Aktualitet 5 Maj 2018, 05:39

Dekani i Fakultetit të Drejtësisë: Anëtarët e KED prioriteti maksimal i komisioneve të verifikimit të figurës, ngërçet

Shkruar nga Pamfleti
Dekani i Fakultetit të Drejtësisë: Anëtarët e KED

Dekani i Fakultetit të Drejtësisë: Anëtarët e KED prioriteti maksimal i komisioneve të verifikimit të figurës, ngërçet krijohen për shkak të gjendjes së keqe të drejtësisë

Dekani i Fakultetit të Drejtësisë, Artan Hoxha, i cili më herët ka qenë anëtar i Gjykatës së Lartë, deklaroi ditën e djeshme se prioriteti i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit duhet të jenë dosjet e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Gjatë një prononcimi mediatik, Hoxha theksoi se përmes kësaj mënyre nuk do të zvarritet ngritja e institucioneve të reja kushtetuese, si Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor.

“Anëtarët e KED duhet të jenë prioriteti maksimal i komisioneve të verifikimit të figurës, që do të thotë që nuk duhet të merren as me gjyqtarët e Gjykatës së Lartë apo Kushtetuese, por duhet të merren me ata kandidatë që tashmë janë përzgjedhur dhe kanë dalë që në dhjetor, të cilët janë dhe thelbi nga burojnë të gjithë kandidaturat sa i përket Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, KLGJ dhe KLP”, deklaroi ditën e djeshme dekani i Fakultetit të Drejtësisë.

Duke komentuar edhe krijimin e ngërçeve në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë, Artan Hoxha theksoi se një gjë e tillë ndodh sepse nuk pritej që të kishte kaq shumë të korruptuar në radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

“Reforma në vetvete nuk duhet të pengojnë procesin e vënies së drejtësisë apo verifikimit të kushtetutshmërisë nga Gjykata Kushtetuese, prandaj nëse është e nevojshme për ndërhyrje apo për strategji të përpunuara të reformës, unë mendoj se këto problematika që kanë dalë mund t’i vënë përpara institucionet shqiptare në verifikimin e disa momenteve të cilat mund të konsiderohen si bllokime apo ngërçe që vijnë si rezultat i një situate që ndoshta nuk ka qenë mirë e menduar, jo në kuptimin e reformës, por kryesisht në atë gjendje që ka sistemi i drejtësisë në Shqipëri.

Mendonim se ishte keq, por nuk e mendonim se ishte kaq keq”, tha ish-anëtari i Gjykatës së Lartë. Në vijim të reagimit të tij, Hoxha pohoi se Kushtetuesja është në një situatë kritike. “Duhet parë se kush do jetë vendimi i shkallës së dytë të komisionit apelues që do shqyrtojë kërkesat e tyre, por aktualisht Gjykata Kushtetuese është në një situatë kritike dhe subjektet që kanë të drejtën e saj, kanë vështirësi për të marrë përgjigje në vendimmarrjen e kësaj situate”, u shpreh Artan Hoxha.

Aktualitet Artan Hoxha Dekani i Fakultetit të Drejtësisë