Anti-Mafia22 Gusht 2022, 10:39

Denoncimi për evazion 189 milion dollarë, gazetarët ngritën dyshimin se Kryemadhi e përdori si gjobë bizneseve

Shkruar nga Pamfleti
Denoncimi për evazion 189 milion dollarë, gazetarët ngritën

Denoncimi për evazion 189 milion dollarë, gazetarët ngritën dyshimin se Kryemadhi e përdori si gjobë bizneseve

Partia e Lirisë nis të hënën traditën e LSI-së; atë të kampingut të të rinjve në Jalë. Aktiviteti që zgjat për disa ditë mbledh të rinj aktivistë të partisë në një nga plazhet më të bukura, por edhe më të shtrenjta të vendit.

Shpenzimet paguhen të gjitha nga partia. Kostoja e aktivitetit mund të raportohet më vonë te bilancet e kësaj partie më të ulta dhe si burim i të ardhurave kontributet zemërgjera të anëtarësisë.

Por, burimi i vërtetë i këtyre të ardhurave mund të jetë diku tjetër, që nga korrupsioni e deri te gjobëvënia. Për gjobëvënie është akuzuar këto muaj Monika Kryemadhi.

Rreth dy muaj më parë, Monika Kryemadhi akuzoi se si një rrjet kompanish ishin përfshirë në fatura fiktive dhe një skemë mashtrimi me Taksën mbi Vlerën e Shtuar, që ndër vite i ka kushtuar buxhetit të shtetit 189 mln euro.

Ajo premtoi se do të bënte publike emrat e kompanive, mes të cilave tha se ishin edhe kompani të mëdha ndërtimi që fitonin edhe tendera rrugësh e deri te rindërtimi. Pas kësaj deklarate Kryemadhi shëtiti në disa studio televizive me një dosje voluminoze në dukje që mbante me vete.

Por, as vetë dhe as gazetarëve nuk u lejoi që të përmendnin emrat e kompanive të ndërtimit që tha se ishin përfshirë në evazion fiskal. Këtë e bëri kur ishte e ftuar në emisionin Open me Eni Vasilin gjatë një debati me gazetarin Mentor Kikia.

Mentor Kikia: Ngritët një, s’po e quaj zhurmë, sepse zhurma është kur bëhet pa fakte. Në kompanitë e mëdha të ndërtimit që kanë qenë kliente të këtij rrjeti kompanish fantazmë për të fryrë kostot, pse nuk përmendni emrat, pasi ka një sjellje të opozitës, që bizneset e mëdha që i etiketoni si oligarki të Edi Ramës, Klodian Zoton e përmendnin 3 herë në minutë, ndërsa këtë rrjetin e kompanive të ndërtimit që kanë bërë të njëjtën gjë me këtë rrjetin e kompanive mashtruese ju refuzoni t’i përmendni.

Monika Kryemadhi: Nuk refuzoj t’i përmend, se i kam përmendur unë oligarkët. Kur i kam përmendur unë, të gjithë televizionet i kanë bërë bllokadë Monika Kryemadhit.

Mentor Kikia: Ke mundësinë që të të mos bëjnë bllokadë sepse jemi live dhe nuk e fikim dot…

Monika Kryemadhi: Nuk është Monika më që me duart e Monikës të heqë gështenjat Lulzim Basha dhe ça janë pas Lulzim Bashës.

Mentor Kikia: Kush janë këto kompani që kanë bërë rrugët dhe kanë pastruar paratë në atë skemë?

Monika Kryemadhi: Të gjitha kompanitë që kanë fituar punë publike. Janë disa kompani që janë nënkontraktorë të kompanive të mëdha. Mos i përmend emrat të lutem, se më quhet mua gjobë për kompanitë. Rrugët që u këndohen këngë, HEC-e, dherat, ekskavatorë, fshatra turistikë…

Në vend të kësaj, Kryemadhi heshti dhe ja kaloi po në heshtje stafetën e LSI-së së transformuar në Parti të Lirisë te Ilir Meta.

Ky i fundit vuri një nga shtyllat e programit të partisë denoncimin e aferave korruptive të Qeverisë. Bilanci? Deri më tani, Ilir Meta jo vetëm që nuk i ka denoncuar këto kompani, por ka heshtur edhe për ato afera që denonconte sa ishte në Presidencë, njëra prej tyre edhe trau në Rrugën e Kombit.

Nga ana tjetër, Monika Kryemadhi shfryu tullumbacen e evazionit nga 189 mln euro në 30 mln euro, por sërish nuk pëmendi emra të kompanive të ndërtimit, për të cilat foli në fillim.

Pse po hesht çifti Kryemadhi-Meta për këto kompani? Pse ka dorëzuar në SPAK vetëm kompanitë që dyshohen për evazion në lidhje me çështjen e inceneratorëve dhe asnjë kompani ndërtimi? Njëra prej arsyeve të kësaj heshtjeje është gjobëvënia. Pra, ata e kanë arritur qëllimin e gjobitjes së kompanive në këmbim të heshtjes.

Me paratë e siguruara, ndoshta do të financohet edhe aktiviteti i radhës i Partisë së Lirisë në Jalë, nga ku do të flitet me siguri se si do ta luftojë korrupsionin e ndoshta edhe gjobëvënien kjo parti./Voxnews

Anti-Mafia #Evazion bizneset denoncimi dyshime gazetarët Gjoba inceneratorët Kryemadhi