Bota 2 Gusht 2019, 08:14

Debati demokrat, rivalët vënë në shënjestër ish-nënpresidentin, Joe Biden

Shkruar nga Pamfleti
Debati demokrat, rivalët vënë në shënjestër

Debati demokrat, rivalët vënë në shënjestër ish-nënpresidentin, Joe Biden

Ish-nënpresidenti amerikan, Joe Biden ishte në qendër të skenës në debatin presidencial demokrat të mërkurën dhe shpesh u bë objekt i sulmeve të disa prej nëntë rivalëve të tij. Por zoti Biden u kundërpërgjigj dhe argumentoi me forcë se është demokrati që ka më shumë shanse të fitojë ndaj Presidentit Donald Trump vitin e ardhshëm. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Jim Malone sjell më shumë hollësi për debatin e dytë të raundit të dytë mes kandidatëve demokratë.

Në natën e dytë të debateve demokrate në Detroit, kandidati që ka më shumë mbështetje Joe Biden, u përball me shumë sulme nga rivalët e tij lidhur me kujdesin shëndetësor, imigracionin, ndryshimet e klimës dhe drejtësinë penale.

Por edhe zoti Biden u kundërpërgjigj ashpër ndaj kritikëve, përfshirë senatoren nga Kalifornia, Kamala Harris lidhur me propozimet e tyre për sistemin shëndetësor.

“Dhe që të jem i sinqertë dhe i drejtpërdrejtë, nuk mund të fitosh ndaj presidentit Trump me plane të kundërta për këtë plan”, tha ai.

“Mendoj se duhet ta mendoni mirë atë që po thoni. Reflektoni dhe kuptojeni se amerikanët duan qasje tek kujdesi shëndetësor dhe nuk duan që kostoja të jetë pengesë për ta pasur atë”, tha senatorja Harris.

Zoti Biden u përplas gjithashtu për imigracionin me ish-sekretarin e strehimit në adminisrtratën Obama, Julian Castro, i cili do që të kalimi i kufirit të dekriminalizohet.

“Nëse kalon kufirin ilegalisht, duhet të dërgohesh mbrapsht. Është krim”, tha zoti Biden.

“Para së gjithash zoti nënpresident, duket se njëri prej nesh ka mësuar nga e kaluara dhe tjetri jo”, tha zoti Castro.

Senatorja nga Nju Jorku, Kirsten Gillibrand e sfidoi zotin Biden lidhur me disa komente të kaluara që ai ka bërë për gratë që punojnë.

“Shumë grave u duhet të punojnë për të mbajtur fëmijët. Shumë gra duan të punojnë që të kontribuojnë në komunitetet e tyre. Ose nuk besoni të njëjtën gjë sot, ose përndryshe çfarë kishit parasysh atëherë?”

“Unë isha thellësisht i angazhuar tek amendamentet për barazinë në paga. Unë mora iniciativën për propozimin ‘Na Takon Ne’ për trajtimin me respekt të studenteve në universitete. Ju ishit me mua në Universitetin e Sirakuzës dhe thatë se unë isha i angazhuar plotësisht për trajtimin e barabartë të grave. Nuk di se çfarë ka ndryshuar, përveçse që tani ju po kandidoni për presidencën”, tha zoti Biden.

Por kur nuk kritikonin njëri-tjetrin, demokratët vunë në shënjestër Presidentin Trump. Një prej tyre ishte senatori nga Kolorado, Michael Bennet.

“Jemi lodhur me një president që as nuk e vret mendjen për fëmijët tuaj apo të mite. Zoti President, fëmijët duhet të jenë në shkolla, jo kafaze”, tha ai.

Edhe zoti Biden vuri në shënjestër zotin Trump, lidhur me disa komente për racën dhe diversitetin.

“Zoti President, le të flasim hapur: Ne e duam këtë vend. Nuk do të ikim. Jemi këtu përgjithmonë dhe sigurisht nuk do ta lemë në dorën tuaj”.

Debati i ardhshëm i demokratëve është në shtator dhe mund të përfshijë më pak konkurrrentë, për shkak të forcimit të rregullave kualifikuese./VOA

Bota debati demokrat Ish-nënpresidenti amerikan Joe Biden