tij. E bëri me një fjalim për të ngritur peshë patriotizmin peshë në zemrat e shqiptarëve. I njëjti fjalim si për inceneratorët. Sot pas kaq vitesh të inceneratorëve, ajo që mund të numërohet është sesa ministra deputetë janë prapa hekurave. Ajo që ndodh sot nuk është gjë tjetër veçse një skenë e parë që do t’i paraprijë numrit të ministrave e deputetë për të shkuar para hekurave. I vetmi që ruhet është ai që mblodhi plaçkën edhe iku. Asnjë firmë nuk ka hedhur.
Të kuptojmë qartë se ç’po ndodh. Pse nuk ka garë. Ky Alabbar i famshëm, pse nuk k garë. A nuk duhej të ishte një sjellje që të mbronte interesin e pasurisë së shqiptarëve”, tha Alibeaj.
Seancë e sotme parlamentare pritet të jetë maratonë. Fillimisht ishte vendosur që të kishte 6 orë debat për Portin e Durrësit, por PS u tërhoq dhe pritet që të ketë diskutime. Ndërkohë mazhoranca e ka ndarë mendjen për votimin e draftit. /Pamfleti