Vendimi i Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, për të shpallur ‘non grata’ dy zyrtarë të zyrës së ndërlidhjes ruse në Kosovë, ka irrituar Moskën.
Osmani bëri të ditur se “Këtë javë kam kërkuar nga zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, t‘i shpallë persona ‘non grata’ dy zyrtarë të Zyrës Ndërlidhëse të Federatës Ruse në Kosovë, për shkak të aktivitetit të tyre të dëmshëm, i cili ka cenuar sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës. Dje, MPJD-ja ka nxjerrë vendimin për shpalljen e këtyre dy zyrtarëve rus persona të padëshirueshëm dhe në të njëjtën kohën i ka njoftuar institucionet ligjzbatuese dhe autoritetet përkatëse për zbatimin e tij”.
Për këtë çështje, ende ministria e Jashtme e Rusisë, nuk ka dhënë ndonjë deklaratë eksplicite, por ambasadori i Moskës në Beograd, që u bë protagonist gjatë trazirave të targave, ka sulmuar NATO-n por edhe Kosovën.
Ambasadori Alexander Bocan-Kharchenko, deklaroi se Rusia ka çliruar Serbinë, e ka krijuar si shtet, ndaj do ta vijojë rolin e saj kyç në këtë drejtim, duke mos lejuar asnjë kthim prapa.
“Fituam dhe vendosëm lirinë dhe pavarësinë tonë, vlerat tona të përbashkëta, të cilat janë ende baza dhe themeli i zhvillimit si të Rusisë ashtu edhe të Serbisë”, tha ambasadori Bocan-Kharchenko. I cili i ka bërë presion politikanëve serbë se kanë harruar se vendi i tyre është çliruar nga Rusia.
“Ditët e Lirisë sivjet i referohen edhe 1 Nëntorit, ditës së çlirimit të Beogradit në Luftën e Parë Botërore. Bashkëpunimi dhe mbështetja e Rusisë së atëhershme ndaj Serbisë në Luftën e Parë Botërore është harruar pak. Dhe ishte shumë e rëndësishme, për të mos thënë vendimtare gjatë të gjitha ngjarjeve, luftimeve dhe fitoreve në fund që çuan në çlirimin e Serbisë dhe Beogradit më 1918”, tha Haraçenko./Pamfleti