Aktualitet14 Janar 2023, 08:10

“Deklaratat e Vuçiç të rreme”, Joseph: Marrëveshja Kosovë-Serbi mund arrihet brenda 2023-shit!

Shkruar nga Pamfleti
“Deklaratat e Vuçiç të rreme”, Joseph:

Ish-zëvendës i shefit të misionit të OSBE-së në Kosovë, Edward P. Joseph është shprehur se akuzat e presidentit serb Vuçiç për lobim në favor të shqiptarëve janë plotësisht të rreme. Joseph është i bindur se mund të arrihet një marrëveshje në mes Kosovës dhe Serbisë deri në fund të vitit 2023.

Në një intervistë për median serbe ‘Nova’ ai ka thënë se qytetarët e Serbisë duhet të kuptojnë se njohja e Kosovës është e vetmja mënyrë për të ruajtur komunitetin serb dhe trashëgiminë serbe në ato hapësira.

Po ashtu ai ka shtuar se është e rëndësishme që qytetarët e Serbisë të kuptojnë se Vuçiç nuk ka manipuluar vetëm Perëndimin, por edhe serbët nga Kosova.

“Gabimi i NATO-s, BE-së dhe SHBA-së në këtë rast ishte se ata thanë se barrikadat ishin një formë legjitime proteste, gjë që nuk ishin. Ka arsye që serbët e Kosovës të protestojnë, por kjo nuk është një mënyrë legjitime. Së dyti, ata thanë se Serbia ka të drejtë të dërgojë trupat e saj pranë vendkalimit kufitar. E gjithë kjo është një sinjal shumë i keq, sepse edhe nëse formalisht është kështu, dërgon një mesazh krejtësisht të gabuar. KFOR-i është përgjegjës për sigurinë në Kosovë dhe trupat serbe nuk janë të nevojshme për të mbrojtur serbët e Kosovës”, tha Joseph.

Ai tha se ajo që duhet t’i shqetësojë të gjithë është manipulimi që po u bëhet serbëve nga Kosova.

“Kemi pasur një situatë ku serbët janë larguar nga institucionet, kanë ngritur barrikada, kemi rastin e Nenad Gjuriçit që është suspenduar, kemi rastin e Dejan Pantiçit që është arrestuar. Dhe e dini cili është rasti i tretë që ekziston dhe për të cilin autoritetet në Beograd nuk flasin fare? Rasti i Oliver Ivanoviçit. Prandaj, Nenad Gjuriç u suspendua, Dejan Pantiç u arrestua dhe Oliver Ivanoviç u vra. Dhe tani ju pyes se cili nga këto tre raste është më i rëndë? Është plotësisht e qartë se rasti i Oliver Ivanoviçit është më i rëndë, por çfarë shohim? Jo vetëm që nuk ka progres për të përmbushur drejtësinë që meriton familja e Oliver Ivanoviçit, por shohim edhe se dëshmitarët, si Rada Trajkoviç, flasin për kërcënime për shkak të pjesëmarrjes së tyre në hetimin e vrasjes. A ka nevojë dikush për ndonjë provë të mëtejshme për të kuptuar se për çfarë sharade bëhet fjalë dhe në çfarë mënyre po manipulohen serbët e Kosovës”, thotë Joseph.

Ndërsa, i pyetur nëse kemi një situatë të tillë në terren, a është reale që marrëveshja përfundimtare mes Beogradit dhe Prishtinës të arrihet deri në vitin 2023, Jospeh thotë se kjo është reale.

“Jam 100% i bindur se është e mundur të arrihet një marrëveshje deri në fund të vitit, e cila do të çojë në njohje reciproke. Është e mundur të arrihet kjo marrëveshje shumë përpara fundit të vitit 2023. Është vetëm janari. Mendoj se ka shumë mundësi që të gjitha çështjet e hapura të zgjidhen dhe se është e mundur të arrihet një marrëveshje e kënaqshme që do të garantonte vendin e serbëve të Kosovës si qytetarë të Republikës së pavarur dhe funksionale të Kosovës. Kjo është shumë e mundur, por ka një kusht, pra një pengesë që qëndron në rrugën e një marrëveshjeje, dhe ai është qëndrimi i katër vendeve të NATO-s – Rumanisë, Sllovakisë, Greqisë dhe Spanjës. Ata janë e vetmja pengesë për arritjen e një marrëveshjeje që jo vetëm do të kontribuonte në zgjidhjen e këtij problemi, por do të ndryshonte tërësisht orientimin strategjik të Serbisë. Politika e ‘dy karrigeve’ do të përfundonte, Serbia do të kthehej drejt Perëndimit dhe kjo përfshin anëtarësimin në NATO. Unë jam i bindur për këtë”, thotë profesori amerikan.

