Aktualitet 1 Tetor 2019, 18:17

Deklarimi i pasurive, janar-gusht 46 zyrtarë paguan gjobat ndaj Inspektoratit

Shkruar nga Pamfleti
Deklarimi i pasurive, janar-gusht 46 zyrtarë paguan gjobat ndaj

Deklarimi i pasurive, janar-gusht 46 zyrtarë paguan gjobat ndaj Inspektoratit

Të paktën 46 gjoba janë arkëtuar nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave pasi kanë shkelur kuadrin ligjor për deklarimin e pasurisë apo konfliktin e interesit.  Raporti i ILDKPKI për ecurinë e aktivitetit të tij në periudhën janar-gusht tregon se në total janë arkëtuar 8.6 milionë lekë.

“Arkëtimi i gjobave të vendosura në rastet e shkeljes së detyrimeve ligjore gjatë zbatimit të ligjit nr.9049 datë 10.4.2003, “Për deklarimin dhe Kontrollin e Pasurive, të Detyrimeve Financiare të të Zgjedhurve dhe të disa nëpunësve Publikë” i ndryshuar, ligjin nr 9367 datë 7.4.2005 “Për parandalimin e Konfliktit të Interesave në Ushtrimin e Funksioneve Publike” i ndryshuar, ligji nr 60/2016 “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve” nga subjekte në sektorin publik dhe privat. Për 8 mujorin janë arkëtuar gjithsej 20 raste në vlerën 3.98 milionë lekë” thuhet në raportin e ILDKPKI.

Nga ana tjetër duket se më i lartë ka qenë numri i atyre që gjobat nuk kanë dashur t’i paguajnë në mënyrë vullnetare çka ka bërë që në këtë pjesë të hyjë në lojë përmbarimi. Sipas Inspektoratit ekzekutimi i detyrueshëm nga Zyrat Përmbarimore të rretheve për gjobat e vendosura për rastet e shkeljes së detyrimeve ligjore si dhe vendimeve gjyqësore që kanë marrë formë të prerë në këtë periudhë është bërë në 26 raste për një vlerë prej 4.6 milionë lekë.

Të gjitha të ardhurat sipas ILDKPKI kanë kaluar në buxhetin e shtetit në masën 100 për qind.

Lidhur me shpenzimet Inspektorati ka raportuar se përveç fondit të pagave që shkon për të paktën 70 të punësuar pranë këtij institucioni ka pasur një vëmendje ndaj investimeve në funksion të plotësimit të  nevojave të institucionit si dhe shpenzime për mallra e shërbime në vlerën 8.6 milionë lekë, duke respektuar parashikimin e bërë në fillim të vitit./Monitor

Aktualitet deklarimi i pasurisë gjobat ndaj Inspektoratit Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave zyrtarët