Aktualitet18 Tetor 2022, 15:19

“Dënojmë sulmet e Iranit”, Yuri Kim: SHBA do garantojë sigurinë e Shqipërisë, jemi krah aleatëve

Shkruar nga Pamfleti
“Dënojmë sulmet e Iranit”, Yuri Kim: SHBA do

Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka dënuar sulmet kibernetike në Shqipëri. Sot ajo ka pasur një takim me ministrin e Mbrojtjes Niko Peleshi, ku në fokus ka qenë pikërisht sulmi iranian.

Ambasadorja e ka bërë të qartë se SHBA do të jetë në krah të aleatit të saj në NATO. Kim përmes një postimi në rrjetet sociale, shprehet se do asistojë vendin tonë në mbrojtjen kibernetike.

U takova sot me Ministrin e Mbrojtjes Niko Peleshi për të diskutuar bashkëpunimin Shqipëri-SHBA në fushën e mbrojtjes, duke përfshirë forcimin e mbrojtjes kibernetike. Udhëheqësit amerikanë- duke përfshirë shefin e Mbrojtjes të SHBA në takimin ministror të NATO-s në tetor – e kanë bërë të qartë se dënojmë sulmet kibernetike të kryera nga Irani kundër aleatit tonë të NATO-s.

SHBA do të mbështesë gjithmonë fuqimisht përpjekjet e Shqipërisë për të mbrojtur popullin dhe territorin e saj dhe për të kontribuar në qëllimin e NATO-s, për të garantuar lirinë dhe sigurinë e të gjithë aleatëve”, tha Kim.

Takimi i ambasadores vjen pas një sërë reagimesh të ardhura nga SHBA. Vetë Sekretari Blinken i ka dënuar sulmet, ndërkohë që në Senat është hartuar dhe një rezolutë që mbron Shqipërinë.

Projekt-rezoluta e hartuar me nismën e ligjvënësit nga Nju Jorku Ritchie Torres kërkon vazhdimin e mbajtjes para përgjegjësisë për ata që organizuan sulmet si edhe bën thirrje për forcimin e mbrojtjes kibernetike të Shqipërisë.

Është thelbësore që të dënojmë sulmin e shumëfishtë kibernetik iranian ndaj Shqipërisë. Irani në mënyrë metodike u përpoq të minonte Shqipërinë kur ndërmori akte të rrezikshme kibernetike. Irani është një regjim i rrezikshëm që do të vazhdojë përpjekjet për të minuar dhe shkatërruar Shqipërinë nëse nuk frenohet”, deklaroi ligjvënësi Torres në një deklaratë për Shqipërinë pak ditë më parë.

Projekt-rezoluta, inkurajon bashkërendimin e vazhdueshëm të Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë për t’u siguruar që mekanizmat e saj për sigurinë kibernetike të jenë të afta për t’u mbrojtur kundër ndërhyrjeve dhe sulmeve të ardhshme të mundshme kibernetike.

Kryesore Irani Kim Peleshi Sulme kibernetike