I pyetur se “si është madje e mundur të arrihet një marrëveshje e tillë kur qëndrimi i autoriteteve në Beograd është se ata kurrë nuk do ta njohin pavarësinë e diçkaje që e trajtojnë si territor të tyre”, Jospeh tha se të gjithë e dinë këtë qëndrim.

“Ne e dimë gjithashtu se pozita e Serbisë tani është shumë më e vështirë se më parë. Kjo është arsyeja pse është shumë e rëndësishme për të bërë atë për të cilën po flisja sa më shpejt të jetë e mundur. Së fundmi kam dëgjuar një koment nga ministri i Jashtëm, Ivica Daçiç, i cili e krahasoi pavarësinë e Kosovës me pavarësinë e Republika Srpska. Përfaqësuesit e autoriteteve në Serbi shpesh e krahasojnë situatën në Ukrainë me Kosovën. Ata e mbajnë këtë pozicion për një arsye të thjeshtë. Përmenden katër vendet e NATO-s që lejojnë Serbinë të mbajë një qëndrim të tillë”, thotë ai.

Ndërsa, me pyetjen nëse Perëndimi ka mirëkuptim për Serbinë, e cila, duke gjykuar nga këto kërkesa, duhet të heqë dorë nga diçka që e konsideron territorin e saj, profesori amerikan thotë se përfaqësuesit e Perëndimit e kuptojnë këtë.

“Unë vetë e kuptoj pse është e vështirë për Serbinë. E shihni, unë kam qenë në rajon gjatë luftërave. Unë kam qenë në Kosovë në vitin 1999, kam qenë edhe në vitin 2000. Unë i kam parë dhe i di kushtet në të cilat jetojnë serbët. Më kujtohen serbët në Prizren që kishin shumë frikë për jetën e tyre, pashë shqiptarë që digjnin shtëpi serbe, e di se cili është realiteti. Kam marrë pjesë në luftërat në territorin e ish-Jugosllavisë. Pra, sigurisht e kuptoj që është një çështje shumë e dhimbshme për serbët. E di që Kosova përbën segmentin më të rëndësishëm të trashëgimisë serbe, por le t’i hedhim një sy mjedisit dhe çështjeve të dhimbshme me të cilat janë përballur të tjerët. A nuk mendoni se ishte shumë e vështirë për maqedonasit të ndryshonin emrin? Disa do të thoshin se është shumë më e vështirë që ju duhet të ndryshoni emrin e vendit tuaj për shkak të kërkesave të një vendi fqinj. Qytetarët e Serbisë duhet të kuptojnë se njohja e Kosovës është e vetmja mënyrë për të ruajtur komunitetin serb dhe trashëgiminë serbe në ato hapësira. Sigurisht që qytetarët e Serbisë e kanë të vështirë ta pranojnë këtë, por besoj se do ta kenë më pak të vështirë kur ta kuptojnë se cili ishte roli i Serbisë në humbjen e Kosovës. NATO-ja nuk ia vodhi Kosovën Serbisë, por Serbia nën Millosheviçin, në qeverinë e së cilës përfshihej edhe presidenti aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, kontribuoi në atë humbje në masë të madhe. Kjo është shumë e rëndësishme”, thotë Jospeh.

Profesori amerikan ka folur edhe për planin franko-gjerman si një bazë për arritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se për të është njoftuar përmes mediave dhe se “ideja është që Kosova të lejojë formimin e Asociacionit dhe në këmbim Serbia të mos e njohë Kosovën, por të pranojë realitetin, diçka si modeli i dy Gjermanive”.

“E para, mendoj se kjo do të funksionojë dhe së dyti, nuk mendoj se kjo marrëveshje do t’i zgjidhë problemet. Asociacioni i komunave serbe është obligim i Kosovës, mund të jetë pjesë shumë e rëndësishme e marrëveshjes përfundimtare dhe mund të harmonizohet plotësisht me Kushtetutën e Kosovës. Por çështja e Asociacionit është një çështje që lidhet me statusin përfundimtar të Kosovës”, shtoi ai.

Kryesore Joseph marrëveshja Kosovë-Serbi Vucic