Zv.kryeministri Arben Ahmetaj këtë të enjte në Kuvendin e Shqipërisë thotë se ekonomia shqiptare është duke vijuar trendin e rritjes galopante.
Ahmetaj tha se ekonomia u rimëkëmb me hapa të shpejtë gjatë vitit 2021 dhe papunësia u ul me 11.3 përqind.
“Ekonomia shqiptare u rimëkëmb me hapa të shpejtë gjatë 2021, rritja e këtij viti është më e madhja në rajon.
Përkujdesja me reforma dhe me paketat injektuese si për rindërtimin pas tërmetit, si për pandeminë bëri të mundur që 2021 të ishte vit galopant në rritje duke mbushur gropën e 2020. Shumë pak vende kanë mundësi ta thonë këtë që po themi ne sot.
Është interesante ta ndajmë me qytetarët këtë fakt. Sot në Shqipëri nuk ka ngadalësim të rritjes sepse është galopante. Të dhënat e fundit në tregun e punës që nuk i ka nxjerrë qeveria por INSTAT thotë që pjesëmarrja e forcave të punës është rekord në 72 përqind.
Po i referohem statistikisht dhe profesionalisht kësaj gjëje. Papunësia ka rënë në 11.3 përqind. Kërkesa është interesante pasi duhet të tregonte rënie, asnjë nga mallrat e konsumit përveç karburanteve nuk ka rënie, të gjitha mallrat e konsumit kanë rritje nga 6-10 përqind në sasi jo në çmim.”, tha zv.kryeministri në Kuvend.