Sali Berishës nuk ka “lavazh” që mund t’ia pastrojë zullumet/ Meqë vitin e kaluar, deputeti i biznesit “Call Center” ka marrë edhe diplomën për “Jurist” në Itali, patjetër që duhet ta di, se vërtetësia e emrave dhe nënshkrimeve, në këtë konflikt palësh që mund të shkojë deri në proces gjyqësor, nuk bëhet as me pleqësi fshati dhe as duke pyetur “Alo, ti je o filan”, marrë nga listat e kutive që ka mbushur pala “non grata”
Ka patur shumë reagime ndaj lëvizjes së deputetit Agron Shehaj, për të verifikuar vërtetësinë e emrave dhe nënshkrimeve të delegatëve të Njësive nr. 5 e 7 në Tiranë, të cilët janë mbështetës të kuvendit që do bëjë familja “non grata”.
Ky veprim, u quajt aktrim për protagonizëm mediatik personal dhe show në shërbim të Sali Berishës, për të legjitimuar formularët e mbledhur dhe kyçur në kuti te zyra e Edi Palokës, deputet nismëtar i “orës së parë” të foltores anti-SHBA.
Aktrimi i deputetit Agron Shehaj, ishte tamam si sondazhet elektorale që bëhen me “Call Center”, duke telefonuar siç thotë ai, personat që kishin emrat në listat për kuvendin e 11 dhjetorit, por sipas kronikës, listat me numrat e telefonit ia dha Edi Paloka.
Deputeti me biznes “Call Center”, tha se nga 170 delegatë kuvendi që PD ka në njësitë nr. 5 e 7 në Tiranë, telefonoi 100 prej tyre që kishin emrat në kuti dhe konkludoi, se “Pro” foltores kanë firmosur 98%, ose 167 delegatë.
Mirëpo në “FB” dhe në një nga emisionet televizive, dy delegatë të telefonuar prej deputetit Agron Shehaj, deklaruan se u ishin falsifikuar firmat, mbasi nuk kishin firmosur për kuvendin e 11 dhjetorit.
Ndërsa deputeti Agron Shehaj, mashtroi duke thënë se të 100 delegatët e telefonuar nga zyra e foltores, kishin firmosur, dhe ai i besonte mbasi i njihte nga zëri që ishin personat real.
Që deputeti Shehaj të besohej e të mos akuzohej si i përdorur prej personit “non grata” për t’i legjitimuar lëvizjen anti-SHBA; nuk kishte pse bënte show dyshues të llojit “Call Center”, me telefonata që vet i bëri e vetë i dëgjoi.
Por mund të bënte një takim të hapur ballafaques, në një sallë me të 170 delegatët e njësive nr. 5 e 7, ose një komunikim elektronik “Live” me ta, ku secili të pranonte apo mohonte firmosjen në firmëtarët e foltores.
Sepse si i diplomuar dhe për “Jurist” në Itali vitin e kaluar, patjetër që deputeti Agron Shehaj e di, se vërtetësia e emrave dhe nënshkrimeve në këtë konflikt palësh që mund të shkojë deri në proces gjyqësor, nuk bëhet as me pleqësi fshati dhe as duke pyetur me “Alo, ti je o filan”, marrë nga listat e kutive që ka mbushur pala “non grata”./Pamfleti