
Ministri i ri i mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius po planifikon të vizitojë Ukrainën së shpejti, i tha ai një gazete gjermane, në një kohë kur Berlini përballet me presion për të lejuar dërgimin e tankeve “Leopard 2” në Kiev.
“Ajo që është e sigurt është se unë do të udhëtoj shpejt në Ukrainë. Ndoshta edhe brenda katër javëve të ardhshme”, tha Pistorius për “Bild am Sonntag”.
Të premten, Gjermania dhe aleatët perëndimorë nuk arritën asnjë vendim nëse Gjermania do të pranonte të dërgonte tanke “Leopard 2” në Ukrainë, apo do të lejonte vendet e tjera që i kanë blerë prej saj.
I pyetur për tanket, Pistorius tha në intervistë: “Ne jemi në dialog shumë të ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë, para së gjithash me SHBA-në, për këtë çështje”.
Burimet gjermane i thanë gjithashtu agjencisë së lajmeve Reuters se do të lejonin që tanket e prodhimit gjerman të dërgoheshin në Ukrainë për të ndihmuar mbrojtjen e saj kundër Rusisë nëse Shtetet e Bashkuara pranojnë të dërgojnë tanket e veta.
Megjithatë, zyrtarët amerikanë kanë thënë se administrata e Presidentit Joe Biden nuk është e gatshme të dërgojë tanket e veta, duke përfshirë M1 Abrams.