Ekonomi29 Nëntor 2022, 16:47

Dëmet galopante në institucione, forcohen masat mbi drejtuesit: Bllokim fondesh ose shkarkim

Shkruar nga Pamfleti
Dëmet galopante në institucione, forcohen masat mbi drejtuesit:

Duke qenë se çdo vit dëmi ekonomik në buxhet i evidentuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, arrin përmasa galopante, qeveria ka vendosur qe të forcojë sistemin e menaxhimit të brendshëm financiar, duke synuar minimizimin e shkeljeve dhe rastet korruptive në këtë drejtim.  Pas fazës së konsultimit, projektligji për disa ndryshime në ligjin “Për menaxhimin financiar dhe kontrollin” është depozituar për diskutim në komisionet kuvendore dhe më pas do të kalojë për miratim në Parlament.

Drafti sjell risi, pasi shtrin detyrimin për raportimin e gjendjes së sistemit të kontrollit të brendshëm edhe në shoqëritë tregtare të cilat zotërohen, kontrollohen, financohen ose garantohen financiarisht nga njësit e qeverisjes së përgjithshme duke mundësuar një monitorim më të zgjeruar të funksionalitetit të këtij sistemi. Bëhet fjalë kryesisht për ato ente publike siç janë ndërmarrjet e ujësjellës kanalizimeve apo të shpërndarjes së energjisë elektrike të cilat funksionojnë në një farë forme pavarura financiarisht, edhe pse kërkojnë subvencion të vazhdueshme nga buxheti.

Ndërkohë sipas dokumentit, evidentohet se, problematikat vijnë kryesisht si pasojë e mosangazhimit të duhur të stafit si dhe nivelit të ulët të ndërgjegjësimit të menaxherëve në njësitë publike. Sipas draftit, titullarët e njësive të qeverisjes së përgjithshme do të jenë të detyruar caktojnë nëpunësit autorizues, sipas legjislacionit në fuqi. Nëpunësi autorizues i njësisë publike, për efekt të menaxhimit financiar dhe kontrollit, cakton nëpunës autorizues të nivelit të dytë drejtuesit e programeve e nënprogrameve të çdo strukture dhe njësie të varësisë direkte, për të cilat identifikohet buxhet i veçantë.

Nëpunësi autorizues i njësisë së qeverisjes së përgjithshme dhe i shoqërisë tregtare, depoziton te titullari i njësisë publike dhe nëpunësi i parë autorizues një deklaratë dhe raportin përkatës për cilësinë dhe gjendjen e sistemit të kontrollit të brendshëm të njësisë së qeverisjes së përgjithshme që mbulon, për vitin e mëparshëm, jo më vonë se fundi i muajit shkurt të vitit aktual.

Me rishikimin e ligjit të menaxhimit financiar dhe kontrollit, propozohet gjithashtu ndërmarrja e disa masave disiplinore sanksionuese për forcimin e përgjegjshmërisë menaxheriale në funksion të zbatimit të kuadrit ligjor në fuqi me qëllim ndikimin edhe në përmirësimin e performancës së veprimtarisë së njësive publike. Masat lidhen me bllokimin e përkohshëm të përdorimit të fondeve buxhetore si dhe shkarkime nga detyra. /Scan

Ekonomi deme ne buxhet financa Masa